Reportazh me nordikët në Golem, mes parajsës dhe purgatorit

Golemi, në vitin e dytë të shkëlqimit. Reportazh për “lulëzimin” turistik të kësaj zone që, për herë të parë, është bërë destinacion i nordikëve, të cilët mbërritën më 11 maj. Përshtypjet për hotelet, ushqimin, shqiptarët dhe Shqipërinë. Çfarë u ka tërhequr më shumë vëmendjen dhe a do të kthehen sërish? Kontrasti mes hoteleve dhe infrastrukturës skandaloze

Nga Nertila Maho

Një “Aperol Spritz” në krah të mbajtëses së çadrës, një krem me SPF 30 dhe një libër. Pirjo Laaksonen, së bashku me bashkëshortin, të dy në pension, kanë vetëm katër ditë që kanë ardhur me një charter nga Finlanda, për të nisur pushimet e tyre të para të këtij viti, me det dhe rërë. Kanë zgjedhur zonën e Golemit dhe janë turistët nordikë që ngrenë siparin e sezonit turistik që për herë të parë çelet kaq herët, më 11 maj. Do të qëndrojnë një javë në Shqipëri dhe kanë vendosur që gjatë këtyre ditëve të vizitojnë edhe disa pika turistike të paracaktuara nga agjencia, ndërkohë që janë vendosur në Fafa Resort. Moti nuk ka qenë edhe aq në favorin e tyre, pasi shiu nuk ka munguar ditë pas dite, edhe pse me intervale të shkurta, por duket se për ta nuk përbën problem.

“Ofertën për në Shqipëri e gjetëm nga interneti. Sigurisht që hymë dhe lexuam se çfarë thuhej për vendin tuaj. Vitin e kaluar ishim në Mal të Zi dhe aty patëm një përvojë të këndshme, kështu që thamë pse jo? Pse të mos e provojmë edhe Shqipërinë. Dhe u bë! Deri më tani çdo gjë duket mirë. Ushqimi dhe hoteli janë shumë mirë. Kemi qëndruar përgjithësisht këtu brenda, por mbrëmë (të hënën) vendosëm që të dilnim në Durrës. Është pak problem se rruga përpara hotelit nuk ka ndriçim dhe ndoshta ju e patë që është duke u punuar. Durrësi ishte një qytet i këndshëm, por i rrëmujshëm sa i përket trafikut”, shprehet Pirjo kur e pyesim për përshtypjet e saj për Shqipërinë.

Kur e pyesim nëse do t’ia sugjeronte një miku apo mikeje që të vizitonin Shqipërinë heziton pak fillimisht, por me buzëqeshje, na përgjigjet: Pse jo? Përshtypja e përgjithshme është pozitive, edhe pse kemi ende punë për të bërë. Dy shezlongë më tutje, një tjetër çift që po ndiqte me kuriozitet bisedën me pushuesit nga Finlanda. Randi dhe bashkëshorti i saj janë nga Norvegjia. Kanë ardhur në Shqipëri po të shtunën në mbrëmje (11 maj) dhe do të qëndrojnë 14 ditë.

“Erdhëm të shtunën në darkë dhe nuk kemi pasur mundësi të dalim shumë. Madje kemi parë fare pak edhe rrugës nga aeroporti në hotel, pasi ishte natë dhe nuk mund të shihnim qartë. Hoteli ka kushte shumë të mira dhe ushqimi është shumë i mirë. Jemi befasuar nga Shqipëria”, shprehet Randi. Bashkëshorti i saj shton se Shqipërinë e kishte dëgjuar të lakohej shpesh për të kaluarën e saj në komunizëm.
“E kishim dëgjuar përgjithësisht për periudhën e komunizmit, pasi këto janë edhe informacionet që kemi lexuar apo parë më së shumti. Por nga ajo periudhë shohim se nuk ka mbetur asgjë. Është shumë interesant zhvillimi që ka marrë Shqipëria dhe mënyra sesi ka ndryshuar, të paktën nga ajo që perceptonim ne se do të gjenim këtu”, – pohon ai. Por cilat janë gjërat që i kanë mbetur në mendje?

“Kur zbritëm në aeroport u bë një ceremoni mirëseardhje dhe aty ishin disa të rinj e të reja të veshura me kostume tradicionale. Ishin shumë të bukura, më pëlqyen shumë, pasi shprehin autenticitet dhe veçanti. E dyta që më bëri përshtypje, makinat. Ju keni makina shumë të bukura dhe të shtrenjta, kjo ishte diçka befasuese. Pastaj vetë shqiptarët duken një popull shumë miqësor”, – shprehet Randi.

Kur vjen puna tek gjërat që sheh me rezervë, duket se përsëritet i njëjti refren për të cilin edhe tur-operatorët shprehin shqetësim. Infrastruktura! (Dhe ta mendosh që për këtë përshtypje ka mjaftuar “aventura” në autostradën Tiranë-Durrës, dhe një rrugicë para hotelit në Golem).
Të dy janë të kënaqur në përgjithësi me zgjedhjen e tyre për të vizituar Shqipërinë dhe shprehen se mund të kthehen sërish.

“Djali ynë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga fotot që i kemi dërguar të hotelit dhe peizazheve është befasuar. Për të ka qenë sugjerimi i parë që kemi bërë, por edhe tek miqtë tanë do ta sugjeronim Shqipërinë si një destinacion pushimesh. Herën tjetër, nëse do të vijmë, duam që të vizitojmë Jugun, kemi dëgjuar që është shumë i bukur, por edhe për turizëm kulturor kemi kureshtje”, – pohojnë njëzëri duke nënkuptuar kuriozitetin për atë çka mund të shohin nga e kaluara jo vetëm e periudhës së komunizmit.

Hotelet e nisin mbarë, problem gjetja e stafit të kualifikuar

Fafa Resot dhe Prestige Resort janë të parët që kanë pritur grupin e turistëve të parë nordikë. Secili prej tyre ka të paktën 100 pushues norvegjezë dhe finlandezë. Preferencat e tyre të rezervimit kanë qenë kryesisht për Bed and Breakfast (shtrat dhe mëngjes) ose fjetje me dy vatke (mëngjesi dhe darka) dhe koha varion nga 7 në 14 ditë.

“Kemi një grup turistësh nordikë që kanë ardhur dhe po pushojnë prej disa ditësh, por nuk janë pushuesit e vetëm. Kemi gjithashtu 70 studentë holandezë. Puna e vërtetë fillon nga 1 qershori kur hoteli është tërësisht i prenotuar me kontrata paraprake. Problemi që hasim sot, më së shumti lidhet me gjetjen e stafit të kualifikuar.

Sot që flasim, hoteli ka 176 të punësuar, por me zgjerimin dhe hapjen e hotelit të ri, numri do të arrijë në 400. Kjo besoj do të jetë edhe çështja që do të na duhet të zgjidhim, pasi nuk ka punonjës të kualifikuar me gjuhë të huaja. Po tentojmë ta gjejmë stafin nga shkollat në Durrës”, na shpjegon një nga menaxherët e Fafa Resort.
Blerim Norja, menaxher i Prestige Resort në zonën e Golemit, konfirmon të njëjtën situatë.

“Aktualisht kemi turistët nordikë që kanë ardhur. Kanë paguar për Bed and Breakfast (shtrat dhe mëngjes) por edhe drekën apo darkën kanë preferuar t’i konsumojnë brenda resortit me një pagesë suplementare që është vetëm për ta. Ne jemi munduar të alternojmë kuzhinën shqiptare dhe italiane, duke synuar që t’u përshtatemi shijeve apo kërkesave të tyre. Të paktën nga ushqimi dhe hoteli, mesa kemi parë, kanë përshtypje pozitive. Për pjesën jashtë hotelit, nuk mund të themi që është më e mira. Ka punime ende të papërfunduara dhe trotuaret janë lënë në mes”, – shprehet Norja.

Ai nënvizon se, aktualisht, resorti ofron 150 dhoma për akomodim nga të cilat 86 janë vila dy dhe trekatëshe, të cilat janë të rezervuara deri më 3 tetor. “Tani më së shumti vjen mosha e tretë pra nga maji deri 15 qershor, më pas ka interes edhe nga të rinjtë. Duke qenë se edhe vitin tjetër ne kemi të rezervuar hotelin me kontrata të parapaguara po nga nordikët, po negociojmë me agjencinë Apollo (agjencia që ka sjellë nordikët në Shqipëri) që të na asistojnë për një “brand name” (markë), kjo sepse synojmë që të zgjerojmë kapacitetet tona. Deri në vitin 2020, ne synojmë që të kemi 620 dhoma si resort. Tek hapësira e re që po ndërtohet janë planifikuar që të dedikohen dy kate me hapësirë 1300 metra katrorë, si zonë e veçantë për palestër, SPA”, – shprehet Norja.

Argëtimi? Muzika live, kërcim latin si pjesë të paketës

Edhe pse turistët nordikë nuk kanë shumë kohë në Shqipëri, stafet e hoteleve ku janë vendosur, kanë kuptuar tashmë tipologjinë apo profilin e këtij turisti. Janë të sjellshëm, buzëqeshin, të qartë në kërkesat e tyre dhe paguajnë mirë. Dhe mesa duket ky është edhe turisti që ata preferojnë të kenë. Por ky turist që konsiderohet tek grupi elitar ka kërkesat e tij për pushimet që i ofron. Çmimi është një ndër elementet që përzgjedh, por jo vendimtari. Paketa jote e plotë, mbi atë që i ofron, është ajo që luan rolin kyç. Por çfarë i ofrohet sot turistit nga hotelet? Të dy menaxherët e hoteleve që pyetëm na dhanë të njëjtën “menu”.

Muzika live si opsion i parë dhe kërcime latine apo ftesa për grupe folklorike si opsion i dytë. “Po mundohemi që të gjejmë këngëtarë live që, përveçse krijojnë atmosferë të njohin disi edhe muzikën nga janë turistët që ne kemi në hotel. Të gjitha këto ne i ofrojmë si pjesë e paketës së hotelit, sepse nuk mund të vendosim një kosto shtesë për pushuesit, për të mos lënë shijen e hidhur që po u ngarkohet diçka që duhet ta merrnin pa pagesë. Këngëtarët apo grupet që ofrojnë muzikë tradicionale po mundohemi që t’i sigurojmë me çmime të arsyeshme”, shprehet Norja nga Presitge Resort.

Tur-operatorët: Turistët të kënaqur me hotelet, por shteti s’ka bërë detyrat e tij

Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë Happy Tours, u shpreh se tashmë që nordikët kanë mbërritur, vëmendja kryesore e tur-operatorëve është fokusuar tek ofrimi i një pakete sa më të plotë. “Ne kemi marrë përshtypje pozitive nga turistët e parë që kanë ardhur.

Por është ajo që e kemi thënë edhe më parë. Për hotelet dhe ushqimin ata nuk kanë ndonjë ankesë, sepse gjithçka është ndjekur hap pas hapi nga grupet e inspektimit dhe nuk presin surpriza të pakëndshme. Rezerva e tyre më e madhe është infrastruktura, mbetjet e këto problemet e tjera që ne i kemi thënë shumë herë. Në çdo takim i kemi përsëritur.

Qeveritë vetë i kanë pranuar, i hedhin në letër, bëjnë strategji, e cilësojnë turizmin si prioritet por vetëm kaq. Situata vijon të mbetet e njëjtë. Ka një kontrast të theksuar mes asaj që ofron privati dhe asaj që ofron pjesa publike”, – shprehet Kasa.
Gjithsesi, ai është optimist se përshtypjet e para do të jenë të mira dhe kjo, edhe falë një axhende të menduar nga fillimi në fund në detaj nga agjencitë për ta bërë sa më të larmishëm ditën e turistëve.

“I kemi çuar në Berat dhe Krujë dhe përshtypjet e tyre janë pozitive. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë edhe me pjesën e giudave, madje duke ditur që këta turistë janë një kategori që edhe paguan mirë për shërbimin që merr, është rritur edhe konkurrenca”, – shprehet Kasa.
Ai njofton se nga 1 qershori, numri i nordikëve që do të vizitojnë Shqipërinë do të rritet dhe janë planifikuar çdo javë charter. Ndërkohë, polakët dhe çekët nuk janë një kontingjent i përjashtuar, ata vijojnë të jenë të pranishëm përmes rezervimeve dhe bashkëpunimit që tur-operatorët kanë me agjencinë Itaka, që po i sjell, ashtu sikurse vitin e kaluar.

Nga parajsa e investimeve private, në purgatorin e qeverisë

Rruga që të çon për tek Fafa Resort dhe Prestige Resort ka një pamje që nuk përcjell asnjë pritshmëri pozitive, madje, po të mos e njihje Golemin nuk mund ta imagjinoje se pas këtyre maleve me dhe, kantierit të ndërtimit me makineri të braktisura ka hotele dhe det.

Rruga nga hyrja e Prestige Resort e deri te pishat e buta ka përfunduar vetëm me hedhjen e asfaltit, që nga sa na informojnë është vetëm shtresa e parë dhe hedhja e shtresave të tjera do të bëhet në një moment të dytë. Në të dyja anët e rrugës gjen grumbuj me gurë, mungesë totale të ndriçimit, trotuare të pashtruar, kabllo të nxjerra mbi tokë. Ecja e makinave duhet thënë se është lehtësuar me asfaltin e ri, por ajo e njerëzve nuk duket, kurse pamja që ofrohet nuk është ajo tipikja e këndshme e një oazi pushimesh.

Pak më sipër nga hyrja e Prestige Resort e deri te dalja në rrugën dytësore të Golemit të shoqërojnë disa male dheu, hekurishte të rreshtuara në anë të një kanali gjigant dhe një armatë me makineri ku vetëm njëra është në punë. Janë vetëm dy punëtorë, njëri që hedh gurë mbi mjet dhe tjetri i cili është shoferi. Kjo pamje është edhe treguesi kryesor pse punimet e veprave publike zgjasin në pafundësi. Mjaft që krahasimin ta bësh me punën që po bënte vetëm disa metra më tutje një subjekt privat, i cili po rregullonte pjesën e jashtme të hotelit,

Gjithçka është e ndarë si me thikë. Brenda mjediseve që ofrojnë hotelet në zonën e Golemit, pushuesi mund të gjejë një copëz parajse, ku do të kalojë disa ditë të këndshme, jashtë atyre mureve kalon menjëherë në purgatorin publik për të cilin duhet të kujdeset pushteti vendor e ai qendror. Në rastin më të mirë, turistët tregohen mirëkuptues kur dëgjojnë zhurmat apo hasin në infrastrukturë të munguar. Në rastin më të keq, neglizhenca e shtetit mund të minojë nismat private duke ju rrezikuar biznesin.

Ndërkohë e gjithë rruga dytësore e Golemit është në një gjendje problematike. Prania vend e pavend e mbeturinave, parkimet e gabuara në anë të rrugës, ndërhyrjet e jashtëligjshme nuk përbëjnë më diçka të re. Por këtij kolori sa vijnë dhe i shtohen gropat që ndoshta me shumë pak punë mund të ishin kursyer.

E pastaj nëse turistët do të duan të vijnë në Tiranë vlen shprehja “Ardhsh shëndoshë”. Kjo sepse autostrada Tiranë-Durrës, ashtu sikurse është përsëritur pafund, është një rrezik potencial ku ecja aventuriere e disa mjeteve luksoze është e keqja më e vogël. Gropat e reja nëpër të dyja korsitë janë ato që duhet të kesh kujdes. Deklaratat e bëra pak muaj më parë paralajmëronin se ndoshta nga maji do të kishte një lajm të mirë për këtë rrugë. Por kur këtij muaji i kanë mbetur më pak se 10 ditë, gjasat janë që lajmi i mirë të vonojë edhe pak më shumë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne