Raporti i KLSH/ Këto janë zonat me cilësi të keqe nafte në Shqipëri

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbardhur zonat ku janë hasur më dendur mostrat e karburantit jashtë standardeve në gjithë territorin e vendit. Analiza e KLSH, e kryer vitin e shkuar, bazohet te kontrollet e ushtruara nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në subjektet tregtuese me pakicë të karburanteve.

ISHTI ka kryer një numër të konsiderueshëm inspektimesh, të cilat janë rritur nga viti në vit: 6641 inspektime për 2015:, në vitin 2016 janë kryer 7561 inspektime duke arritur numrin më të lartë 10,887 në vitin 2017.

Zonat më problematike, të cilat kanë numrin më të lartë të mostrave me tregues jashtë standardit janë Tiranë-Durrës-Elbasan dhe Fier-Vlorë-Berat.

Përgjatë kësaj periudhe sipas KLSH, janë vendosur penalitete sipas viteve 2015, 2016 dhe 2017 përkatësisht: 271, 257 dhe 76 gjoba, të cilat ndjekin trendin e uljes së subjekteve me tregues të mostrave jashtë standardeve të cilësisë, ku arkëtimi i tyre vjen në rritje, megjithëse ngelet problematik arkëtimi vullnetar i vlerës së gjobave.

Ndërkohë që në analizën e vet Kontrolli i Lartë i Shtetit konkludon se numri dhe cilësia e inspektimeve është e mangët, pasi vetë Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka mungesa në infrastrukturën e nevojshme (makina, karburant, pajisje kompjuterike dhe internet), si dhe të zyrave rajonale, për kryerjen e inspektimeve fizike dhe atyre on-line.

Po ashtu ka problematika në organizimin e inspektorëve sipas sektorëve dhe shpërndarjen e formimit profesional të tyre në këta sektorë./ tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne