Replikë me një sofist

/Klodi Leka/

Me një shkrim te gazeta gjysmëpornografike “Mapo”, “filozofi” kryesor i saj, njëfarë Ervis Iljazaj, jep kushtrimin për të privatizuar ujin, arsimin, shëndetësinë dhe shumë të drejta të tjera bazike. Arsyeja përse po i shkruaj këto rreshta nuk është për t’i mbushur mendjen dikujt që do të mbushë xhepat, por për të treguar ca fakte historike dhe kontekstuale ndaj një kllouni që endet nga ekrani në ekran me porositë e pronarit në gojë. Ja ç’thotë për ujin, arsimin dhe shëndetin:

“Këto shërbime për sa kohë do të vazhdojnë të jenë në menaxhimin shtetëror nuk të do kenë asnjëherë një menaxhim që të sigurojë efikasitetin e kërkuar nga qytetarët, pasi dihet, që për gjënë publike nuk kujdeset askush.Kështu që, shpenzimet e larta nga paratë publike dhe mungesa e shërbimeve do të vazhdojë të jetë një problem i përhershëm.”

Gënjeshtër! Pretendimi se shërbimet e ofruara dhe menaxhuara nga shteti sjellin humbje të mëdha buxhetore është bërë një gënjeshtër e rëndomtë ideologjike. Le të marrim për bazë tri kompani kryesore. 1. Ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve: Po t’u hedhim një sy bilanceve të tri viteve të fundit të saj, shihet se kjo ndërmarrje  po kalon ditë të mira sa i përket qëndrueshmërisë dhe fitimeve. Në vitin 2016, arkëtimet e saj arritën në 21.5 milion euro, me një fitim prej 5 milion eurosh. Trendi vazhdon të jetë në rritje. 2.  OSSHE:Gjatë vitit 2015 kjo kompani udhëhiqte në rankimin e kompanive private e publike sa i përket masës së fitimit, me rreth 130 milion euro. 3. Posta Shqiptare: Një kompani me shërbime shembullore, bilanc të përmirësuar dhe modernizim në praktikat e punës. Në një banke mund të presësh me orë në radhë, ndërsa në sportelet e postës mbaron punë për çerek ore. Posta shqiptare ka filiale kudo në Shqipëri, në qyteza dhe katunde, me një force që nuk e ka asnjë bankë dhe kompani tjetër, sado e fuqishme qoftë financiarisht. Ja tri shembuj të mara nga puna e institucioneve tona, që gjithsesi nuk janë për t’u lavdëruar.

“Shteti shqiptar ka demonstruar se këto shërbime nuk arrin dot t’i ofrojë. Ka lokalitete në Shqipëri, përtej Tiranës, ku taksat paguhen dhe shërbimet nuk ofrohen.”

Krijimi i një administrate të mbushur me njerëz të paaftë e të korruptuar të partive në pushtet, që abuzojnë dhe nuk menaxhojnë burimet, nuk është argument për t’i privatizuar ato. Argument është të shporrësh pikërisht këta njerëz. Fundja, a nuk i mbron Iljazaj pushtetin dhe njerëzit e tij?! Madje, universiteti ku punon zotëria në fjalë, ky qortues i korrupsionit dhe inefiçencës shtetërore, është debitor me 1.3 milion lekë tek Ujësjellësi dhe me gjasë nuk e vë ujin në zjarr për shkak të lidhjeve klienteliste me pushtetin, të cilit i është bërë leve dhe i cili i është bërë levë. Të mos përmendim pastaj dallaveret e mirënjohura me reformën klienteliste të arsimit.

“Për t’u kthyer te dy shqetësimet kryesore që shkaktoi ky qëndrim, uji, shëndetësia, energjia dhe arsimi nuk janë pjesë natyrore e shtetit dhe, si të tilla mund të ofrohen fare mirë dhe nga agjencitë private dhe kjo është më se normale në shoqërinë e hapur ku jetojmë sot.”

Nuk janë pjesë natyrore e shtetit? Po të kujt janë?! A mund të ketë shtet pa ujë, pa spitale, pa rrymë elektrike dhe mbi të gjitha pa arsim? Mund të ketë pyll, por jo shtet! Kontrolli mbi burimet e ujit ka qenë jetik për çdo shtet. Kërkimi i burimeve të reja ujore dhe vënia nën kontroll e tyre ka qenë historikisht përcaktues për fatin e paqes dhe luftës. Pastaj, arsimi. Në librin “Komunitete imagjinare” të Benedikt Andersonit, por edhe në shumë vepra tjera, trajtohet fakti se popullarizimi i arsimit dhe karakteri publik i tij kanë përbërë kushtin themelor të lindjes dhe modernizimit të shtet-kombeve, duke thyer monopolin kishtar e monarkist të dijes. Si të ishte eunuk oborri, Iljazaj përtyp po atë çorbë obskurantiste të flakur tej para dyqind e ca viteve.

Sa për “agjencitë private të shoqërive të hapura” të cilat mund të “ofrojnë fare mirë” shërbimet e ujit, le të sjellim ndër mend privatizimin e famshëm të ujit në Bolivi nga Bechtel-Enka. Efekt i saj ishte ajo që u quajt e ujit në Koçabamba, një qytet i zakonshëm bolivian, ku rroga bazë e qytetarit s’i kalonte 100 dollarët në muaj dhe njerëzit, përveçse iu duhej të paguanin 20 dollarë faturë ujore, e kishin të ndaluar të hapnin puse dhe të grumbullonin ujin e shiut. Pati protesta dhe ballafaqime të ashpra me forca të shumta policore që më në fund populli të fitonte atë që quhet “e drejta e ujit”. Uji është e drejtë, nevojë jetike, jo mall për t’u tregtuar. Pa ujë, s’ka jetë. Kaq gjë e di edhe një kërmill pa tru. Por për një  çilist që gjithashtu lëpihet dhe supozohet të ketë ndopak tru, rëndësi kanë paratë, pa njerëzit në djall të venë.

“Nga të gjitha teoritë e shtetformimit, ajo që mbizotëron është shteti si kontratë sociale. Sipas kësaj teorie që u përhap më së shumti nga liberalët e shekullit të 17-të dhe të 18-të, që iu kundërvunë shtetit absolut, arsyeja se përse shteti u formua ishte fakti se njerëzit në gjendjen natyrore të tyre, nuk kishin siguri për jetën dhe nuk kishte një arbitër që të jepte drejtësi në konfliktet e mundshme.”

Oooo ç’dhimbje koke! S’kam lexuar kurrë një frazë më të ngatërruar dhe injorante se kjo. I fut në një thes monarkistët me liberalët, Hobsin me Rusoin, të dreqin me të birin. Pra, arsyeja përse liberalët i qenkan kundërvënë shtetit autoritar është se ai nuk ishte mjaftueshëm autoritar për të vënë në kontroll njerëzit, këto kafshë të dhunshme ëëë?! Domethënë, gjithë lufta dhe teoritë iluministe që gjenin te njeriu vetinë e mirë të arsyes dhe humanizmit, paskan qenë gënjeshtra historike? Arsyeja përse një pjesë e mirë e mendimtarëve liberalë dhe radikalë iu kundërvunë shtetit absolut ishte mungesa e lirisë politike, fakti se monarkët jetonin në luks të skajshëm dhe njerëzit vdisnin urie nëpër gjirize. Po të duam të shtrihemi në bazën klasore të këtyre ideve, mund të themi edhe se idetë e mësipërme shërbyen  për të sjellë në pushtet borgjezinë që, ndryshe nga borgjezia uetëiste, pavarësisht karakterit shfrytëzues, diktoi ndërtimin e industrisë dhe ekspansionin produktiv dhe nuk e kish’ mendjen njëzetekatër-në-njëzetekatër të zhvaste buxhetin e shtetit. Po kështu, pretendimi se shteti nuk është gjë tjetër veçse monopol dhune, pa detyrime tjera veç policisë dhe gjykatës, është një konceptim që çon drejt  barbarisë, ngaqë i jep fund atyre strukturave sociale që garantojnë paqen dhe sigurinë midis qytetarëve.  Po nejse, s’ka gjë! Filozofët uetëistë, siç bëri Henri Çili para ca ditësh në mbrojtje të jokompetencës historike të Muç Nanos, e kanë për krenari të flasin broçkulla për të zaptuar emisionet e mbrëmjes.

Ne fund, pasi i jep shkelmin çdo të drejte a shërbimi bazik social dhe flak njerëzit në ferrin e kalkulimeve të kërkesë-ofertës, Iljazaj na thotë se shteti duhet t’i mbrojë shtresat në nevojë përmes kompensimeve sociale që të kenë akses në këto tregje, pra në ujë, shëndet, arsim – për të cilat arsyeton si një skllavopronar i mëshirshëm. Ajo që zotëria nuk kupton është se, së pari, shpronësimi i qytetarëve prej ujit dhe arsimit nuk prek vetëm shtresat në nevojë ulëritëse, por të gjithë të varfrit dhe shtresën e mesme të ulët, me një fjalë shumicën dërrmuese të popullsisë. T’i kompensosh të gjithë këta, s’ka kuptim rritja e çmimit të ujit. Së dyti, skema e thatë e kërkesë-ofertës ka çuar kudo në një situatë ku ka ofertë, por s’ka kërkesë. Për t’u shprehur jashtë zhargonit ekonomik, ka kërkesë si dëshirë për të mira bazike si arsimi e shëndetësia, por nuk ka para. Pra krizë. Së treti, ka një kontradiktë mes tezës së tij për të privatizuar shërbimet dhe për të kompensuar shtresat në nevojë. Përveç lojërave burokratike dhe spastrimit të listave nga njerëzit në nevojë, siç ka ngjarë rëndomë me qeverinë e tanishme, modeli ekonomik i privatizimit total është shoqëruar gjithnjë me shkurtimin e shpenzimeve sociale, çka quhet neoliberalizëm, ku shteti është vetëm i drurit e jo i kujdesit, ashtu siç e dëshiron Iljazaj.

Në fund fare: “Normalisht, isha i ndërgjegjshëm që shkrimi do shkaktonte debate pasi, çështja është shumë e ndjeshme dhe kemi të bëjmë me shërbime thelbësore ndaj qytetarëve. Aq më tepër, kur një qëndrim i tillë shkon kundër frymës populiste, humanizmit fals që nuk zgjidh asnjë gjë dhe puniste që ekziston në një pjesë të shoqërisë shqiptare.”

Në fakt, ky shkrim është një paçavure për të cilën bien dakord të gjithë shërbëtorët e qeverisë dhe biznesit. Mendimi neoliberal është dominues këtejpari dhe ka okupuar çdo shqisë shoqërore. Mendimi i Iljazajt është thjesht i dalë boje dhe kushedi i porositur nga pronari i tij, siç ndodh rëndomtë në kësi rastesh, që Henri të ketë mundësi të ngrejë spitale private me para publike, siç bëri dhe bën me UET-në. Projektimi i çdo të drejte dhe shërbimi social si “punizëm” që ushqen korrupsionin dhe përtacinë është vetja që çilistët shikojnë te të tjerët. Mirëpo në ka abuzues me të mirën publike, në ka dembelë që këtej betohen në shenjtërinë e tregut dhe andej i bazojnë fitimet e tyre te ndërhyrja shtetërore, në ka njerëz që suksesin e kanë ngritur mbi lëpirje ndaj çdo qeverie kriminale, këta janë Henri Çili dhe shpura e tij. Shpresoj se do të jetë e afërt dita kur kjo shpurë të mbetet një kujtim i ndyrë mbi të tashmen e bërë të djeshme të pazarit dhe derrave të kënaqur që e pandehin veten Sokratë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne