Rilindja Urbane/ Belshi u ndërtua nga “Vëllezërit Hysa”, të cilët janë në burg

Projektet e “Rilindjes Urbane” kanë nisur të shfryhen! Pas pompozitetit të krijuar nga qeveria, tashmë këtyre fasadave ka filluar t’ju bjerë suvaja. Dhe, një ndër to, e paraqitur me mjaft bujë në qytetin e Belshit, ka filluar të shkatërrohet.

Një raport i KLSH-së ka nxjerrë zbuluar bashkinë dhe qeverinë, të cilat akuzohen se nuk kanë zbatuar mirë këtë projekt. Madje, sipas KLSH, është lejuar firma private që të vendosë llaç e tulla të skaduara. Por, çfarë fshihet pas kallëzimit të KLSH-së? Kush është firma që ka bërë këto punime?

Tpz.al është thelluar në këtë skandal, ndërsa ka siguruar raportin e plotë të KLSH-së. Në këtë raport thuhet se, firma që ka bërë këto punime, është “Vëllezërit Hysa”. Pra, një firmë mjaft e njohur në qarkun e Elbasanit, pasi ka fituar mjaft tendera në bashkitë e këtij qarku.

Disa muaj më parë, prokuroria urdhëroi arrestimin e dy vëllezërve Agron dhe Kujtim Hysa, pronarët e firmës “Vëllezërit Hysa”. Ata akuzohen se nuk kanë ndërtuar rrugën e Gjinarit, në rrugën Tiranë – Elbasan, ndërsa janë arrestuar sëbashku me dy ish drejtor të ARRSH-së, Andi Toma dhe Dashamir Xhika.

Sëfundmi, edhe Kryetari i Bashkisë, Arif Tafani, i cili rrezikon të shkojë para drejtësisë, pasi akuzohet nga KLSH, për 10 projekte të rilindjes urbane, të kryera në shkelje të rënda. Deri më tani, dëmi shkon në 4.3 miliardë leke, nga të cilat 800 milionë në fushën organizative të projekteve, 2 miliardë e 860 milionë përdorim fondesh pa eficencë dhe të ardhura të munguara 660 milionë lekë.

KLSH thotë se firmat fituese nuk plotësonin kriteret dhe bënë punime të dobëta, madje edhe pedonalja kryesore e qytetit.

Tpz.al ka mësuar projekti “Ansambli Rilindja, Belsh”, ishte parashikuar të shtrohej me gurë troktolit, ndërsa pllakat e gurit të shtruara në sheshin kryesor dhe pranë godinave, nuk janë pllaka prej guri troktolit, por një pjesë janë pllaka guri të marrë nga formacione shkëmbore ranore të imta dhe gëlqerorë. Është audituar projekti për realizimin e dy pedonaleve “Ndërtimi i pedonaleve dhe korsive të biçikletave, Liqeni Belsh”, të realizuara nga firma “Vëllezërit Hysa”.

“U konstatua se në pjesën e majtë është realizuar me trotuar me pllaka me përbërje guri gëlqeror, identike me pllakat e përdorura për një pjesë të sheshit kryesor dhe pranë godinave të “Ansamblit Rilindja”. KLSH thotë se “Vëllezërit Hysa” duhet t’i kthej mbrapsht mbi disa qindra milionë lekë Bashkisë së Belshit, pasi nuk ka kryer punimet e kërkuara.

Një tjetër tender që ka fituar kjo firmë është edhe sistemim asfaltim Rruga “Belsh – Qafë Shkallë”. Nga auditi rezultuan diferenca në volume pune të likuiduara por të pakryera në fakt në vlerën 11.466.250 lekë pa TVSH e cila përbën dëm ekonomik. Edhe kjo shumë, kërkohet që t’I kthehet bashkisë, pasi është dëm ekonomik.

Lidhjet e firmës “Vëllezërit Hysa” me pushtetin janë denoncuar edhe herë të tjera nga Tpz.al. Para pak kohësh, ne denoncuam se kjo firmë është shpallur fituese nga Bashkia e Tiranës, me një mega tender, me vlerë 269.803.741 lekë lekë pa TVSH (të vjetra), edhe pse pronarët e së cilës ndodheshin në burg për veprën penale të vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën./TPZ.AL/

KLIKO këtu për të lexuar raportin e plotë të KLSH-së

Më poshtë projekti për qendrën e Belshit:

Më poshtë fotot e qendrë së Belshit:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne