Roli i ndërkombëtarëve në pastrimin e drejtësisë nga korrupsioni, fondi i tyre 10 milion euro

Zbardhet roli që do të ketë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në zbatimin e vetingut dhe reformës në drejtësi. Në shtator parashikohet që të nisë tërmeti në drejtësinë shqiptare, ndërsa me shumë interes pritet roli i ONM. Deri më tani ky organ dha një ndihmë të shkurtër për përzgjedhjen e kandidatëve në Komisionin e Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit, por roli i mëtejshëm dhe organizimi ka qenë mister. Gazeta ka siguruar një raport të Komisionit Evropian, ku bëhet me dije se KE ka akorduar 10 milionë euro për funksionimin e ONM, si dhe ka zbardhur gjithë mënyrën e organizimit të misionit.

“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) do të mbështesë procesin gjatë gjithë kohës. Kompetencat e tij janë mbikëqyrja e ushtrimit të detyrave dhe dhënia e rekomandimeve në fazat para-vetingut. Në ONM përfshihen partnerë brenda kuadrit të integrimit evropian dhe euro-Atlantik  dhe do të drejtohet nga Komisioni Evropian. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të monitorojnë procesin e rivlerësimit dhe do të veprojnë si ekspertë afatgjatë. Vëzhgues ndërkombëtarë do të përfshihen në katër komisionet e ulëta dhe dhomën e apelit, por nuk do të kenë fuqi vendimmarrjeje, apelimi apo të drejtë të kërkojnë prova. Ata mund t’i kërkojnë komisionerëve publikë të marrin në konsideratë apelimin ose jo, bazuar në opinione të logjikshme. Nëse komisionerët nuk ndjekin kërkesat e vëzhguesve ndërkombëtarë, ata duhet të japin një argument me shkrim”, thuhet në raport.

Përbërja e grupit

Më tej është zbardhur dhe përbërja e grupit, ku parashikohet një staf shumë i gjerë. Falë tyre, KE pret që të zbatohet me përpikmëri reforma në drejtësi. “Vëzhguesit ndërkombëtarë do të jenë anëtarë me të paktën 15 vjet eksperiencë në gjyqësor në vendet e tyre. Një tjetër vëzhgues ndërkombëtar që është ofruar nga SHBA për ONM me të njëjtat kritere do të integrohet në grupin monitorues. Stafi dhe pajisjet mbështetëse të vëzhguesit do të jepen nga fondet evropiane të projektit. Vëzhguesit do të mbështeten nga një grup teknik dhe stafi i nevojshëm. Grupi teknik do të përbëhet nga shtetas të BE si më poshtë: Menaxher, shef sigurie, ekspert IT, ekspert ligjor; analist,  përkthyes (anglisht-shqip-anglisht). Pjesa tjetër e grupit duhet të përfshijë një maksimum prej: një ekspert vendas IT, katër analistë nga BE, pesë analistë/studiues të specializuar në hetime financiare e kriminale, 25 përkthyes, katër juristë nga BE, gjashtë juristë vendas, staf administrativ mbështetës dhe katër shoferë”, thuhet aty.

Lufta ndaj korrupsionit

Sipas raportit të KE, i gjithë qëllimi i reformës është luftimi i korrupsionit në të gjitha nivelet dhe dhënies fund të ndërhyrjes së politikës në drejtësi. “Objektivi specifik është rritja e cilësisë profesionale të gjykatësve e prokurorëve, reduktimi i ndërhyrjes së krimit të organizuar, të politikës dhe korrupsionit në dhënien e drejtësisë, si dhe rritja e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve…Qëllimi i reformës është forcimi i profesionalizimit, efiçencës dhe pavarësisë së gjyqësorit. Gjithashtu objektiv tjetër është lufta ndaj korrupsioni në drejtësi, me qëllim rikthimin e besimit publik të gjyqësori”, thuhet në dokument. Sipas parashikimeve, në shtator ONM do jetë gati, ndërkohë që tani ka nisur grumbullimi  dosjeve të para

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne