Rindërtimi i Unazës së Madhe/ Drama e banorëve që po mbeten pa shtëpi dhe kompanitë e dyshimta që fituan tenderin

Në Shtator të këtij viti, qeveria e Republikës së Shqipërisë, vendosi rindërtimin e një pjese të Unazës së Madhe të Kryeqytetit. Ky projekt fillon në vendin e njohur si pallati me Shigjeta deri tek Rrethrrotullimi Shqiponja.

Ky rindërtim, është planifikuar të kushtojë 40 milionë euro dhe gjatësia e kësaj rrugë është vetëm 2.2 kilometra.

Në pamje të parë, ky projekt duket bashkëkohor dhe shumë i nevojshëm për kryeqytetin. Por, që ai të realizohet, së pari, duhet të shemben objektet ekzistuese anash rrugës.

Më konkretisht, duhet të prishen 317 godina, edhe pse ka pretendime, se numri mund të shkojë deri në 800 objekte, mes të cilave 163 janë në proces legalizimi.

Qeveria, ka vendosur të ndërpresë procesin e legalizimit, pa i njoftuar banorët . Banesave që do të prishen, qeveria iu ka vendosur në shpinë, një kryq të madh të kuq. Banorët, kanë filluar protestat dhe thonë se do t’i mbrojnë shtëpitë e tyre, deri edhe me gjak.

Qeveria u ka premtuar banorëve 3 vjet qira. Kjo është një sjellje jo vetëm arbitrare por edhe poshtëruese. Të prishësh shtëpitë dhe në këmbim t’ju ofrosh banorëve, si dëmshpërblim 3 vjet qira, do të thotë të tallesh me ta dhe me jetën e tyre.

Nesër, pas tre vjetësh, ata do të jenë sërish në rrugë.

Më i pafytyrë nga rilindasit, në këtë histori, rezulton kryebashkiaku Erion Velia. Pa pikë mëshire, me përcaktime të ndyra raciste, për njerëzit që protestojnë kundër prishjes së banesave.

Ky akti i paprecedent i qeverisë Shqiptare, së pari bie ndesh me të drejtën e pronës, sanksionuar në Konventën Europiane për Të Drejtat e Njeriut.

Argumenti thelbësor që paraqet qeveria e Edi Ramës, për të mos dëmshpërblyer banorët, është se shtëpitë janë ndërtuar pa leje.
Ndërkohë, në ditët e sotme, e drejta e dëmshpërblimit, përfshin edhe banesat e ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Në vitin 2016, ka patur dy çështje që konfirmojnë një qëndrim të konsoliduar të Gjykatës së Strazburgut. Konkretisht këto çështje janë, Ivanova e Cherkezov kundër Bullgarisë dhe Bagdonavicius e të tjerët kundër Rusisë.

Në këto dy gjykime, përcaktohet se e drejta e dëmshpërblimit, shtrihet edhe për banesat e ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Drama e madhe e banorëve që do të mbeten pa shtëpi, është një nga problemet thelbësore të projektit të Edi Ramës.

Por, ekziston një problem tjetër, shumë i rëndësishëm, për këtë tenderim.

Duke ndjekur procedurën e këtij tenderimi, është e qartë se jemi përballë një procesi të paracaktuar dhe korruptiv.

Le ta shohim konkretisht.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, hapi në datën  Shtator 2018, tenderin e këtij projekti, duke i ndarë punimet në tre segmente të veçanta.
Të bën përshtypje fakti, që në çdonjërin prej tre konkurimeve, morën pjesë vetëm dy kompani.
Por jo vetëm kaq. Në të tre konkurimet, ishte e pranishme kompania “Vëllezërit Hysa”, e cila, në të tre rastet, nuk paraqiti asnjë ofertë, duke bërë që fitues, automatikisht të shpallej kompania tjetër.

Kjo tregon se subjekti fitues ishte i paracaktuar.

Konkretisht, segmenti i parë u fitua nga bashkimi i kompanive “Biba X” dhe “DH Albania”. Vlera e tenderit ishte 18 milionë euro. Kompania “Vëllezërit Hysa”, nuk paraqiti ofertë.

Segmenti i dytë, u fitua nga “Salillari sh.p.k”. Vlera e tenderit, ishte 12.6 milionë euro. Kompania “Vëllezërit Hysa”, si pjesëmarrëse në tender, sërish nuk paraqiti ofertë.

Segmenti i tretë, u fitua nga kompania “Viktoria Invest International” dhe “Viktoria Invest sh.p.k”.

Kjo kompani, është përjashtuar një vit nga procedurat konkuruese koncesionare dhe të partneritetit publik privat.
Ky përjashtim nuk e pengon këtë kompani të marrë pjesë në tender, por hedh dyshime serioze mbi kompaninë.

Njëlloj si në dy rastet e para, kompania konkuruese “Vëllezërit Hysa”, nuk paraqiti ofertë.

Pra duket se kompania “Vëllezërit Hysa”, ka shërbyer si një koperturë, për të legjitimuar një garë, që nuk ekzistonte.

Por, ky nuk është problemi i fundit i këtij tenderi .

Ja çfarë ka ndodhur me segmentin e parë të këtij tenderi. Kompanitë fituese të këtij segmenti, “Biba X” dhe “DH Albania” janë të panjohura dhe pa eksperiencë në ndërtimin e rrugëve.

DH Albania, është kompani e regjistruar në Shqipëri në 18 Korrik 2018, pra vetëm dy muaj përpara zhvillimit të tenderit. Ajo është regjistruar si degë e një kompanie të huaj, me emrin Dunwel Haberman, me përfaqësues ligjor, 26 vjecarin Avdjol Dobi.

Kompania mëmë, Dunwel Haberman Ltd, është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delawere,  në SHBA dhe duket se është një kompani pa aktivitet.

Në qendrën kombëtare të biznesit, si përfaqësuese ligjore e kompanisë mëmë, është regjistruar Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banore në ishujt Sejshell.

Është interesant fakti, që kompania mëmë, ka një faqe online, e cila është krijuar në 2 korrik 2018, pak më shumë se dy javë, para se kompania të regjistronte degën e saj në Shqipëri. Në faqe, nuk ka asnjë informacion për personat drejtues të kompanisë dhe asnjë informacion për angazhimet e saj në të shkuarën.

Është njëlloj si operacionet që kanë kryer qeveritë e Shqipërisë me koncesionet e Rapiskanit, Bankers dhe të tjera.

Kompania tjetër e konsorciumit, Biba X, është regjistruar në Kavajë, në vitin 2002, me objekt, “prodhim të materialeve të ndërtimit, kryesisht prodhim dhe tregtim inertesh”.

Në 15 tetor 2018, ortaku i vetëm Barush Biba, ndryshoi objektin e kompanisë, duke shtuar “ndërtim rrugësh, ndërtime civile, rikonstruksion fasadash”.

Autorët e tenderit, kanë vepruar me aq nxitim, sa ndryshimin e objektit të kompanisë “Biba x” si ndërtues rrugësh, e kanë bërë një muaj pas fitimit të tenderit.
Pra, këtë tender e ka fituar një kompani që nuk ka patur si objekt ndërtimin e rrugëve.

Fakti tjetër shumë i rëndësishëm është se, është që nga viti 2013, deri në tetor të vitit 2018, kompania “Biba X”, ka qenë vazhdimisht nën sekuestro, për fatura të pashlyera ndaj kontraktorëve të ndryshëm, të cilët kanë marrë urdhra gjyqësore, kunder kompanisë, deri në shlyerjen e detyrimeve.

“Biba X”, ka qenë nën sekuestro, edhe gjatë periudhës kur ka konkuruar në tenderin e rrugës së re.

Siç e dëshmojnë dokumentat ekskluzive të siguruara nga “Të Paekspozuarit”, kompanisë “Biba X”, i është hequr sekuestro, një muaj pasi ka fituar tenderin.

Ligji shqiptar për prokurimin publik, e përcakton qartë, se një ofertues, përjashtohet nga pjesmarrja në tender nëse kapitalet e tij janë në duart e përmbaruesit ose janë në proces konfiskimi.

Kjo është historia e shkurtër e rindërtimit të një pjese të Unazës së Madhe të Tiranës, nga pallati me shigjeti tek ish Shqiponja.

Shumë qytetarë po mbeten në rrugë dhe 40 milionë euro që do të harxhohen në një tender të paracaktuar dhe të dyshimtë.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Rrugët e reja, udhët e gjera, udhët që kushtojnë sikur të jenë të shtruara me flori, po zëvendësojnë koncesionet dhe PPP-të e Edi Ramës.

Shumë para, shpenzime që nuk ngjajnë me asnjë vend të rajonit, po shkojnë në xhepat e oligarkëve dhe qeveritarëve.

* Ky material u transmetua në emisionin “Të Paekspozuarit”. Për ndërtimin e tij shërbeu si burim edhe exit.al

EMISIONI I PLOTË:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne