Rikandidimi i Veliaj brënda kafazit kryeqytetas

Nga Redi Shehu

Me rikandidimin zyrtar të z.Veliaj për Bashkinë e Tiranës, u vulos përfundimisht filozofia e vazhdimësisë në të bërit e gjërave në kryeqytetin shqiptar. Pra, me pak fjalë, historia e stilit të zhvillimit urban të kryeqytetit këto dekada, u poq me historinë e shijes personale të liderit politik dhe u shndërruan në historinë e kulturës urbane tonën, e cila vërtitet brenda një kaosi të organizuar estetikisht. Ta ndryshosh atë që po ndodh me hapësirën urbane në Shqipëri, është një iniciativë që sillet në kufijtë e surreales. Është e vështirë të vizatosh bukur në një letër të bardhë, imagjino sikur të jesh i detyruar të vizatosh të bukurën mbi një letër të shkarravitur se sa e pamundur është. Kështu, edhe tentativat për të përmirësuar arkitekturën urbane tonën, janë të ngjashme me përpjekjet e atij që është i detyruar të vizatojë të bukurën mbi një shkarravinë

Profesori Emeritus i Long Island University, Arnold Berleant, thoshte se fillimet e kulturës së ndërtimit, shfaqen herët, kur njeriu në lidhjet e tij me ambientin natyror filloi të transformonte peizazhin e virgjër nga natyrë në qendra urbane. Njerëzit filluan ta transformojnë peizazhin duke e kthyer atë ne një produkt njerëzor, në një “njerëzazh” ku autor ishte njeriu, një soj peizazhi natyror me autor njeriun, një pejsazh i stilit dhe i shijes, i cili filloi të zëvendësojë gjithmonë e më tepër atë natyror.

Ndërveprimi i shoqërisë moderne shqiptare me arkitekturën e saj, ka qenë dhe është një ndër ekuacionet më të vështira për t’u kuptuar, pa le pastaj, për t’u zgjidhur. Ndërkohë që ky ndërveprim në vende të standartizuara, ka bërë që raporti i qytetit me qytetarin të jetë në një harmoni aksiologjike të atillë, sa të ndërtojë më pas një qytetërim të pajisur me aftësi ekspozuese, duke influencuar vende dhe rajone të tëra. Vështirësia e ekuacionit tonë urbanistik, fillon që me premisën e një shoqërie si kjo e jona, e cila në situatën e degradimit të autoriteteve lokale në kontrollin e urbanizimit të vendit , është kthyer në një sh.p.k-shoqëri. Një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar deri në limitet e vetjakes, ku secili imponon normat e veta urbane dhe konceptin e tij për estetikën. Kryebashkiakët tanë, e patën të vështië ta kuptonim se arkitektura nuk është thjesht ndërtime në një ambient, por më së shumti ajo konsiston në krijimin e një ambienti të ndërtuar në harmoni me tingujt, aromat dhe ajrin në mushkritë tona.

Formimi i arkitekturës së qyteteve bëhet jo vetëm duke vlerësuar të shkuarën dhe të tashmen e zhvillimeve urbane, por mbi të gjitha edhe duke përcaktuar perspektivën e së ardhmes. Si pasojë e faktorëvë dinamikë dhe statikë, kryeqyteti ka shkëputur deri në zvenitje të shkuarën e tij arkitekturore, jeton në të tashmen kaotike dhe nuk di të thotë diçka për të ardhmen e vet urbane në kuptimin e të pranuarit për të krijuar një të mirë të përbashkët kolektive. Arkitektë dhe urbanistë shqiptarë kanë theksuar se ne nuk kemi arritur akoma fazën e zhvillimit të një urbanizimi të mirëfilltë në Shqipëri, sepse akoma sorollatemi brënda asaj që quhet ndërtimtari. Që ndërtimtaria jonë të kalojë caqet e saj dhe të transformohen në një sens të arkitekturës urbane, mendoj se duhen hedhur hapa të rëndësishëm drejt dy nocioneve thelbësore me ndikim direkt në ambientin social, siç janë; një estetikë kolektive konsensuale dhe një etikë kolektive natyrale.

Në Shqipëri, më saktë në kryeqytetin shqiptar, raporti mes pejsazhit dhe “njerëzazh”-it, ka kaluar në kalvarin e sfidave tona historike dhe raportet mes tyre janë luhatur në varësi të kulturës dominate e cila impononte historinë e stilit dhe shijes së vet. Ajo që mund të thuhet është se forma më domethënëse e kaosit urban u plotësua pikërisht kur babëzia e politikës dhe biznesit tonë, iu turrën pjesës së mbetur të pejsazhit natyror këto dekadat e fudit, e cila i kishte shpëtuar bjerrjes së ndërtimtarisë komuniste, duke e kthyer atë në një shkarravinë, në një ekuacion arkitekturior pa zgjidhje dhe pa shpresë. Pasoja e gjithë kësaj, është fakti i të ekzistuarit të qyteteve e sidomos kryeqytetit tonë në formatin e “të jetuarit fërkueshëm”. Ne jetojmë fërkueshëm me njëri-tjetrin, sepse gjeometrizimi i hapësirës urbane nuk u bë mbi kriteret etike të asaj çka është e mirë dhe e drejtë publike, por mbi disa etika të çuditshme individuale të padronëve lokalë.

Mandati i parë i z. Veliaj si kryetar i Bashkisë së Tiranës, u karakterizua nga përpjekja për të mbrojtur pejsazhin me një formë të re “njerëzazh”-i. Pra, pejsazhi duhej të ekzistonte në rrethina, në atë që ai preferon ta quajë “pyllin orbitat”, duke mbjellë pemë dhe gjelbërim, ndërkohë që qyteti si pylli i ndërtimtarisë tonë, duhej vazhdimisht të mbillej nga kulla të larta të njëpasnjëshme, të cilat raportin e peizazhit qytetas e zvogëlojnë gjithnjë e më shumë në favor të “njerëzazh”-it politiko-ekonomik, i mbushur me specie njerëzore që gjallojnë pa shpresë, pa aroma, pa tingujt dhe ajrin që normalisht duhej t’i shijonin. Pra, Veliaj edhe pse me intensitet më të lartë të punëve publike, nuk arrti të dilte nga ndërtimtaria drejt një arkitekture urbane me raporte të mirëpërcaktuara pejzash-“njerëzazh”, por u shfaq si simbol i vazhdimësisë së asaj që thjesht kishte ndodhur në Shqipëri.

Sot, mundesh që njerëzve t’u krijosh mundësi për t’u ushqyer mirë, por nëse i heq, aromën, tingujt dhe ajrin, hapësirën që i takon, ata kthehen në kavie sociale për t’u ricikluar politikisht sa herë që del nevoja. Të jetuarit kërkueshëm dhe mungesa e hapësirës jetike për qytetarin, rëndon të gjitha format e patologjive dhe gjendjeve sociale. John B. Calhoun,një shkencëtar amerikan i specializuar në kërkime rreth sjelljeve sociale dhe i njohur për studimet e tija mbi dendësinë e popullsive dhe efektet e tyre, bën një eksperiment për të treguar ndikimet negative të dendësisë në një shoqëri. Ai merr një numër të konsiderueshëm minjsh laboratori dhe i vendos brenda një hapësire të ngushtë e të kufizuar. Ndërkohë, kujdeset që furnizimet me ujë dhe ushqime si dhe të gjitha shërbimet e nevojshme të mos u mungojnë për asnjë çast. Megjithëse asgjë nuk u mungoi minjve, Calhoun vërejti shfaqje të sjelljeve agresive mes tyre, vdekshmëri të lartë foshnjore tek minjtë, kanibalizëm me njëri-tjetrin, sjellje deviante seksuale dhe tërheqje totale nga jeta kolektive e minjve dhe mbyllje në vetvete, si pasojë e ngushtimit të hapësirës.

Eksperimenti i Calhoun, është treguesi më domethënës i faktit se si arkitektura ndikon në sjellje. E në fakt, është më se e vërtetë që densiteti i lartë i ndërtimit duke mos respektuar hapësirat gjeometrike urbane, rrit ndjenjën e vetmisë duke sjellë mbylljen e individit. Fakti që ne jetojmë kaq afër njëri-tjetrit, do të linte përshtypjen e një jete më kolektive, por në fakt, densiteti i lartë i ndërtimit, jep efektin e kundërt, atë që edhe pse jemi ngjitur jetojmë gjithmonë e më larg me tjetrin, sepse ambient ynë në ndërtim nuk është një ambienti i ndërtuar, nuk takohet me pritshmërinë sociale ku simptomat e minjve kanë pak ndryshim me simptomat e individëve të shoqërisë shqiptare me densitet të lartë ndërtimi.

Veliaj, ka filluar mobilizimin e tij për të kërkuar një mandat të dytë si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Vepra dhe fjala kanë qenë përherë kundërshtaret më të mëdha në këtë mjedisin tonë politik. E mira sociale dhe drejtësia, janë parime të instaluara përmes institucionesh të konsoliduara të cilat nuk lejojnë abuzivizmin, korrupsionin, tahminë, interesin imediat, të shkatërrojnë përfundimisht të përbashkëtën. Nuk kemi dëgjuar një zgjidhje nga ana tij se si mendon ta zhbëjë dëmin e madh arkitekuror që i është bërë këtij qyteti. Ne as nuk mund ta kuptojmë se si një ithtar i vazhdimësisë së stilit dhe shijes urbane, të fshijë shkarravinën dhe të vizatojë të bukurën. Po ashtu, nuk mund ta kuptojmë se si mund ta zgjidhe çështjen duke ia ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën “minjve” të tij kryeqytetas.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne