Raporti: Kolonitë e Izraelit janë trefishuar në 6 muajt e fundit

Sipas një raporti të ri, shkalla e aktiviteteve të ndërtimit të kolonive izraelite në territoret e okupuara palestineze është trefishuar në gjysmën e parë të vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Raporti, i cili u botua nga Zyra Kombëtare Palestineze për Mbrojtjen e Tokës dhe Rezistencën ndaj Kolonive, tregon se përshkallëzimi i fundit i aktiviteteve të ndërtimit në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalem el-Kuds është në kundërshtim të plotë me dënimet ndërkombëtare.

Publikuar të shtunën, raporti tha se ndërtimet e reja kishin për qëllim të strehonin izraelitët të cilët u dëbuan nga Amona, një vendbanim i paligjshëm i mbyllur nga Gjykata Supreme.

Më herët këtë javë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mori pjesë në një ceremoni themelore për ndërtimin e rreth 1,000 njësive të reja në koloninë e Beitar Ilit, pranë qytetit të Bethlehemit të Palestinës në Bregun Perëndimor.

Rreth 600,000 izraelitë jetojnë në mbi 230 vendbanime të paligjshme të ndërtuara që nga pushtimi i territorit palestinez më 1967.

Tel Avivi në muajt e fundit ka rritur veprimtaritë e ndërtimit të vendbanimeve në territoret e pushtuara. Vendbanimet konsiderohen si shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe në kundërshtim me Rezolutën 2334 të KS të OKB-së.

Rezoluta, e cila u miratua dhjetorin e kaluar, thotë se krijimi i vendbanimeve të Izraelit “nuk ka vlefshmëri ligjore”. Ajo gjithashtu i bëri thirrje regjimit izraelit që menjëherë të ndërpresë të gjitha aktivitetet e tij koloniale. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne