Raportuesi i OKB-së, Lynk: Ngjarjet në Gaza janë krime lufte

Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara Palestineze, Michael Lynk theksoi se vrasja dhe plagosja e qëllimshme e palestinezëve nga Izraeli është një shkelje e rëndë e Konventës së Gjenevës dhe përbën krim lufte sipas Statutit të Romës.

Takimi i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut lidhur me përkeqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara palestineze, filloi në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme e cila është thirrur me përkrahjen e 26 nga 47 anëtaret e Këshillit, përmes një video-linku foli raportuesi i Posaçëm, Michael Lynk, i cili tha se ushtarët izraelitë në shtatë javët e fundit kanë vrarë mbi 100 palestinezë dhe kanë plagosur mbi 12.000 të tjerë.

Lynk i cili tha “Kush do të mbaj përgjegjësin për të gjitha këto?”, tha se për masakrat mbi palestinezët, fajtor kryesor është ushtria izraelite dhe vendimmarrësit brenda qeverisë izraelite.

‘SHKELJE E RËNDË E KONVENTËS SË GJENEVËS’

Lynk theksoi se bashkësia ndërkombëtare do të duhet të ushtrojë presion më të madh mbi Izraelin për të përmbushur detyrimet e veta që dalin nga e drejta ndërkombëtare, dhe se palestinezët kanë të gjitha të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën për protesta paqësore.

Lynk i cili tha se përderisa përgjegjësit nuk dalin para drejtësisë, secili dënim i sulmeve izraelite do të jetë frazë boshe, shtoi se: “Duhet të theksoj se vrasja dhe plagosja e qëllimshme e palestinezëve nga Izraeli është një shkelje e rëndë e Konventës së Gjenevës dhe përbën krim lufte sipas Statutit të Romës.”

KËSHILLI I OKB-SË PËR TË DREJTAT E NJERIUT MBËSHTET HULUMTIMIN NDËRKOMBËTAR

Komisioneri Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zejd Raad el Hysein ka mbështetur thirrjen për një ‘hulumtim ndërkombëtar’ lidhur me hedhjen e zjarrit dhe vrasjen e 60 personave nga Izraeli të hënën, në kufirin e Gaza.

Zejd u shpreh: “Ka shumë pak dëshmi se Izraeli është përpjekur të zvoglojë vdekjet të hënën.”

Gjatë aksionit, disa protestues hodhën kokteje molotovi, përdorën hobe dhe u përpoqën të prejnë tela me gjemba në kufi.

‘PLOTËSISHT JOPROPORCIONALE’

Zejd tha se: “Këto veprime nuk përbëjnë elemente të kërcënimit të jetës apo dëmtimeve serioze që mund të legjitimonte përdorimin e forcës ligjore.”

Ai shtoi se: “Përgjigja e dhënë për dallimin e mprehtë në mes të numrit të të plagosurve / të vdekurve në të dy anët tregon se është krejtësisht joproporcionale.”

Është raportuar se një ushtar izraelit u plagos për shkak të hedhjes së gurit gjatë aksionit në kufi.

Zejd theksoi se ai mbështeti “një hetim ndërkombëtar, të pavarur dhe fisnik” dhe theksoi se përgjegjësit duhet të ndëshkohen.

Në seancën e posaçme të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të zhvilluar 28 herë dhe e cila do të përfundoj sot, do të votohet për një projekt-vendim kundër Izraelit, i propozuar edhe me mbështetjen e Turqisë.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për herë të fundit mbajti seancë më 5 dhjetor 2017, për vrasjet e muslimanëve Rohingya në Mianmar. Këshilli, i cili mblidhet rregullisht tri herë në vit, po mban një seancë të veçantë në rrethana të jashtëzakonshme.

Burimi : Sputnik News/ ML

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne