REPLIKË ME ÇDO GJË TË SHKRUAR TË MINISTRIT ENVER HOXHAJ

Vedat Xhymshiti

Javën e kaluar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, botoi në New York Times një shkrim të titulluar “Kosova ndjen dorën e rëndë të Rusisë, nëpërmjet Serbisë”. Dëshira e tij për të përdorur mënyra që të gjejë një rrugë për të përparuar në karrierën e tij diplomatike është e kuptueshme, por si një qytetar i Kosovës në mërgim (i detyruar të largohem nga Kosova për shkak të konfliktit profesional me të njëjtën qeveri që ai përfaqëson) mendoj se fjalët e tij në shkronja janë hipokrite në një ekstrem të veçantë dhe të karakterit të qeverisë që ai e përfaqëson, pasi thuajse në çdo rresht mungon integriteti moral i asaj përmbajtjeje.

Meqë po i afrohemi Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, vlerësoj se duhet t’ia kujtoj publikut vendor e ndërkombëtar si dhe vetë ministrit Hoxhaj se më shumë se 8 njerëz që kanë qenë duke shërbyer si personel i medieve në Kosovën e pasluftës janë vrarë (disa prej tyre thuhet se kanë vdekur në rrethana të dyshimta) gjatë dekadës së fundit në Kosovë. Asnjë nga autorët e vrasjeve nuk janë gjetur ndonjëherë dhe askush nuk është përballur me drejtësinë për këto krime.

Enver Hoxhaj përfaqëson një qeveri që në vend të ligjit, preferon drejtësinë e të fortëve; në vend të respektit dhe progresit preferon zhvleftësimin dhe regresin; një qeveri që në vend të investimit në arsim dhe krijimin e më shumë mundësive të jetës për qytetarët e saj, preferon t’i detyrojë qytetarët e saj të largohen nga vendi dhe të ofrojë një të ardhme të pasigurt. Në këtë mënyrë, shumë qytetarë u mbytën në lumenjtë e Hungarisë, siç na e kujtuan pamjet që vinin nga brigjet bregdetare të Turqisë me refugjatët sirianë si foshnja Alan Kurdi etj.

Sa për shënim, dua t’ua rikujtoj se qeveria që e perfaqëson Enver Hoxhaj është përgjegjëse për krijimin e rrethanave detyruese për qytetarët e vet siç ishte edhe rasti i 9 anëtarëve të një familjeje kosovare që u gjetën si mbeturina njerëzore në lumin Tisa të Hungarisë, të cilët kishin humbur jetën duke u përpjekur për t’i shpëtuar mjerimit të shkaktuar nga Enver Hoxhaj dhe politikanët e tjerë shokë të tij. Heshtja ndaj një shkrimi hipokritik të ministrit Hoxhaj dhe veprimtarisë politike të qeverisë që ai e përfaqëson do të nënkuptonte falje ndaj veprimeve të tyre të dëmshme tash e 17 vjet. Heshtja jonë mbase edhe do t’i bind individët dhe grupet politike si ai – se ajo çfarë po bëjnë ata është e drejtë dhe jo e sanksionuar nga qytetarët, sepse qytetarët po heshtin, ose heshtja e tyre është e diktuar nga parti që luajnë lojën e të qenit opozitë, por që në fakt janë aty për ta shpëtuar pozitën nga çdo rrezik i përmbytjes tash e 12 vjet.

Ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj, shkruan në lidhje me demokracinë dhe liritë në vend, qeveria e të cilit ka dështuar për të ofruar detyrimet e saj kushtetuese ndaj qytetarëve të saj, duke vjedhur mundësitë e tyre të jetës për shkak të veprimeve të politikanëve nga të gjitha partitë, të udhëhequr nga partia në pushtet PDK e presidentit Hashim Thaçi, i cili është akuzuar nga Këshilli Evropian për kriminalitet e korrupsion, deri në shkallën e krimeve të luftës.

Ministri Hoxhaj, me të drejtë mund të kritikojë mënyrën se si Moska zyrtare e qeveris Rusinë, por ai i shërben tash a më shumë se një dekadë PDK-së, e cila parti ka krijuar së bashku me disa grupe më të vogla – fronte për çfarë në thelb njihen si sindikatat e krimit të cilat bashkëveprojnë në baza klanore nëpërmjet sistemit të ‘Kanunit’. Dhe pavarësisht nga të gjitha këto prova të kriminalitetit, Hoxhaj ende beson se ai mund të marrë nderime të larta morale në politikë. Gjykuar nga përmbajtja e këtij shkrimi mendimesh të Ministrit Hoxhaj, duket sikur ai beson se kutërbimi i korrupsionit dhe hipokrizisë së tij dhe veprimet e dëmshme të ndërmarra nga qeveria e tij nuk do të kuptohen, por duket se e ka gabim.

A duhet të shqetësohemi për Rusinë? Unë pajtohem që po, sepse çfarëdo që të ndodhë në lagje është mjaft afër që ajo të ndodhë në shtëpi. Mirëpo, ne pyesim a është shtëpia jonë e pastër, sidomos duke e ditur suksesin e pafund të karrierës së shumicës së udhëheqësisë politike të Prishtinës zyrtare në krimin e organizuar dhe korrupsion? Dukshëm shtëpia jonë kutërbon qelbët nga fundërrinat e krimit të organizuar gjë që nuk janë asgjë më mirë ose më keq se ç’do të parapëlqenin ata të kritikonin tjetrin, siç na paraqiten tani me ‘hygjyme’ në drejtim të Moskës, apo “mbase duke fajësuar Beogradin” edhe atëhere kur aktivisti politik i cili kundërshtonte politikat e tyre kriminale u gjet i vdekur në rrethana të dyshuara në burgun e po kësaj qeverie demokratike që e përfaqëson Ministri Hoxhaj!

Mjaft interesante, protesta e Hoxhajt në artikullin e tij është për demokracinë, por ai nuk duket të jetë duke menduar në mënyrë demokratike kur është fjala për atë se çfarë qytetarët e një vendi tjetër demokratikisht kanë zgjedhur. Hoxhaj përpiqet t’i përmbahet në mënyrë tipike stilit të politikës së jashtme të oligarkëve të Uashingtonit, mentaliteti i të cilëve qëndron në formulën: “Nëse ju nuk e zgjidhni atë që ne duam, atëhere ne do ta zgjedhim për ju!”, siç është rasti me Kosovën. Demokracia dhe liria për SHBA-të nënkupton (të paktën nga përvoja jonë!) detyrimi i kombeve të tjera të jetojnë nën pushtete diktatoriale dhe kriminale siç është përsëri rasti me Kosovën apo edhe rasti me Arabinë Saudite dhe dhjetëra shembuj të tjerë, të cilët kanë shkaktuar që SHBA-të të shihen me të drejtë si kërcënuesit numër një të paqes në botë, por edhe siguruesit e saj.

Nëse zgjedhja e Serbisë është të mbetet me Rusinë, le të mbetet! Unë do të preferoja që ai të përqëndrohej në një politikë që me të vërtetë do ta ndihmonte Kosovën dhe të përpiqet që me fqinjët të ndërveprohet për interes të përbashkët të shoqërisë, taksat e të cilit mendohet se kanë mandatin për t’i administruar dhe jo për t’i vjedhur dhe për të ndërtuar politika vepruese, qoftë në interes të Moskës ose Uashingtonit – të dy këto administrata oligarkësh që nxinë jetët e popujve të vegjël në numër kudo që të dy kryeqendrat kanë ndikimin ose mundësinë! Pastaj, kjo qasje e ministrit nuk ka të bëjë aspak me një politikë të jashtme të Kosovës, pasi ai mbron interesin e një shteti të huaj, i cili zbaton një politikë krejtësisht të njëanshme egoiste duke injoruar plotësisht interesin e qytetarëve në vend. Ministri tutje shkruan i shqetësuar se Rusia është duke e bërë armatosjen e Serbisë, dhe njëkohësisht i referohet SHBA-ve si vend aleat, por janë po këta aleatë që nuk po e lejojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës pa ndryshime kushtetuese. Janë pikërisht SHBA-të që mbajnë një bazë ushtarake në Kosovë në kuadër të një marrëveshje tekniko-ushtarake me forcat serbe të Jugosllavisë që nga viti ’99 – atëhere kur shokët e tij nga PDK uzurponin prona në emër të UÇK-së duke i dorëzuar armët e bërë lloj-lloj marrëveshjesh deri tek dorëzimi i Veriut të vendit sot e 17 vjet!

U shqetësua apo jo ministri, Serbia është një fuqi e vërtetë në Ballkan, ajo ka politikën e vet të jashtme dhe të brendshme dhe ajo luan një politikë interesante diplomatike ku përveç përfitimeve nga Rusia, ata përfitojnë edhe nga SHBA-të dhe BE – dhe kjo është ajo që dikush mund ta quaj një kënaqësi e përfitimeve në trekëndëshin e fuqisë politike ndërkombëtare.

Duam ta pranojmë ne apo jo, për shkak të përpjekjeve serioze të diplomacisë serbe, Kosova ende mbetet vend brenda sovranitetit të brendshëm të politikës në Beograd, pasi politikanët si Enver Hoxhaj dhe të tjerët në Prishtinë nuk po i bëjnë detyrat e shtëpisë, dhe për pasojë Kosova vazhdon të thellohet në mjerim e varfëri, shkallë të ulët të edukimit dhe cilësisë jetësore për qytetarët e vendit, deri tek fakti ku është e pamohueshme se është vendi më i izoluari në kontinentin evropian dhe për më tepër, pavarësisht pse Serbia e ka mirëmbajtur tregimin politik se Kosova është territor i saj, disi aleatët që Prishtina zyrtare pretendon të jenë të saj siç janë BE-ja dhe SHBA-të e kanë ofruar Serbinë më afër vetës ose të paktën kështu duken gjërat në terren gjykuar nga fakti që unë si një qytetar i Kosovës duhet të pres me javë për një vizë hyrëse në vendet e BE-së dhe jo ai i Serbisë. Kjo po ndodh pavarësisht pse një prej kritereve për të hyrë në BE është edhe lufta kundër korrupsionit, veprimtari kjo e bujshme që i karakterizon dy qeveritë në Evropën juglindore atë në Prishtinë të ministrit Hoxhaj si dhe atë në Beograd, por kjo e fundit po përparon si pasojë e mbështetjes nga aleatët e deklaruar të ministrit.

Ndoshta Ministri duhet të përpiqet në hartimin e një politike të jashtme që i përgjigjet interesave të atyre që e paguajnë atë, në vend se të harxhon kohë të mendohet dhe të shkruan i shqetësuar për interesat e një qeverie oligarkësh në Uashington apo asaj në Moskë.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, ministri flet për Kosovën e pavarur, por ai këndshëm kundërshton veten e tij kur e konfirmon një tregim tjetër, të cilin politika e Prishtinës zyrtare sikur nuk guxon ta pranojë para qytetarëve të Kosovës. Në paragrafin 9 të artikullit të botuar, ministri shkruan: “Serbia mban agjencitë paralele ilegale që i shërbejnë serbët brenda territorit të Kosovës, duke dëmtuar sovranitetin e brendshëm dhe duke penguar integrimin e serbëve të Kosovës.” Ky tregim mohohet nga qeveria në Prishtinë tash e disa vjet kur ata flasin e shkruajnë shqip. Ata madje gjithnjë ua kujtojnë qytetarëve të Kosovës se vendi është i pavarur dhe integriteti territorial është duke shijuar një strehë të sigurt duke u ruajtur nga SHBA-të dhe aleatët e NATO-s.

Ministri Hoxhaj përpiqet ta akuzojë Serbinë që ka bërë detyrat e shtëpisë duke shkruar se vendi fqinj “… promovoi ndërtimin e një muri në Mitrovicë, për të ndarë fizikisht qytetin verior të përzier me popullsi përgjatë vijave etnike;” dhe po në këtë kartë ai përpiqet ta paraqes fitimtare qeverinë e Kosovës duke shkruar se: “… pengesa u hoq më në fund me këmbënguljen e qeverisë së Kosovës.” Por, Ministri duket se ka harruar që Serbia ka arritur suksesshëm ta ndajë Bregun Verior përtej urës së Ibrit që nga viti 1999, dhe që nga qershori i vitit 2000 me sukses ka dëbuar më shumë se njëmbëdhjetë mijë familje shqiptare. Dhe kjo ka ndodhur para syve të trupave paqëruajtëse të NATO-s mandati i të cilëve ishte i shkruar dhe propaganduar se do të ofrojnë sigurinë për të gjithë pa dallim, dhe jo vetëm serbëve të kontrolluar nga Beogradi. Eksodi i shqiptarëve vazhdon edhe sot pikërisht pse njerëzit dhe grupet që janë të instaluar në qeverinë që e përfaqëson ministri Hoxhaj nuk i kanë bërë detyrat e shtëpisë, në vend të kësaj ata tash e 17 vjet kanë qenë të zënë duke keqpërdorur paranë publike, kërcënuar aktivistët politikë deri në rrethana kur ata janë gjetur të vrarë në burg, ose janë ekzekutuar derisa po shkonin në punë. Veriu është i ndarë thellësisht në vija etnike, por atje është Beogradi i cili armatos, furnizon dhe mirëmban me logjistikë serbët, derisa Prishtina belbëzon në konferenca për media e shkrime hipokrite, e në të njejtën kohë kontrabandon armë, drogë, njerëz dhe të mira të tjera materiale që shkojnë në xhepat e interesit të grupeve kriminale që i raportojnë kryeparlamentarit Kadri Veseli, Presidentit Hashim Thaçi, Kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrave të tjerë të lidhur e ndërlidhur me grupe ndërvepruese ilegale siç pohojnë shumë raporte të shërbimeve ndërkombëtare të sigurisë, spiunazhit dhe atyre që merren me mbledhjen dhe analizën e informatave inteligjente. E shqiptarët janë të braktisur, të pashpresë dhe të pafuqishëm për shkak se udhëheqja e administratës publike në Prishtinë janë një grup banditësh, por jo politikanë.

Hipokrizia arrin kulmin kur ministri në paragrafin 16, shprehet me fjalët: “Siguria në rajonin tonë nuk mund të garantohet nga valëvitja e forcës ushtarake duke i futur në grackë vendet e vogla. Ajo mund të garantohet vetëm me një angazhim të përbashkët për integrimin Euro-Atlantik dhe paqen demokratike.”

Po ku janë aleatët e ministrit, ku janë Shtetet e Bashkuara për të garantuar integrimin e vendit të tij? Pastaj, si mund të kërkohet integrim i përbashkët me një shtet i cili mban nën kontroll territorin e tij dhe sfidon çdo lëvizje politike të Prishtinës zyrtare, në qoftë se ata kanë bërë ndonjëherë ndonjë të tillë. Sigurisht, unë nuk dua të mohoj se Prishtina ishte përpjekur për të rimarrë kontrollin në kufirin verior të Kosovës, duke përdorur policinë kundër një personeli të trajnuar ushtarakisht, të armatosur dhe të përgatitur nga Beogradi, i cili për 17 vjet nuk ka hezituar që jo vetëm t’i vrasë zyrtarët policorë të Kosovës dhe ata ndërkombëtarë, por këto grupe të armatosura seperatiste nuk hezituan edhe t’i zhveshnin, çarmatosin dhe gjunjëzonin personelin policor të Prishtinës zyrtare duke i turpëruar ata me kokë në tokë. Ndërkohë Ministri dhe gjuha e tij e shkruar luan lojën e një politike të jashtme që qëndron njëanshëm pranë SHBA-së, pa kërkuar nga ata veprime konkrete dhe kushtëzime të kuptimit të përparimeve ose ngecjeve të interesave të tyre gjeostrategjike në interes të vendit.

Në paragrafin 18 të këtij tregimi të mahnitshëm, ministri i paguar nga paratë e qytetarëve që i kanë varfëruar në Kosovë, vazhdon mendimin e tij në shkronja në një qëndrim tjetër hipokrit duke e luajtur lojën e viktimës mjerane: “Pavarësisht këtyre kërcënimeve, Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është mënyra për të nxitur bashkëpunimin e dy vendeve sovrane duke arritur drejt integrimeve euroatlantike dhe përmirësimin e jetës së popujve të tyre.”

Unë mund të pajtohem se kjo është rruga, por nuk mund të ketë rrugë të tilla kur Beogradi nuk e konsideron palë Prishtinën. Pastaj, është një shtet brenda të cilit kufi territorial mbetet Kosova sot e 17 vjet si pasojë e politikës së gabuar të politikanëve në Prishtinë. Serbët, janë të armatosur mirë dhe kanë fuqi të sovranitetit të brendshëm politik mbi territorin në të cilin qeveria e Ministrit Hoxhaj ka një mandat të përkohshëm administraiv. Politika në Prishtinë, ia ka dhënë fuqinë Beogradit zyrtar që të mirëmbajë marëdhënie të mira diplomatike me BE-në dhe SHBA-të, dy mekanizma të fuqishëm të politikës ‘perëndimore’. Ironia vazhdon kur ministri përfundon shkrimin e tij në pikën 20, duke shkruar se: “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë investuar në promovimin e demokracisë, rindërtimin dhe sigurinë njerëzore, ndërsa Rusia investon në promovimin e autoritarizmit, shkatërrimit dhe pasigurisë së njerëzve.”

Mbase mund të pajtohemi me mendimin e shkruar të ministrit, mirëpo për dallim nga Prishtina që kontrollohet nga Uashingtoni dhe Brukseli, Beogradi zyrtar paraqitet i ndikuar nga Moska duke shkaktuar kështu një ndikim në politikën e Brukselit dhe Uashingtonit zyrtarë, për të ruajtur interesat e Beogradit në Kosovë dhe rajon. Pastaj, në fakt pavarësisht kontrollit të plotë nga Uashingtoni dhe Brukseli, Kosova ende mbetet ndyrësisht e korruptuar, renditet në vijën më të keqe të indeksit të lirisë së shtypit, si dhe është konfirmuar nga shumë organizata të besueshme ndërkombëtare përfshirë “Freedom House” me seli në Uashington, se vendi është një gjysmë-autoritar dhe se liritë njerëzore, civile dhe ato politike janë të cunguara.

HISTORIKU: E ngjeshur në mes të Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë, Kosova është vendi më i varfër dhe më i izoluar në Evropë; me gati gjysmën e popullsisë të papunësuar dhe me korrupsionin e përhapur kudo; me kontroll pothuajse të plotë politik të ushtruar nga zyrat e huaja diplomatike të vendeve perëndimore të udhëhequra nga SHBA-të gati gjysma e vlerësuar e një-pikë-tetë milionë qytetarëve të Kosovës janë konsideruar të jetojnë në varfëri.

Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare janë akuzuar ose linçuar shpesh për “tradhëti” – “simpatizantë serbë” ose “spiunë”. Mediet, që nuk bëjnë pjesë në mbrojtjen e interesave të ngushta qofshin ato qeveritare apo partiake, mund t’i nënshtrohen frikësimit në formën e inspektimeve financiare ose tatimore, vlerësojnë Reporterët Pa Kufij me seli në Paris.

Derisa Kushtetuta e Kosovës dhe kuadri ligjor sigurojnë lirinë e shprehjes dhe të shtypit, ambienti i medieve në Kosovë vazhdon të ndikohet nga ndërhyrjet politike, korrupsioni dhe presioni financiar. Mungesa konkrete e vullnetit të personelit mediatik në vend dhe ajo e mbështetjes ndërkombëtare për zbatimin e neneve ligjore, është seriozisht duke e penguar çdo përpjekje apo qëllim për të përmirësuar demokracinë dhe mbrojtur të drejtat njerëzore, politike e civile në vendin më të izoluar në Evropë të rrethuar me kodra e male. Forcat ndërkombëtare civile, politike, policore, të drejtësisë dhe ushtarake, kanë dështuar të sigurojnë liritë njerëzore, civile, politike dhe lirinë e lëvizjes [kujto ‘Bregun Verior’ të Kosovë!] për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët institucionalë, politikë e civilë në vendin e ndikuar dhe kontrolluar nga Perëndimi tash e 17 vjet.

Vetë ministri Hoxhaj i ka bërë thirrje qytetarëve të varfëruar të Kosovës për t’iu përgjigjur pretendimeve për të ndihmuar çështjen siriane për liri për të marrë armët dhe për ta luftuar udhëheqjen e Presidentit të Sirisë Bashar al-Assad. Qeveria që përfaqëson Hoxhaj ka marrë pjesë në rrëmbimin e përpjekjeve paqësore për liri të popullit të Sirisë, e cila përpjekje u kthye në një gjakderdhje vëllavrasëse të një kombi si pasojë e ndërhyrjeve të huaja në të cilat dukshëm është përfshirë Prishtina zyrtare. Kjo tragjedi po vazhdon tash e shtatë vjet me civilët sirianë (që refuzuan të merrnin pjesë në lojërat e huaja) të braktisur nëpër rrugët e boshatisura të Evropës. Në një përpjekje për të parandaluar zbulimin e pasojave të një politike të gabuar të jashtme që ndoqi Prishtina zyrtare nga viti 2011 – në raport me Sirinë, qeveria që përfaqëson Enver Hoxhaj i kërcënoi dhe dënoi me burg qytetarët e saj të cilët mendonin të ktheheshin në vend pasi refuzonin të luftonin përkrah grupeve të armatosura terroriste të mbështetura me logjistikë nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe Turqia. Shumë prej qytetarëve iu kishin përgjigjur thirrjeve të Ministrit Hoxhaj e disa prej tyre thirrjeve të deleguara nëpërmjet autoriteteve të fshehura të sigurisë në vend, të cilat kishin vendosur të bashkërendoheshin me interesat e politikës së jashtme (të disa vendeve!) perëndimore për zgjerim dhe rikthim në Lindje të Mesme.

Në mes të dhjetorit 2014 dhe shkurtit 2015, një numër i konsiderueshëm i popullsisë në mënyrë masive u detyrua të largohej nga vendi në një përpjekje për të gjetur një jetë më të mirë, qoftë përmes studimeve apo punës më dinjitoze, nëpër rrugët e pasigurta drejt vendeve të pasura të BE-së.

Nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dështuar të zbatojë kushtetutën e saj të plotë si një Republikë e Pavarur. Përpjekja e Bashkimit Evropian për të ndikuar përmiërsimin e gjendjes së cilësisë së jetës për qytetarët në vend ka dështuar theksueshëm, pasi zyrtarët gjyqësorë të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në vend, janë gjetur të përfshirë si pjesëmarrës në të njëjtën rrjetë të krimit të organizuar që kishin mandat për të parandaluar përmes bashkëpunimit me autoritetet lokale.

Krejt kjo dhe shkrimi hipokrit i Ministrit Enver Hoxhaj, nuk do të mund të më jep një përshtypje se qeveria që ai e përfaqëson është ndonjë pak më e mirë se ajo autoritariste në Moskë, apo tjetra në Beograd.

Territori i mbyllur i Kosovës është i pasur për nga natyra, por nuk duket të ketë ndonjë dritë në fund të tunelit … dhe dëshmitë më japin përshtypjen se sikur Siria, Kosova është viktimë e lojërave që shfaqin afatet kohore dhe distancat gjeografike larg përtej horizonteve të menjëhershme, sikur një kafaz i projektuar nga fuqitë e huaja dhe i zbatuar nga ato vendase./ thefrontliner

Vedat Xhymshiti, është gazetar i pavarur hulumtues, kritik i medieve të shkruara dhe ligjërues i etikës së medias dhe fotografisë në Londër.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne