Rinia euro-perëndimore

Pas rënies së komunizmit, në Bashkimin Sovjetik dhe në Ballkan u ndie mungesa e shënjestrës, u ndie një vakum për shënjestrimin e shigjetave të tyre, shënjestra e cila do ta arsyetonte ekzistimin e të gjithë fabrikave për prodhimin e armëve, për ekzistimin e gjithë atij numri të shërbimeve sekrete ushtarake, shtetërore dhe për vendosjen e mediave në shërbim të tyre

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Europa dhe Perëndimi, në përgjithësi, është në një kaos ideor, kulturor, politik e ekonomik. E djathta, e majta dhe lëvizjet tjera mbi tokë e nën tokë, nëpër akademi e shkolla publiko-private, në tren, qendra tregtare, stadiume e teatro, shpesh zhvillojnë aktivitete rrëqethëse karshi popullatës vendore, ndaj të huajve, e veçanërisht ndaj muslimanëve. Ndërsa muslimanët, si grupim religjioz dhe Islami si fe e tyre, është një preokupim thelbësor i euro-perëndimit sot. Kjo çështje është me rëndësi të madhe, ndër të tjera, edhe në krijimin e politikave dhe ngjarjeve në të ardhmen, për ç’arsye nevojitet perceptim i drejtë i këtyre ideve e lëvizjeve, fjalëve e veprave, që do të ndihmojë që muslimanët ta kuptojnë të qenit e tyre edhe subjekt në krijimin e së ardhmes e tyre dhe, përgjithësisht, të ardhmes botërore e jo gjithnjë objekt i asaj të ardhme.

Për të qenë në rrjedha të ngjarjeve, së paku duhet kuptuar ato, përkatësisht së paku duhet parashikuar kah mund të ecin zhvillimet e mundshme politike e ushtarake, sociale e ekonomike, kulturore e shkencore. Kjo njohje dhe dije imponon njohjen e ideve, por edhe jetës që e bën rinia (si rezultat/pasojë e edukimit të brezave pararendës) sot në hemisferën euro-perëndimore.

Në fakt, çfarë është pikëpamja e rinisë euro-perëndimore për Islamin dhe muslimanët dhe si u ndërtua ky përfytyrim? Edhe pse nuk mund të ofrohet përgjigje e plotë, megjithatë mund të thuhen gjërat në vija të trasha ose disa nga ato ngjarje që bien në sy më së shpeshti e më së shumti. Këtë gjendje e mundëson edhe globalizimi i informimit, i jetës, i lëvizjes së informacionit, mallrave dhe njerëzve, sepse aktualisht nuk është monopol një gjë, një lajm, për një zonë gjeografike ose për një popull të caktuar. Natyrisht, për një mendim serioz nuk bënë të bazohemi vetëm në një burim të dhënash ose në statistika e anketa të caktuara, sepse jemi dëshmitarë të kohës kur shtetet, institucionet e caktuara, grupet e interesit, manipulojnë me të dhëna e lajme për synime të tyre politike, ushtarake, ekonomike etj. Të gjitha këto i cekëm për arsye se prezantimi ynë nuk pretendon të shtrojë një mendim përfundimtar, por që të japë një përgjigje të mundshme për fotografinë që e ka rinia e tyre për muslimanët dhe burimet e formimit të asaj fotografie, pra të asaj pikëpamje (Shkrimi ynë pretendon të iniciojë për meditim dhe të kontribuojë në perceptimin e drejtë të çështjes lidhur me ndërtimin e opinionit të popujve, në përgjithësi, dhe euro-perëndimorëve karshi myslimanëve, në veçanti.).

Mendojmë se njëri ndër shkaqet kryesore që rinia euro-perëndimore nuk ka mendim pozitiv për fenë islame dhe muslimanët është, në masë të madhe, mosnjohja e tyre – e fesë, historisë, kulturës dhe qytetërimit. Kjo ndodh për arsye se as në familje, as në programet skajshmërisht restriktive shkollore, e as në mjetet e përgjithshme të informimit, masa popullore dhe, sidomos, rinia nuk merr të dhëna të mjaftueshme për “të tjerët”, e për muslimanët në veçanti. Të dhënat e përgjithshme, që i kanë euro-perëndimorët për myslimanët janë rëndom stereotipa mesjetare, por të veshura me petk modern.

Indiferenca, letargjia, apatia e rinisë ndaj rrjedhave dhe ecurive politike e ekonomike botërore dhe shpërthimi i rinisë vetëm në raste kur nxiten nga eksponentë politikë ose nga fetarë ekstremistë kristianë, tregon se ata nuk janë të informuar drejt, me kohë dhe mjaftueshëm. Ata nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në kohën dhe hapësirën ku dhe kur jetojnë në mënyrë të mirëfilltë, të drejtë, të ndërgjegjshme. Në vend të shtetit, përkatësisht në marrëveshje me shtetin, përgjegjësinë për informim dhe formim intelektual, fetar e politik të tyre e kanë marrë korporatat mediatike botërore, duke ndërvepruar me korporatat e mëdha industriale e tregtare.

Por, nuk është çdo gjë zi. Ka edhe raste pozitive, shembuj për lakmi, të cilët të pandikuar nga atmosfera e helmatisur, përpiqen të informohen nga dora e parë dhe të njoftojnë objektivisht, si për popujt tjerë, ashtu edhe për kulturën, fenë dhe zhvillimin e tyre (Shih studimin mjaft konstruktiv: Norman Daniel, Islami dhe Perëndimi, Tiranë, 2018.). Ata nuk bien pre e kurtheve të shablloneve të korporatave të fuqishme mediatike, pas të cilave qëndrojnë individë ose institucione të fuqishme. Por, ata janë individë, numër i vogël dhe pa fuqi që të ndikojnë dukshëm në informimin e drejtë dhe të shpejtë, pa subjektivizëm, pa anime nacionale, religjioze, kulturore. Por, meqë kjo punë e individëve është e pamjaftueshme në mbulimin me informacion të rinisë, ajo i sheh muslimanët nën ndikimin ideologjik të rrethit ku jeton, e të cilët ndikojnë me të madhe në formimin e mendimit politik, kulturor e social të tyre. Madje, një pjesë e rinisë ndikohet edhe në aspekt të identitetit. Natyrisht, nuk është situata në të gjitha vendet njësoj. Në shtetet ku muslimanët janë në numër më të madh dhe të integruar në shoqëri, edhe shoqëria vendore është më pak e prekur nga informimi qëllimkeq e manipulues i mediave.

Nëse bëjmë një analizë objektive, në vija të trasha, të mediave botërore, sidomos të hemisferës perëndimore, të cilët më së shumti bëjnë edhe formimin e mendimit njerëzor, do të rezultojë se shigjeta e këtyre mediave është e drejtuar në paraqitjen e muslimanëve në mënyrë të shtrembëruar, si diç që dallojnë nga të tjerët, diç që vjen në kundërshtim me njerëzinë dhe vlerat e tyre, si: se ata kundër lirisë së shprehjes dhe lëvizjes; kundër të drejtave njerëzore e, sidomos, femrës; kundër demokracisë, si diç që nuk e respekton përkatësinë gjinore, nacionale, racore etj. Për arsyet e jotolerancës dhe mospranimit të muslimanëve, luftimit të tyre në fusha të ndryshme gjatë historisë, është shkruar në libra të specializuara, por jo më gjerë, jo në libra shkollorë, universitarë, jo në tribuna publike me peshë kulturore, kështu që gjërat pozitive për muslimanët kanë mbetur të panjohura për lexuesin e gjerë, për qytetarin e rëndomtë botërorë. Aktualisht, arsyen e urrejtjes së fuqive botërore perëndimore duhet kërkuar në shkaqet e vjetra, të modifikuara në formën bashkëkohore, me tematikë e personazhe të tjera, por në thelb të njëjtë, si: liria e shprehjes, lëvizja e lirë, barazia njerëzore e tjera. Po të shikohet gjendja e vërtetë, do të shohim se ngjarjet për të cilat akuzohen muslimanët, janë regjimet e instaluara nga perëndimorët, inskenimet e ndryshme (Nexhat Ibrahimi, Përse ekzistimi i Al-Kaidas i përgjigjet Perëndimit? në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=25&h=al-kaida.). Korporatat mediatike dhe bashkëlojtarët e tyre mbjellin bindjen te konsumeristët e vetë se muslimanët dhe feja e tyre janë armiq ideologjikë dhe qytetërimorë, të cilët duhet neutralizuar e, madje, edhe eliminuar (Shih: William Engdahl Stoljeće rata. Anglo-američkanaftna politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2008 dhe William Engdahl, Stoljeće rata 2 – Tajni geopolitički plan američke Vlade, Zagreb, 2008.).

Jemi dëshmitarë se si disa nga bankat botërore që kanë ndikim në rrjedhat botërore (International Bank for Reconstruction and Development (IBRD), International Development Association (IDA), International Finance Corporation (IFC), Multilateral Investment Guarantee Agency (MIGA), International Centrefor Settlement of Investment Disputes (ICSID), The International Monetary Fund (IMF) etj.), të themeluara nga të fuqishmit hartojnë platformën dhe orientimet e të gjitha shteteve botërore sesi duhet të zhvillohet ekonomia dhe politika e shtetit të caktuar, cilët sektorë duhet avancuar, duke mbajtur nën kontroll çdo shtet, çdo rival të mundshëm ideologjik, fetar, ekonomik, kulturor, përkatësisht çdo burim të mundshëm, i cili do ta frymëzojë njerëzinë për alternativat më të drejta e më të favorshme për tërë botën, pos qendrave të profitit, grupeve të interesit dhe individëve të caktuar që e drejtojnë ekonominë botërore (Shih rastin e Turqisë dhe shteteve të tjera, zhvillimi i të cilave nuk tolerohet në Perëndim.).

Ka edhe një problem se përse muslimanët u gjenden në shenjtër të euro-perëndimit, që nuk është i panjohur. Pas rënies së komunizmit, në Bashkimin Sovjetik dhe në Ballkan u ndie mungesa e shënjestrës, u ndie një vakum për shënjestrimin e shigjetave të tyre, shënjestra e cila do ta arsyetonte ekzistimin e të gjithë fabrikave për prodhimin e armëve, për ekzistimin e gjithë atij numri të shërbimeve sekrete ushtarake, shtetërore dhe për vendosjen e mediave në shërbim të tyre. Pa një armik serioz, vështirë se taksapaguesit do të pajtoheshin për derdhjen e gjithë atyre mjeteve financiare. Deri atëherë ky armik ishte Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste. Për këtë shkak, u targetua Islami dhe muslimanët: çdo bindje e tyre politike, ekonomike, çdo mendim ndryshe. Muslimanët janë të shumtë në numër, por janë të paorganizuar, intelektualisht të zbehtë dhe lehtë të nënshtrueshëm. Shumica e regjimeve ishin qysh më herët të instaluara dhe vepronin sipas urdhrave të euro-perëndimorëve. Si adhurues të profitit material, korporatat perëndimore kapacitetet e tyre kulturore, pastaj ekonomike e në fund edhe politike e ushtarake, i drejtuan drejt vendeve muslimane. Në këtë mënyrë do të ketë profite të mira materiale, kurse gjendja sociale brenda vendeve të tyre do të mbahet nën kontroll. Kapitali do të qarkullojë brenda një pakice të vogël, të privilegjuar, të cilët edhe më shumë do të pasurohen, kurse pjesa më e madhe e botës edhe më tej do të varfërohet. Do të homogjenizohet edhe më shumë popullsia taksapaguese euro-perëndimore, e cila me të madhe e ka braktisur kristianizmin nën ndikimin e rrymave të reja botërore, e këtë do ta arrijë duke e armiqësuar me muslimanët si faktor kërcënues e rrezikues për vlerat euro-perëndimore.

Fuqitë perëndimore do ta pengojnë rininë perëndimore dhe, përgjithësisht, perëndimorët, me njohjen objektive të fesë islame, duke vendosur pengesa të shumta besimore, racore, historike, kulturore. Ndër ato pengesa është forcimi i identitetit vetjak si super-racë, super- kulturë, super-qytetërim dhe mohim i vlerave të “të tjerëve”, e sidomos vlerave muslimane në besim, kulturë e qytetërim. Pastaj, duke i paraqitur muslimanët si kërcënim latent, euro-perëndimorët projektojnë dhe inskenojnë justifikime dhe arsyetime të njëpasnjëshme për angazhimin politiko-ushtarak në vendet muslimane, ndërsa kjo bëhet duke instaluar regjime destruktive, despotike, tiranike e servile kundër popujve të vet dhe kundër fesë së vet, duke luftuar çdo rezistencë, duke e plaçkitur fuqinë e lirë punëtore, duke vjelë burimet natyrore të atyre vendeve, duke nxitur dhe përkrahur përçarje në ato vende, duke instaluar varësinë ushtarake, politike, ekonomike, kulturore e shkencore te popujt e nënshtruar etj (Shih: Ahmet Alibašić, Islamska opozicija u arapskom svijetu, Sarajevë, 2015.).

Fuqitë perëndimore dhe mediat e tyre, kur i analizojnë problemet botërore, nuk e shtrojnë pyetjen “përse?”, që domethënë të gjenden përgjigjet për shkaqet e ngecjes së muslimanëve, të varfërisë dhe të analfabetizmit, të agresivitetit të një pjese të muslimanëve, por e shtrojnë pyetjet “kush?”, “ku?” dhe “kur?”. Perëndimi, para opinionit, i analizon pasojat e gjendjes së muslimanëve, por jo edhe shkaqet që sollën deri aty. Me këtë qasje, dëgjuesi e lexuesi sillet para aktit të kryer: bie pre e informimit paragjykues, joobjektiv, të informimit të cunguar në sasi dhe cilësi, i cili informim kërkon përulje, përbuzje dhe varfërim të mëtejmë. Kur manipuluesi i së vërtetës kapet në flagrancë, ata e bishtnojnë të vërtetën me shprehjen ‘dëme kolaterale’, ‘pasoja anësore’ ose diç të ngjashme para një kërcënimi global, që sipas tyre është feja islame dhe pjesëtarët e saj.

Si t’i shmang qytetari euro-perëndimor këto ‘pasoja anësore’ kur ai është i pushtuar nga lajmet, kur ai thuajse nuk ka alternativë të informimit, sepse edhe burimet dytësore janë degë të atyre kryesore, kurse organizatat joqeveritare janë produkt i po këtyre qendrave, me emra të butë, me tema joshëse, por me synime po aq shkatërruese sa edhe ato të parat, ndërsa për t’i mbajtur nën kontroll disa shpirtra rebel ose aksidente të padëshirueshme.

A ka rrugëdalje në këtë pikëpamje? A ka alternativë gjendja e tanishme? A mund të kemi informim të drejtë dhe ndërtim të mirëfilltë të karakterit, të personalitetit të ri në Perëndim? Vallë, a janë mbyllur të gjitha rrugët e rrugicat për një jetë normale? A mund të ndihmojnë muslimanët në këtë qorrsokak? Si dhe cila është rruga?

Është problem të ofrohet përgjigje, por rrugëdalje duhet gjetur. Nuk është i tërë euro-perëndimi në rrugë të gabueshme, sikur që nuk janë të gjithë muslimanët a priori të mirë. Fetë monoteiste, në parim, janë për paqen dhe rahatinë. Në histori kemi periudha të pranueshme të paqes e mirëkuptimit mes feve e qytetërimeve. Patjetër që duhet gjetur fillin dhe duhet promovuar hapjen ndaj tjetrit. Duhet pranuar tjetrin dhe bashkëpunimin me tjetrin. Perceptimi i drejtë i fesë dhe intelektualizmi pa paragjykime mund të ofrojë bazament për integrime e bashkëjetesë. Më pak ndikim nga informimi i korporatave mediatike dhe më shumë informim i drejtpërdrejtë në të dyja anët, kjo do të ndihmojë në zbutjen e marrëdhënieve e, pastaj, edhe në afrimin mes veti. Bota e bardhë është më pak se 20% e botës, andaj duhet të pajtohet se edhe fytyra e verdhë, ajo ezmere e ajo zezake, janë pjesë e kësaj bote, me të drejta të plota për jetë, zhvillim e jetë të dinjitetshme./ shenja

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne