Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Kryeministri Ramush Haradinaj mund të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit, edhe pse mban postin e shefit të ekzekutivit, nëse Serbia nuk e tërheq fletarrestin kundër tij që e ka dërguar në Interpol.

Duke e rikujtuar arrestimin e tij në Francë më herët gjatë këtij viti, Reuters, duke u thirrur në diplomatët perëndimorë në Prishtinë dhe zyrtarët vendës, shkruan se Haradinaj mund të arrestohet gjatë vizitave jashtë shtetit nëse Serbia nuk e deaktivizon fletarrestin.

Një vizitë e Kryeministrit Haradinaj në Bruksel javën e ardhshme, e dyta që prej se Haradinaj ka marrë postin e Kryeministrit, do të jetë testi i radhës, sipas Reuters.

“Diplomatët perëndimorë në Prishtinë, si dhe zyrtarë të lartë vendës, druajnë se Haradinaj mund të arrestohet nëse ai udhëton jashtë vendit në vizita zyrtare nëse fletarresti nuk tërhiqet” shkruan agjencia botërore.

“Kjo nuk i kontribuon dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, sovrane dhe fqinje dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” citon Reuters Halil Matoshin Këshilltarin e Ramush Haradinajt.

“Krijimi i listave dhe akuzimi i njerëzve me dëshmi false i takon kohëve të errëta të Serbisë së Serbisë së Millosheviqit” ka thënë Matoshi.

Kjo agjenci rikujton se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Prishtina është duke dërguar në mënyrë konstante kërkesa që Interpoli ta largojë emrin e tij nga paralajmërimi i kuq, por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh”, i ka thënë Reeutersit një zyrtar i lartë kosovar.

“Këto janë akuza të motivuara politikisht, por secili zyrtar policor në pikë kufitare do ta shohë emrin e tij me parlajmërimin e kuq dhe është obligim i tij që ta respektojë atë”, ka shtuar zyrtari i lartë kosovar i cili ka folur për Reuters në kushte anonimiteti.

Po ashtu agjencia citon edhe një diplomat perëndimor i cili ka thënë se një zgjidhje e shpejtë duhet të gjendet. “Kjo është diçka e pakuptimtë”, ka thënë diplomati./ Express

138