Rasti Khashoggi, miliarderi britanik ndërpret lidhjet biznesore me Arabinë Saudite

Miliarderi britanik Richard Branson tha se do të ndërpresë marrëdhëniet biznesore me qeverinë saudite për shkak të zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Branson dhe grupi i tij Virgin kanë pezulluar bisedimet me Arabinë Saudite për një investim prej një miliard dollarësh në kompanitë hapësinore të Virgin.

Ai tha gjithashtu se do të largohet nga roli i tij si drejtor i dy projekteve turistike saudite.

Në një deklaratë në faqen e internetit të Virgin Group, Branson tha se më herët kishte “shpresa të mëdha” nga qeveria saudite dhe udhëheqësi i saj, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.

“Për këtë arsye isha i kënaqur që pranova dy drejtori në projektet e turizmit rreth Detit të Kuq. Mendova se mund të jepja këshilla praktike për zhvillim dhe gjithashtu të ndihmoja në mbrojtjen e mjedisit të çmuar rreth bregdetit dhe ishujve”, ka theksuar Branson.

Khashoggi, kolumnist i “Washington Post”-it, është zhdukur që nga 2 tetori kur vizitoi Konsullatën Saudite në Stamboll, ndërsa ekzistojnë spekulime se ai është vrarë nga autoritetet saudite.

Të njëjtën ditë, 15 sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën teksa Khashoggi ishte gjithashtu brenda, kanë thënë burimet e policisë. Të gjithë individët e identifikuar kanë lëshuar Turqinë.

“Nëse vërtetohen ato që thuhen se ka ndodhur në Turqi rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, atëherë kjo do të ndryshonte qartë aftësinë e cilitdo prej nesh në Perëndim për të bërë biznes me qeverinë saudite”, tha Branson.

Branson aktualisht është duke kërkuar më shumë informacione nga autoritetet saudite dhe ka kërkuar nga ata të sqarojnë qëndrimin e tyre për rastin Khashoggi.

“Gjersa këto hetime janë në vazhdim e sipër dhe vendndodhja e zotit Khashoggi nuk dihet, unë do të pezulloj drejtimin e dy projekteve turistike”, ka deklaruar miliarderi britanik.

“Virgin gjithashtu do të pezullojë diskutimet e saj me Fondin e Investimeve Publike rreth investimit të propozuar në kompanitë tona hapësinore Virgin Galactic dhe Virgin Orbit”, ka shtuar ai.

Uber vendim për mospjesëmarrje në konferencë

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i kompanisë Uber, Dara Khosrowshahi, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në konferencën Iniciativa e Investimeve në të Ardhmen (Future Investment Initiative-FII) që do të organizohet më 23-25 tetor në Rijad të Arabisë Saudite nën kujdesin e princit Mohammed bin Salman.

Khosrowshahi është shprehur i shqetësuar nga rastin i gazetarit Khashoggi dhe nuk do të marrë pjesë në konferencë, ku ai ishte planifikuar të mbante edhe fjalim.

Më herët, sponsorizimin mediatik në këtë konferencë e kanë tërhequr edhe gazetat prestigjioze amerikane New York Times, Huffington Post dhe Los Angeles Times.

Autoritetet saudite ende nuk kanë dhënë një shpjegim të qartë për fatin e Khashoggi, ndërsa disa vende, veçanërisht Turqia, SHBA dhe Britania e Madhe, kanë shprehur dëshirën e tyre që çështja të sqarohet sa më parë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne