Rikthimi i vizave me Shqipërinë, debat i fortë në parlamentin holandez: Dhunë, krime e trafik nga mafia shqiptare

Mafia shqiptare në Holandë duket se po i hap telashe të mëdha politikës në Shqipëri, por edhe asaj në Kosovë.

Ditën e enjte, në Parlamentin holandez është zhvilluar një debat i ashpër ndërmjet deputetëve të partive ekstremiste të djathta dhe përfaqësuesve të qeverisë holandeze, ku kanë kërkuar rikthimin e vizave për Shqipërinë.

Deputetja e Partisë CDA në Holandë, Madeleine Van Toorenburg, ka mbajtur një fjalë të gjatë në foltoren e Kuvendit holandez, ku ka ngritur si shqetësim rritjen e kriminalitetit në Holandë që nga viti 2010, kur Shqipërisë iu hoqën vizat për të udhëtuar në BE. Ajo kërkoi nga Parlamenti që të ushtrojë presion, që çështja e vizave më Shqipërinë të jetë pjesë e raportit të Komisionit Europian që do të dalë në fund të muajit.

“Kriminelët shqiptarë veprojnë nga apartamente mira në Roterdam, në mënyrë që të mos dalin jashtë. Prandaj, ky është një problem serioz. Që nga heqja e kërkesës për viza në vitin 2010, krimi i organizuar shqiptar është bërë shumë i madh dhe shumë i rrezikshëm në Europën Perëndimore. Vështrimi i ngadalshëm nuk është më opsion. Dhe le të mos injorojmë atë: dy ministra kanë shkuar në Shqipëri javët e kaluara për të folur për problemet. Pra, ata e njohin këtë problem, kjo është e qartë. Ne mendojmë se shumë shpejt duhet të ketë një kërkesë për rikthimin e vizave për shqiptarët, derisa Shqipëria t’i ketë punët e saj të rregulluara. Dhe sigurisht që jemi kuriozë për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Unë e kuptoj se do të shfaqet në fund të majit. Por ne, ndërkohë, le të bëjmë çdo përpjekje për ta bërë atë efektiv në frenimin e emergjencës”, është shprehur deputetja holandeze.

Deputeti i Partisë tjetër, PVV, Sietse Fritsman, ishte më radikal në qëndrimin e tij. Ai e quajti një gabim heqjen e vizave për Shqipërinë, duke theksuar se nga ky gabim duhet të reflektojmë edhe me Kosovën për të mos ia hequr vizat.

“President, ne tani kemi të bëjmë me një mafie të re në Holandë dhe kjo është mafia shqiptare. Krimet e rënda, shumë dhunë, trafik droge në shkallë të gjerë, dominohen gjithnjë e më shumë nga bandat shqiptare. Dhe kjo valë e krimit nuk është rastësi. Siç thashë më parë, fatkeqësisht nuk është rasti që BE-ja po mëson nga gabimet, pasi pas kësaj vale kriminaliteti nga Shqipëria, tani do të ketë një përjashtim për viza për banorët e Kosovës”, është shprehur deputeti tjetër holandez. Jeroen Van Wijngaarden, i Partisë VVD, ishte gjithashtu me të njëjtin qëndrim si kolegët e tij.

Ai ka theksuar se mafia shqiptare nuk ushtron veprimtarinë e saj vetëm në Roterdam, por në të gjithë Holandën.

“President, kushdo që thotë bandat shqiptare, nënkupton Roterdamin. Por më lejoni të filloj duke sqaruar një keqkuptim. ‘Trafiku i kokainës dhe ai i qenieve njerëzore’, bandat shqiptare nuk janë problem vetëm për Roterdamin, por për të gjithë Holandën”, është shprehur ai.

Këtyre pretendimeve të deputetëve holandezë i është përgjigjur ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok, i cili i ka thënë Parlamentit se ashpërsimi i regjimit të vizave është i pavend dhe se do të komplikonte marrëdhëniet me Shqipërinë. Në këtë mënyrë ai ka paraqitur edhe qëndrimin e qeverisë së Holandës. Pavarësisht qëndrimit të qeverisë, Parlamenti Holandez do të votojë më 16 prill kërkesën për rikthimin e vizave me Shqipërinë./PANORAMA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne