Ronaldo synon të ribëjë histori me Juventusin

Futbollisti portugez, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se e ka marrë me lehtësi vendimin për kalim nga Real Madrid tek Juventusi dhe se në ekipin italian dëshiron të shkruajë një histori të re dhe të fitojë Ligën e Kampionëve.

Ronaldo për portalin sportiv “DAZN” ka thënë se të gjithë individualisht në Juventus punojnë për qëllimin e përbashkët dhe se trofeun e Ligës së Kampionëve do ta sjellin në Torino këtë vit ose vitin e ardhshëm.

“Juventus është një nga klubet më të njohura të botës dhe këtë e dinë të gjithë. Punojmë shumë dhe jam shumë i lumtur në ekipin e ri”, ka thënë 33-vjeçari Ronaldo, i cili në fillim të sezonit mbërriti në Juventus pasi me fanellën e Real Madridit ishte fitues i katërfishtë i Ligës së Kampionëve dhe çmimit të futbollistit më të mirë në Evropë.

Ronaldo tha se me Real Madridin kishte fituar çdo gjë që mund të fitohet dhe se atje akoma la shumë miq, të cilët i konsideron si anëtarë të familjes.

“Juventus ka treguar se më do sinqerisht në radhët e tij. Më dha shansin që të jem i lumtur. Në këtë klub dua të shkruaj historinë nga fillimi”, ka thënë një nga lojtarët më të mirë të kohës, Cristiano Ronaldo./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne