Rasti i Nevzatit dhe pse opozita po del kundër investimeve turke?

Nga Ylli Pata

Ka disa vite që opozita ka ndërmarrë një lëvizje të fortë kundër investimeve turke në Shqipëri. Kjo e aeroportit të Vlorës që ndodhi sot, thjesht ka arritur pikën maksimale.

Dashamir Shehi, një nga politikanët më të arsyeshëm të së djathtës ka shpërthyer duke përdorur argumente mw tepwr populiste.

Shehi tha se ishte në parim kundër investimeve turke në Shqipëri, sipas të cilit, “Jam kundër zgjerimit të prezencës turke në Shqipëri. Nuk dua investimeve turke. Nuk duam turbulenca të politikës turke në vendin tonë. Bëni oferta për vendet perëndimore. Kromin, metalurgjinë, shkollat, aeroportet po i marrin turqit”.

Ky është qëndrimi më i fortë dhe më i prerë i së djathtës në Shqipëri në lidhje me marrëdhëniet me Turqinë. Por realisht, kur PD-ja ka qenë në pushtet ka pasur marrëdhënie shumë të mira me Turqinë.

Investimi më i madh në qeverisjen e PD-së në këto marrëdhënie ishte rruga Durrës- Kukës e cila u ndërtua nga korporata turke ENKA në bashkëpunim me korporatën amerikane Bechtel që ndërtoi tunelin e Thirrës.

Investimi i aeroportit të Vlorës është shumë, po shumë më i vogël se vlera e rrugës Durrës- Kukës.

Rruga e Kombit kushtoi 1 miliard euro, të cilat dolën të gjitha nga buxheti i shtetit. Gjysma e tyre madje u morën kredi në banka të nivelit të dytë me një interes prej 8%. Pra me fajde.

Kurse aeroporti i Vlorës kushton 100 milionë euro. Logjika e konçensionit është që turqit ta administrojnë aeroportin të paktën sa të arrijnë një fitim që t’i përligjë investimet e bëra. Këtu nuk ka asgjë të re, pasi aeroporti i Rinasit është sot një konçension.

Prej vitit 2002 deri në vitin 2014 një konsorcium gjerman ka administruar të gjitha të ardhurat nga aeroporti i vetëm i Shqipërisë, Rinasi.

Prej vitit 2014 aeroporti i Rinasit është në pronën e një korporate kineze. Marrëveshja nuk kaloi në parlament, pasi konçensionari gjerman thjesht ja shiti kinezit. Opozita nuk foli as kundër investimeve gjermane e as kineze.

Por ka dy vjet, që me kontratat e dy HEC-eve në Skavicë, PD-ja ka dalë fort kundër investimeve turke. Ndërkohë që në dy rastete e para përmendej kompania, qëndrimi i Dash Shehit sot ka hequr sot çdo dyshim: opozita del en block kundër investimeve turke.

Sot në Ballkan, të gjitha vendet, qoftë edhe Greqia kanë investime të rëndësishme nga kompani turke. Kjo pasi prej mbi 10 vjetësh, korporatat turke nuk janë thjesht firma që operojnë në tregun e vendit të tyre, por aktorë që janë prezent në të gjitha konkurset ndërkombëtare në botë.

Aeroporti i Prishtinës është ndërtuar dhe administrohet nga një kompani e njohur turke si Limak. Në Serbi, Kroaci, Bosnjë, kompani turke dhe banka tregtare nga Turqia operojnë me sukses dhe pa asnjë problem prej vitesh.

E në fakt kapitalizmi si sistem ekonomik nuk i vë fre asnjë lloj investimi, pasi baza është iniciativa e lirë apo interesi që dikush paraqet për të ndërtuar një biznes të rëndësishëm në vend.

Po pse Dash Shehi, në emër të opozitës vendos vija të kuqe vetëm për kompanitë turke? Përse s’e bëjnë për ata të ndonjë nacionaliteti tjetër, greke përshembull apo çfarëdolloj? Cili është interesi i opozitës në kundërshtimin en block të nismave që vijnë nga Turqia.

Duket se e gjithë kjo ka qëllim thjesht të përkohshëm, që të mos lejojë që qeveria e Edi Ramës të përfitojë rritje të investimeve të huaja dhe më pas të krijohen kushtet për ta rrëzuar, pra që PD të fitojë zgjedhjet.

Ja e zëmë se PD-ja i fitoi zgjedhjet dhe vjen në qeveri. Ministri i Jashtëm i qeverisë së Lulzim Bashës, ditën e parë që do të hyjë në zyrë do të telefonojë homologun e tij turk dhe do t’i thotë se “ajo që ne bëmë ishte një lojë politike”.

Nëse ndodh kjo, thjesht kompanitë turke do të ndihen ose të shkurajuara ose të kujdesshshme për të investuar në Shqipëri. Duke krijuar kështu një hapësirë për investimet që vijnë nga shtete të tjera. Dash Shehi ka përmendur sot vendet e Europës Perëndimore.

Në Shqipëri ka ardhur një grup kompanish gjermane që kanë hapur Tirana Buisnes Park pranë Rinasit, që ofrojnë zyra, magazina por edhe facilitete ligjore.

Shumica e klientëve të konsorciumeve gjermane janë subjekte nga Turqia, jo thjesht kompani të mëdha, por edhe individë që duan të hapin fast food-e apo restorante në Tiranë.

Nevzati është një turk me origjinë nga një qytet pranë Detit të Zi, por që shumicën e kohës ka jetuar në Stamboll. Ai para 4 vitesh ka qenë rastësisht në Vlorë, ku rrethanat e sollën që të dashurohet me një vajzë labe safi me të cilën u martua.

Nevzati ka hapur një fast- food ku shet sardele të skuqura apo sanduiç me qofte peshku pranë xhamisë së Dine Hoxhës në rrugën e Kavajës.

Ndërsa shijojmë sardelet e shijshme që Nevzati ngulmon të thotë që janë hallall, ai thotë se hapi biznesin në Tiranë nga një imazh që kishte dëgjuar në Stamboll se në kryeqytetin e Shqipërisë ka një klimë pozitive për turqit.

“Unë jam dhëndër Vlore”, thotë ai për tesheshi.com me një aksent tipik, po tipik lab, (edhe pse jo shumë të rrjedhshëm) “dhe sipas Kushtetutës së Republikës unë jam shtetas shqiptar.

Por di të them një gjë: shqiptarët jo vetëm turqit që s’bëhet fjalë që i mirëpresin, por unë kam takuar shtetas nga Singapori, India, apo Filipine që janë shumë të lumtur që investojnë kursimet e tyre këtu.

Por kjo politikë kam mendimin se do të frikësojë jo ata si unë, por të mëdhenjtë fare. Korporatat janë të ndjeshme…”/ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne