Rouhani zhgënjehet me paketën e propozimeve të BE-së për marrëveshjen bërthamore

Presidenti iranian Hassan Rouhani ka përshkruar paketën e propozimeve të BE-së për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 si “zhgënjyese”.

Presidenti Rouhani zhvilloi një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Sipas komunikatës me shkrim të lëshuar nga Presidenca e Iranit, thuhet se Rouhani gjatë bisedës ka thënë se vendet evropiane, palë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore, kanë kohë të caktuar për të paraqitur në mënyrë të hapur qëndrimin e tyre se si do të vazhdojnë pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) nga marrëveshja.

“Në qoftë se vendet evropiane gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm në Vjenë e bindin Iranin për bashkëpunim dhe aktivitete të përbashkëta, atëherë ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin me Evropën”, bëri të ditur Rouhani.

Ai e cilësoi si “zhgënjyese” paketën që vendet evropiane i propozuan Iranit, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Fatkeqësisht paketa e propozimeve e paraqitur Iranit nuk përcakton një rrugë të qartë për të vazhduar me qasje praktike dhe bashkëpunim”.

Ndërkaq Merkel nga ana e saj tha se paketa e propozimeve e paraqitur Iranit përmban legjislacionin e përgjithshëm dhe parimet themelore, por vuri theksin në nevojën për të vazhduar me negociata për të biseduar në lidhje me detajet.

Kancelarja gjermane shtoi se Evropa është pro vazhdimit të marrëveshjes, ndërsa tha se “Ne jemi të bindur se duam ti qëndrojmë besnik marrëveshjes dhe besojmë se është e nevojshme që negociatat ti vazhdojmë në një atmosferë më të qetë”.

Marrëveshja e Planit të Veprimit të Përbashkët Gjithëpërfshirës (KOEP) u nënshkrua më 14 korrik 2015 në Vjenë të Austrisë mes 5 vendeve anëtare të përhershme të KS të OKB-së (ShBA, Anglia, Kina, Franca dhe Rusia) dhe Gjermanisë.

Ndërkaq Presidenti i ShBA-së, Donald Trump në maj të këtij viti deklaroi tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja me Iranin dhe se sanksionet ndaj Iranit do të hyjnë në fuqi sërish.

Ndërsa palët e tjera në marrëveshjen bërthamore dhe Irani u shprehën pro vazhdimit të marrëveshjes.

Ministrat e Jashtëm të vendeve që janë palë e marrëveshjes do të mblidhen sot në kryeqytetin Vjenë të Austrisë për të diskutuar në lidhje me çështjen./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne