Reflektimi i vendimeve të Gjykatës Speciale në Kosovë

Faik MIFTARI

Gjatë periudhës  së kaluar kohore kemi qenë  dëshmitar të reagimeve të ndryshme  të elitave politike, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve përkitazi me shpalljen e aktgjykimeve  të Tribunalit  të Hagës lidhur me  të akuzuarit për  kryerjen e gjenocidit, krimeve  kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të kryera në hapësirat e ish Jugosllavisë, në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.

Së fundit pamë  edhe skenat tronditëse televizive nga shpallja e aktgjykimit ndaj gjashtë kroatëve të Bosnjës për krimet e kryera të luftës nga Tribunali i Hagës. Ishte tejet tronditëse skena “live”  e  helmimit të gjeneralit kroat Slobodan Praljakut  në mënyrë publike  në gjykatë, gjatë shpalljes së  aktgjykimit nga ana trupit gjykues të Tribunalit të Hagës.

Tash më në mënyrë publike në Republikën e Serbisë priten si heronj të gjykuarit e Tribunalit të Hagës për gjenocid, krimet kundër njerëzimit dhe krimet të luftës. Këtyre të gjykuarve u jepen mirënjohjet, shpallen heronj  dhe veprimet e tyre të kryera  konsiderohen si veprime  patriotike në shërbim të atdheut. Por,  aspak  nuk përmenden krimet e kryera në kundërshtim me konventat ndërkombëtare  të luftës . Këto ditë qarkullojnë në media mendime se duhet të ngritën edhe  shtatoret për nder të gjykuarve të Tribunalit të Hagës. Shpalljet si të pafajshëm  të kriminelëve të supozuar të luftës në anën tjetër krijojnë pakënaqësi dhe reagime të ndryshme në opinionin publik .

Në Republikën e Kroacisë të dënuarit për krime të luftës nga Tribunali i Hagës konsiderohen si viktimë sepse ata kanë mbrojtur integritetin territorial të shtetit të tyre nga agresori serb dhe se veprimet e tyre nuk mund të konsiderohen si  krime lufte meqenëse kanë qenë të imponuara nga pala tjetër, duke harruar se edhe në mesin e tyre ka pas individë të cilët i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe kanë shkelur ligjet e luftës dhe për këtë edhe  janë  gjykuar nga Tribunali i Hagës.

Gjatë këtyre ditëve po ballafaqohemi  në media me këto dukuri dhe duke pas parasysh se këto ditë pritet që të fillojë së vepruari  Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë,  kompetenca e së cilës është të gjykojë krimet e kryera në Kosovë për një periudhë të caktuar kohore(1998-200), është interesant  të shihet se  si do jetë  reagimi i elitave politike , mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Kosovës.

Gjykata   Speciale  e Kosovës me seli në Hagë  e cila do të gjykojë krimet e luftës në Kosovë, është themeluar nën presionin e fuqishëm të faktorit ndërkombëtar,  si të Washingtonit ashtu edhe të Brukselit,  kundër vullnetit të faktorit vendor.

Saktësisht, Gjykata Speciale e Kosovës  u themelua me miratimin e Kuvendit të Kosovës, së pari të ndryshimit  të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës, pas së cilës pasoi edhe aprovimi  i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me 3 gusht të vitit 2015,  me të cilin edhe iu hapën dyert procedurës së  krijimit të Gjykatës Speciale. Edhe pse Gjykata Speciale e Kosovës është themeluar brenda në Kosovë, nga organi  i saj legjislativ, Kuvendi i Kosovës, funksionimi i saj do të jetë jashtë Kosovës, me seli në Hag të Holandës.

Krijimi i kësaj Gjykate  Speciale dhe pajtimi për themelimin e kësaj ishte për shkak të dobësive të vet elitës politike dhe shtetërore kosovare për dështimin e mos krijimit të  një Gjykate vendore  në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila do të merrej me gjykimin e krimeve të supozuara  në Kosovë, sikurse janë themeluar Gjykatat vendore në shtetet tjera të krijuara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, sikurse në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të cilët në një mënyrë apo tjetër gjykuan  një numër të caktuar të përgjegjësve të supozuar që kanë kryer  krime të luftës  në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Veçanërisht është brengosës Ligji për Dhomat e veçanta dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale i miratuar nga Kuvendi i Kosovës  në të cilin ka shumë zbrazëtira të cilët si të tillë lënë të hapur  interpretime të lira të tyre. Sidomos është non sens dispozita e nenit 19 paragrafi 4 i cili parasheh që rregullat e procedurës dhe provat mund të ndryshohen nga gjyqtarët e dhomave në seanca plenare në konsultim me prokurorinë e specializuar. Jashtëzakonisht  është shqetësuese edhe dispozita e nenit 37 që ka të bëjë me prova të paraqitura e cila lejon mundësin që provat të mbledhura nga ndonjë autoritet ose agjenci kombëtare ose ndërkombëtare për zbatimin e ligjit para krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, do të mund të përdoren si provë. Kjo nënkupton se edhe provat e mbledhura nga autoritetet e shtetit të Serbisë mund të përdoren si prova, e para se gjithash shqetëson fakti se këto prova mund të jenë të manipuluara.

Krerët  e caktuar  shtetëror dhe politik të Kosovës  do të duhej të reagonin dhe të mendonin mirë e mirë për pasojat e saja në vitin 2015 me rastin e themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës,  por në vend që të reagojnë atëherë, ata tani  reaguan, duke parë rrezikun nga Gjykata Speciale e Kosovës pasi ishim dëshmitar  të iniciativës  së pasuksesshme për zhbërjen e kësaj Gjykate Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës. Së fundi kjo iniciativë nga ana e Kuvendit iu dërgua  qeverisë së Kosovës që të përgatis projektligjin për ndryshimin apo zhbërjen e Gjykatës Speciale  dhe më pas të procedojë Kuvendit të Kosovës për miratim.

Mirëpo  kërkesat e tilla në këtë moment jo vetëm që rrezikojnë prishjen e raporteve me faktorin ndërkombëtar, ” miqve  tanë që na ndihmuan të krijojmë shtetin e Kosovës” por ekziston edhe rreziku i “zhbërjes së shtetit të Kosovës edhe ashtu akoma me pranim  jo të përfunduar sipas drejtës ndërkombëtare ”.

Në aktualitetin e tanishëm kosovar, me këto veprime të pamatura  ad hock, aty për aty, fitohet bindja se klasa e caktuar politike e cila e ka bërë thirrje  për miratimin e  Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar( të njohur në opinionin e gjerë publik si Gjykata Speciale me seli në Hag)  tani  përpiqet për ndryshimin apo shfuqizimin e  këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës, por këtë  nuk është duke bërë në interes të popullit dhe shtetit kosovar, por për interes  të tyre personal.

Në përmbyllje të këtij vështrimi, do të konludojë se kjo është rrjedhojë e dobësisë dhe shkurtpamësisë politike të krerëve të caktuar politik e shtetëror, pasi që  veprimet  kryesisht i bëjnë në mënyrë stihike, paushale, , aty për aty, duke mos menduar më tutje  se çfarë pasoja do të mund të  sjellin më vonë vendimet e këtilla sikurse që është rasti me Asociacionin, Demarkacionin e së fundmi tani edhe me Gjykatën Speciale të Kosovës. Në fund nuk  mund  e të mos e citojë thënien  e veprimtarit tonë të shquar, bacës Adem Demaqit, e cila korrespondon plotësisht me të cekurat e këtij opinioni të shkruar:

“ Fatkeqësisht ne edhe sot si popull në shumicën e rasteve jemi më shumë të përfshirë nga stihia sesa nga një përparimi si duhet dhe sa duhet. Prandaj sa i takon, dijes, vetëdijes e organizimit si popull ende jemi në bisht të Evropës. Kjo është një e vërtet fortë e hidhur, mirëpo poqese nuk e tejkalojmë edhe më tutje do të mbetemi popull i vonuar”.

 

27.01.2018                                                  

                                                          

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne