Replika të ashpra mes Erdoganit dhe Netanjahut/ Presidenti turk i bën thirrje të fortë botës islame

Një “luftë” deklaratash në “Twitter” ka nisur mes Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, pas zhvendosjes së Ambasadës Amerikane në Jerusalem dhe vrasjeve të protestuesve palestinezë nga ushtria izraelite.

Turqia u ka bërë thirrje të gjitha vendeve islamike që të bashkohen kundër Izraelit, në një samit të thirrur pas dhunës në Rripin e Gazës nga ku u vranë mbi 60 palestinezë, shumë prej tyre nga municione reale të përdorura nga izraelitët, në protestat dyditore pas hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem.

Presidenti Erdogan thirri samitin e jashtëzakonshëm të organit kryesor pan-islamik në botë, Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), ndërkohë që u përfshi në shkëmbim të ashpër deklaratash në “Twitter” me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Erdogan tha se takimi në Stamboll të premten do t’i japë një mesazh shumë të fortë botës mbi kauzën palestineze, ndërkohë që Kryeministri turk, Binali Yildirim, u ka bërë thirrje vendeve islamike të rishikojnë lidhjet e tyre me Izraelin.

Pasi Erdogan e quajti Izraelin një shtet terrori, Netanjahu u përgjigj se “Erdogan është mes mbështetësve më të mëdhenj të Hamas dhe nuk ka dyshim se ai e kupton terrorin dhe masakrën. I sugjeroj të mos na predikojë moral neve”, shkroi ai.

Erdogan përdori personalisht “Twitter” për t’u përgjigjur, duke e quajtur Netanjahun: “Kryeministri i një shteti aparteid që ka pushtuar tokën e një populli të pambrojtur prej më shumë se 60 vitesh, në shkelje të rezolutave të OKB-së. Ai ka gjakun e palestinezëve në duart e tij dhe nuk mund ta mbulojë atë duke akuzuar Turqinë. Doni një leksion mbi humanizmin? Lexoni 10 urdhëresat”, shkruhej në mesazhin e Erdogan. Që me nisjen e protestave të Hamas më 30 mars, janë vrarë më shumë 110 palestinezë. Një seancë e Këshillit të Sigurimit nisi me një minutë heshtje për viktimat palestineze. Dhuna është përshkallëzuar me hapjen e Ambasadës Amerikane në Jerusalem, pasi Presidenti Trump e ka quajtur atë kryeqytetin e Izraelit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne