Rekord shpenzimesh nga klubet e futbollit në “Premier League”: 430 milionë stërlina

Klubet e futbollit në “Premier League” (Angli) kanë shpenzuar një shifër rekord prej 430 milionë stërlinash (490 milionë euro) gjatë merkatos së janarit, sipas një studimi të institutit “Deloitte”, publikuar të enjten.

Shuma e shpenzuar është dyfishuar në raport me rekordin e mëparshëm prej 225 milionë stërlinash (256 milionë euro), ndërkohë që 150 milionë stërlina (172 milionë euro) janë shpenzuar ditën e fundit të merkatos, më datë 31 janar.

Në total, “Deloitte” thekson se klubet në “Premier League” kanë shpenzuar 1,9 miliardë stërlina (2,17 miliardë euro) në transfertat e këtij sezoni duke kaluar rekordin e sezonit të mëparshëm (1,4 miliardë stërlina).

Merkatoja e dimrit, që përfshin përgjithësisht ekipe në fund të renditjes që përpiqen të riforcohen për të shmangur përjashtimin, dominohet këtë herë nga “Gjashtë të Mëdhatë” (Big Six): Manchester City, Manchester United, Arsenal, Chelsea, Tottenham dhe Liverpool. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne