Cristiano Ronaldo pushtoi Rusinë me mënyrën e tij: tre gola të shënuar, i para në këtë Botëror, goli i parë me 11 metërsh, goli i parë me goditje dënimi, njeriu i ndeshjes. Vështirë se një lojtar mund ti bëjë të gjitha këto në debutim, për më tepër në moshën 33 vjecare. Por cmimi në lojë është shumë i lartë. Kupa e Botës do të ishte Topi i Artë i 6 dhe kurorëzimi si lojtari më i mirë i historisë. Kush e njeh portugezin e di se kaq mjafton për ta bërë të japë maksimumin….

Me tregolëshin e shënuar Spanjës, Cristiano Ronaldo ka shkuar në gol në katër edicione të Kupës së Botës, ashtu si më parë kanë bërë vetëm Pelé, Klose e Uwe Seeler.

Gjithnjë e kudo Cristiano Ronaldo, nuk ka rëndësi nëse është klub apo përfaqësuese. Portugezi ka bërë debutimin e tij në Botërorin 2018 kundër Spanjës, duke lënë menjëherë gjurmën e tij e duke u propozuar si kandidati potencial për Këpucën e Artë.

Në fillim avantazhi me 11 metërsh, pas 4 minutash lojë, e më pas goli i dytë me bashkëpunimin xhentil të De Geas. Kryeveprën CR7 e kishte lënë në fund, me një goditje dënimi që e la portierin të palëvizur. E tre gola në një ndeshje është hap i madh edhe për titullin e golashënuesit më të mirë.

Ronaldo u bë lojtari më i vjetër që shënon tre gola në një ndeshje të Botërorit.

30