Refugjatet/ Ku jane Mikpritja dhe Besa?

Ku vajtën: Mikpritja, zemërgjerësia, besa, njerëzillëku, toleranca e ca cilësi të tjera që ia kemi mbushur mendjen vetes që i kemi me shumicë?

Mes mjegullnajës së përgjithshme informative, ndërthurjes papërgjegjshmërisht të shfrenuar të spekullimeve, hamendësimeve, gënjeshtrave, opinioneve dhe fakteve, është e pamundur të përcaktosh vërtetësinë e pretendimit se Europa i ka kushtëzuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim Shqipërisë në këmbim të pranimit nga kjo e fundi të 600 mijë refugjatëve. Prandaj nuk ia vlen të merresh me saktësinë e lajmit. Ajo me të cilën unë do desha të merresha dhe për ekzistencën e të cilës nuk ka pikë dyshimi, është fryma e shëmtuar e racizmit, egërsia anti-njerëzore, shpirtvogëlsia dhe mungesa e plotë e ndjenjës së mikpritjes që po dëshmojnë haptazi politikanë, gazetarë, analistë dhe përgjithësisht tifozë politikë që shpalosin çdo ditë pikpamjet e tyre pa pikë ndroje në rrjetet sociale e kudo që iu jepet rasti.

Mund të argumentohet që 600 mijë immigrantë janë shumë për një popullsi prej dy milion gjysmë banorësh, për një vend me ekonomi mizerabël, me shifra të frikshme papunësie dhe pa shenja premtuese për të ardhmen. Mund të pretendohet se Shqipëria, me një popullsi relativisht të re, nuk ka nevojë ekonomike për emigrantë, siç kanë shumica e vendeve të Europës Perëndimore. Mund të thuhet, gjithashtu, se përgjegjësinë më të madhe për mbajtjen dhe ndihmën e refugjatëve duhet ta kenë ato vende që e kanë shkaktuar krizën humanitare dhe ekonomike, që i ka detyruar refugjatët të braktisin vendet e tyre, vendet që kanë përfituar drejtpërdrejt ekonomikisht nga këto kriza, në të cilat vështirë se mund të bëjë pjesë Shqipëria.

Por këto arsyetime ose anashkalohen ose injorohen. Mbizotërojnë argumenta që duket sikur kanë dalë drejtpërdrejt nga Mein Kampf-i apo nga Bibla, gjykime të bazuar në përbuzjen për racën dhe fenë e të ardhurve, për statusin e tyre dhe për gjoja mundësinë për të qënë terroristë. Ngado dëgjon e lexon mendime të deformuara nga ksenofobia, urrejtja për të huajt, veçanërisht për ata të huaj që ne i mendojmë sikur janë poshtë nesh dhe që kemi mundësi t’i shkelim me këmbë, ose që na kërkojnë ndihmë dhe ne e kemi në dorë të mos ua japim.

Shqipëria sot ka 2 milion e gjysmë banorë dhe jo 3 milion e gjysmë, pasi një e treta e popullsisë së saj ka emigruar– është shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Një e treta e popullsisë së vendit janë larguar dhe, në një farë mënyre, janë mikpritur në vende të tjerë të botës– pa ua mohuar të drejtën e emigrimit ngaqë kanë qënë katolikë, ortodoksë, muslimanë, bektashinj, ateistë, komunistë, socialistë, apo fashistë. Pjesa më e madhe e tyre punojnë dhe dërgojnë, në forma dhe mënyra të ndryshme, ndihmesën e tyre në Shqipëri. Shumë biznese sot në Shqipëri janë fryt i ndihmesës së drejtpërdrejtë financiare të emigrantëve, fryt i njohurive të tyre profesionale, përvojave të punës, shkollimit dhe diplomave të fituara në vende të tjera dhe në kurriz të ekonomive të atyre vendeve. Mbi një milion emigrantë shqiptarë i kanë krijuar mundësi atyre që s’kanë emigruar që të kenë më shumë shanse punësimi, më pak konkurrencë, më tepër rast për të ecur. Shkurt, Shqipëria është vend që këto 30 vjetët e fundit ka përfituar nga emigracioni. Jo, jo thjesht ka përfituar- ka përfituar jashtë mase. Kanë përfituar të gjithë – ata që kanë emigruar dhe ata që kanë ndenjur në Shqipëri, ata që janë kthyer dhe ata që nuk janë kthyer.

Normalisht, një popull që ka përfituar kaq shumë nga emigracioni dhe që mburret nga mëngjesi deri në darkë me traditat e mikpritjes pritej të tregohej pak më zemërgjerë me rastin që i jepet për të ndihmuar njerëz të tjerë nevojtarë, hallexhinj, të detyruar të lenë vendet e tyre nga lufta ose varfëria ekstreme. Por jo shqiptarët. Shqiptarët, me sa duket e kanë harxhuar gjithë arsenalin e mikpritjes së tyre me turistët nga Europa Veriore, që i kanë xhepat plot me euro. Për refugjatët që kërkojnë strehë pa ofruar para ka vetëm përbuzje, fyerje, neveri, urrejtje.

Normalisht një popull që mburret se ka arritur harmoninë më të përsosur midis komuniteteve fetare nuk duhej të shqetësohej për përkatësinë fetare të atyre që i trokasin në derë. Por jo shqiptarët. Shqiptarët janë të shqetësuar se këta 600 mijë që rrezikojnë t’i hyjnë në shtëpi janë muslimanë dhe kanë për t’i ndërruar kulturën thellësisht “të krishterë” kombit të tyre. Shqiptarët, që po t’i pyesësh se çfarë feje kanë të përgjigjen pa u menduar se janë 70 përqind muslimanë, 20 përqind ortodoksë dhe 10 përqind katolikë, ndihen keq se ata që po iu trokasin në derë janë muslimanë. Dhe muslimanët janë terroristë. Shqiptarët, që s’ka dy javë që kanë marrë vesh që një nga krerët e ISIS është bashkatdhetari i tyre, kanë frikë se mos sirianët do t’iu sjellin ISIS-in në Shqipëri. Shqiptarët janë gati të mirëpresin vetëm anglo- saksonë protestantë ose katolikë me xhepat plot.

Normalisht një popull që është përzjerë historikisht me helenë, romakë, bullgarë, serbë, turq, grekë, italianë, gotë e fizigotë, keltë, vikingë dhe katalonjas, fenikas, rusë, armenë e persianë nuk duhet ta kishte shumë problem ruajtjen e pastërtisë racore. Po jo shqiptarët. Shqiptarët i kanë mbushur mendjen vetes që vijnë të papërzjerë etnikisht drejtpërdrejt nga Eva dhe Adami, nga perënditë e Olimpit, ose nga faraonët e Egjiptit dhe se të tjerët, që nuk dihet nga e kanë origjinën, duhen mbajtur sa më larg kufijve. Ata mirëpresin vetëm racë të pastër arjane, nga ajo që kishte ndërmend të krijonte Hitleri.

Nuk di ç’të mendosh më parë kur sheh gjithë atë vrer që derdhet kundër imigrantëve, kundër refugjatëve në mediat dhe rrjetet sociale shqiptare. A thua është faji i pompimit ultranacionalist që iu është lënë në dorë folkloristëve me parrullat stadiumore “Oh sa mirë me ken shqiptar”? Apo është pasojë e edukimit (ose mungesës së tij) që ushqen gënjeshtra dhe budallallëqe mbi prejardhjen super të lashtë atlantiko- pellazgjiko- ilire? Apo ndoshta propagandimi i superioritetit të kombit, mbështetur në origjinën gjoja shqiptare të thuajse gjithë figurave të ndritura të historisë dhe aktualitetit, na ka bërë të ndihemi sikur jemi më të mirë se të tjerët?

Mund të jenë shumë shkaqe. Një gjë mund të konstatohet pa vështirësi– ne e kemi humbur ndjenjën e njerëzillëkut, ndjenjën e shpirtmadhësisë dhe dëshirës për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ndjenjën e mikpriptjes dhe të besës. Them e kemi humbur sepse as unë vetë nuk heq dorë nga fiksimi që dikur edhe mund ta kemi pasur. Ndoshta jam gabim.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne