Ramazani – Përjetim i lirisë dhe përballje me problemet e kohës

Shkruan: Metin Izeti

Urdhërat dhe ndalesat e Allahut xh.sh. të kumtuara, nëpërmjet Kuranit dhe traditës konstituive të Pejgamberit a.s., njerëzve, më qartë, çdo gjë që Krijuesi thotë: Bëre ose Mos e bër, janë të dobishme për përmasën lëndore dhe kuptimore të njeriut. Agjërimi I muajit të Ramazanit është një nga mjetet që Allahu xh.sh. e ka urdhëruar për edukimin e brendisë dhe dukjes së njeriut. Qoftë edhe një muaj në vit personi I njeriut lufton me ngopjen dhe lakminë e tepërt nëpërmjet urisë dhe frenimit të lakmive të tij. Shmangia nga ushqimi dhe lakmitë e egos e pastron trupin dhe shpirtin e njeriut.

Esenca e agjërimit nuk është vetëm në qëndrimin urët një kohë të caktuar, përkundrazi e ngërthen edhe shmangien e gjuhës dhe të zemrës prej lakmive të egos, më drejtë, largimin e urrejtjes, qibrit, gënjeshtrës, dredhisë dhe arrogances prej vetes. Beteja kuptimore e agjërimit është në pjesën e dytë dhe kjo në realitet e paraqet qëllimin e agjërimit në relacion me edukimin e karakterit të personit. Si rrjedhojë, agjërimi paraqet një varg të sistematikës karakteredukuese dhe zemërkonsoliduese.

Procesi i çlirimit të njeriut nga kthetrat e egos, arritja e tij, duke e shpëtuar veten nga skllevëria e vetvetes, në stacionet e përsosjes dhe përjetimit të lirisë së amshueshme zhvillohet në stërvitjen dhe përpjekjen kuptimore për të ngadhënjyer në betejën që ai vazhdimisht e bën me fuqitë egoiste dhe egocentrike në brendinë e tij. Përfundimi I këtij procesi e bën të lirë njeriun. Thënur ndryshe, Ramazani është edukues fenomenal I vullnetit dhe shpirtit të njeriut, ai nga njëra anë e shton qëndresën dhe përqëndrimin në rrugën e favorit të vlerave, ndërsa nga ana tjetër e shuan zjarrin e hidhërimit, smirës dhe dinakërisë.

Agjërimi nuk është ngarkesë por vetëflijim në rrugën e dashurisë për të Dashurin e amshueshëm. Dashuria e vërtetë është përplot me sakrifica. Personin, që ibadetin nuk e kupton si një intimitet ndërmjet krijesës dhe Krijuesit dhe e konsideron si një automatikë rutinore ,gjithsesi se do ta mundojë agjërimi. Por ama, ai që ibadetin e kupton si mënjanim I gjembave nga rruga e njohjes së vetes, ai përmes agjërimit do ta largojë tjetërsimin dhe tëhuajësimin, do të miqësohet me veten e vërtetë dhe si rrjedhojë do të pastrohet nga qibri, krekosja, syefaqesia, smira dhe të ngjashmet.

Procesi i edukimit dhe përjetimit të lirisë absolute në ibadetin e agjërimit zhvillohet në tre platforma:

Platforma e parë është shmangia nga haja dhe pirja dhe ndalesat e Allahut xh.sh..

Platforma e dytë është shmangia nga të gjitha ndjenjat e liga, qëllimet e këqia dhe sjellja me dashuri ndaj të gjitha krijesave.

Platforma e tretë është shmangie nga çdo gjë tjetër përveç Allahut xh.sh., tejkalim I dëshirave dhe lakmive të unit dhe prania me dashuri në audiencën hyjnore.

Ibadeti disaherë e ka kuptimin edhe të mosveprimit dhe shmangies nga disa gjëra. Agjërimi kërkon prej njeriut që të shmanget prej disa nevojave të domosdoshme të tij vetëm për hire të urdhërit të Krijuesit të tij. Agjërimi e vendos një distance të vullnetshme ndërmjet kërkesave të unit dhe kërkesës së Krijuesit. Besimtari me agjërimin e parapëlqen kërkesën e Krijuesit dhe pranon që për hire të Tij të shmanget edhe prej gjërave të domosdoshme për jetën e tij. Mendoj se në essencë kjo sjellje paraqet një statujë të lirisë së vërtetë.

Konteksti revolucionar I agjërimit në kontrolin e unit të njeriut, më së miri, mund të kuptohet në bashkëkohësi kur njeriu është I varrur në lavjerrësen e pasionit dhe interesit egocentrik. Në asnjë periudhë të mëparshme njeriu nuk e ka humbur lirinë e tij duke iu skllevëruar plotësisht pasionit dhe nevojave lëndore. Në një koncept qytetërimor që udhëhiqet nga deviza “ Je i lirë aq sa kansumon”, njeriu I sodit e ka të domosdoshme ta rizbulojë kuptimin e lirisë. Agjërimi, në një mënyrë, na meson se liria shpeshherë mund të përfitohet me refuzimin e pasionit dhe me përjetimin e lirisë duke thënë “jo”. Njeriu I ngulfatur ndërmjet ngopjes dhe pasionit, qoftë edhe për një kohë të caktuar, të pushojë pak dhe ta ndiej në praktikë vullnetin dhe fuqinë e bartjes së amanetit që e ka mbi supe si krijesë më e përsosur.

Pajtimi me vetveten, mënjanimi i elementeve të tjetërsimit dhe tëhuajësimit të imponuara nga mendësia konsumeriste bashkëkohore njeriut të sodit do t’ia shtojë dashurinë ndaj jetës, familjes, ambientit.

Një ditë, thotë Ibn Arabiu, së bashku me shokët dolëm për piknik në mal. Ashtu duke ndejur ulur e vërejta se kafshët e egra filluan të ikin prej nesh. Në fillim m’u duk si normale kjo punë. Mendova se është normale që kafshët e egra të ikin prej njerëzve. Pastaj, për një moment, bëra një llogari të vetes time. E kuptova se egërsia e vërtetë është në brendinë time. Kafshët e egra iknin prej nesh për shkak se e ndjenin sensin tone të brendshëm. Pas kësaj u përpoqa që ta rregulloj brendinë time, me një fjalë, e ndryshova qasjen time ndaj natyrës dhe kafshëve. Pas një kohe të caktuar përsëri vajtëm për piknik në mal, por tashmë kafshët e egra nuk iknin prej meje.

Ibn Arabiu nëpërmjet të këtij shembulli na tregon se shkaku I përleshjes dhe kacafytjes së njeriut me natyrën dhe ambientin e jashtëm është lufta e tij e brendshme. Ramazani e vendos paqën në brendinë e njeriut dhe si pasojë ai pajtohet me natyrën dhe shoqërinë.

Ramazani vjen si një urtar bujar dhe dëshiron që sërish ta ndërtojë botën tone. Në këtë muaj ridefinohet pastërtia. Mendjes tone të kushtëzuar vetëm nga pastërtia e jashtme ia përkujton pastërtinë e vërtetë e cila është në pastrimin e mendjes nga mendimet e kundërta me të vërtetën dhe në pastërtinë morale. Mbreti i njëmbëdhjetë muajve na pyet sërish neve se kush jemi. Intelekti ynë i ngulfatur në tituj dhe statuse, në Ramazan, e përkujton se gjërësia pushon në njerëzishmërinë e thellë. Ramazani na i hap dyert e rizbulimit të njeriut universal në brendinë tonë. Njeriu në këtë muaj e kupton vlerën e tij dhe e rizbulon natyrën. E kupton se natyra është motra dhe amaneti I Zotit për ne. Na e mundëson ta njohim të vërtetën se ekzistenca e jonë bazohet në gjëra shumë më të rëndësihme se ngrënia, pirja dhe pasioni. Njeriu në këtë muaj duke e freskuar njohjen e Zotit dhe duke e rizbuluar kuptimin e të qenurit afrohet edhe një hap më tepër qëllimit të vërtetë të jetës.

Ramazani i ndritshëm është kremtë e shpirtit. Është kthim I shpirtit në origjinën e tij. Është kohë e kthimit drejtë burimit të frymës që na mban të gjallë në këtë botë. Poeti Mehmed Akif Ersoj në një poezi për Ramazanin ka shkruar:

O Zot, për hirë të këtij Ramazani madhështor

Largoje çdo gjë që është pengesë e njëshmërisë

 O Zot, mos lejo që ummeti të ngel në pashpresi

Nga shtypja dhe përçarja shekullore

 Pasi na dhurove frymën hyjnore

Na e lësho edhe një frymë, të parën përforcoje.

Trupi nga balta është I gatuar me frymën e Ramazanit. Riqarkullimi I frymës me vete e merr edhe trupin. Trupi I agjërueshëm është një vendadhurim ndaj Krijuesit. Trupi me dorëzimin ndaj shpirtit e ka arritur shkallën e të qenurit njeri. Poeti plot shpirt Sezai Karakoç ka thurur disa vargje mahnitëse që e shprehin të vërtetën e agjërimit:

Njeriu dhe Agjërimi

Agjërimi, zëri I shpirtit, vjen çdo vjet

E prek zemrën tonë me thembrat prej gjymyshi

Trupi shndërrohet në faltore, bëhet kurban

Ndërtohen, mbulohen shkëmbishtet nga duatë përgjëruese

Trupi I strukur në krahërorin e shpirtit

Ditët e krijimit I derdhin sërish lotët e bërjes

Njeriu e ndryshon natën dhe e përjeton ditën

E kthen në një stinë të vetme kohën, që s’ndryshon kurrë

Është koha për t’u bërë njeri, shansë për përsosje

Shpirti I jep gji si nëna, tokës, qiellit, agimit

Vjen një njeri I ri, të bëjë kujdestari

I vjetri është kalbur, pasi është shembur si një statujë

Agjërim! Erë ringjallëse, pranverë e Islamit

Fryj në drejtim të shpirtit të njeriut nga mali I frymëzimit

Na ngop me ujin e kevtherit, na jep uj gjallërie nga kupa e kristaltë

Horizontet e etura, horizontet e zemrës së njeriut

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne