Ramush Haradinaj takon Samir Manen, garanci për investimin te Ferronikeli në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një vizitë pune në ndërmarrjen e ‘’Feronikelit’’ në komunën e Drenasit së bashku me presidentin e Grupit Balfin, Z. Samir Mane.

Haradinaj ka qenë i shoqëruar gjithashtu nga kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe nga disa nga këshilltarë.

Gjatë vizitës në mjediset e uzinës, në fjalën që mbajti për mediat, Haradinaj tha se kjo fabrikë është eksportuesi më i  rëndësishëm në Kosovë si dhe u dha garanci investitorëve.

Sot jemi në një orë pune te ‘Ferronikeli’, që është prodhues i madh, eksportues i madh dhe investim me rëndësi për Kosovën. Falënderoj zotin Samir Mane, që ka investuar. Janë 800 të punësuar të rregullt, por investitorët në Kosovë, nuk janë kurrë vetëm dhe nga këtu do t’ju përçojmë mesazh se kanë ku të investojnë sepse kanë partnerë për të bashkëpunuar” – u shpreh Haradinaj.

Ndërsa Z. Mane tha se tashmë Newco Ferronikeli do të ketë bashkëpunim të plotë jo vetëm me qeverisjen lokale ku edhe ndodhet ndërmarrja, por edhe me atë qendrore.

Këtu jemi në pjesën qendrore të fabrikës së Ferronikelit, falenderoj kryeministrin që ka ardhur për vizitë. I treguam ambientet se ku prodhohet Ferronikeli, një nga fabrikat më të rëndësishme për Kosovën,   ecurinë e këtyre muajve që kur ne kemi marrë fabrikën në pronësi, si dhe planet për bashkëpunim të vazhdueshëm jo vetëm me qeverinë lokale, siç kemi folur me kryetarin e Komunës por edhe me qeverinë qendrore aty ku mund të gjejmë pika bashkëpunimi “, tha presidenti i Grupit Balfin.

Haradinaj i shoqëruar nga Presidenti i Grupit Balfin, Samir Mane, dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, vizitoi departamentin e prodhimit ku pa nga afër procesin e prodhimit dhe u informua nga përfaqësuesit mbi procesin e punës dhe të përpunimit të metalit në këtë fabrikë.

 

Në një postim të mëvonshëm mbi takimin në profilin e tij në Facebook, kryeministri i Kosovës, ka dhënë edhe më shumë detaje mbi vizitën që zhvilloi.

NewCo Ferronikeli është eksportuesi dhe punëdhënësi më i madh privat në vend, me rreth 800 punëtorë dhe 400 kontraktorë. Gjatë një vizite pune i shpreha mirënjohjen aksionarit kryesor Samir Mane dhe Balfin Group për investimin në këtë aset me rëndësi strategjike për ekonominë e vendit. Nga menaxhmenti u njoftova me ecurinë e rivendosjes së prodhimit përgjatë këtyre muajve, mundësinë e rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe për planin e ardhshëm operacional. Investitorët në Kosovë kanë partner të përhershëm Qeverinë, që do të jetë gjithmonë përkrah tyre në rrugëtimin drejt zhvillimit dhe avancimit në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar” –  përfundon postimin e tij Ramush Haradinaj.

Grupi Balfin e mori në zotërim impiantin e ferronikelit vitin e kaluar, kur fabrika po kalonte një moment të vështirë, pasi fabrika prej muajsh kishte pezulluar prodhimin dhe kishte krijuar detyrime financiare ndaj furnitorëve dhe punonjësve të saj.

Por një ndër hapat e parë të Grupit Balfin dhe Z. Mane ka qenë shlyerja e pagave të prapambetura të punonjësve të fabrikës dhe negocimi me kompanitë e tjera për të zgjidhur problemet e trashëguara.

“Newco Ferronikeli”, me mbi 800 punëtorë përfaqëson aktualisht punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1500 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e fabrikës me lëndë të para dhe logjistikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri./ TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne