Rrëfimi i Fatos Lubonjës: Si mund të pranoja për President, do të duhej…

Publicisti i njohur, Fatos Lubonja, ka shpjeguar dje në një intervistë për “News 24”, kushtin e tij të vetëm që do ta bënte të pranonte të ishte kandidat për President. I pyetur nëse do ta pranonte një post të tillë, Fatos Lubonja tha se nuk e kishte menduar një kandidaturë të mundshme.

Ai tha se do të bëhej pjesë e kësaj “loje” vetëm nëse institucioni i Presidentit do të kishte në dorë të ndryshonte situatën në Shqipëri.

“Nga njëra anë dihet që pozicioni im ka qenë që kam kritikuar vazhdimisht këto parti si banda, edhe duhet një marrëveshje shumë e madhe të arrish të bëhesh nga një kontestues i bandave në një njeri që përfaqëson bandat, është problem. Në këtë kuptim, vetëm në qoftë se ka një zhvillim, siç thashë, i një qeverie të vullnetit të mirë për të ndryshuar Shqipërinë, mund të të fuste në këtë lojë”, ka thënë ai.

Si i patë dje bisedimet që përfunduan sërish me mosmarrëveshje për datën e zgjedhjeve dhe qeverisë teknike?

Ai që e quani konsensus apo mungesë konsensusi vjen nga fakti se nuk ka një vullnet të mirë midis palëve, por vetëm ka lojëra për pushtet, lojëra që në qoftë se do përdorim fjalë të rëndomtë, për t’ia futur njëri-tjetrit, pra nuk ka një ndërgjegjësim për gjendjen se ku ndodhet Shqipëria dhe për nevojën për të bërë një ndryshim themelor. Nga kjo pastaj vijon gjithë kjo lojë me skena dhe prapaskena, kompromise, pabesi e të tjera e të tjera.

Kush besoni, zoti Lubonja, të jetë plani B për ta zgjidhur situatën në vend?

Varet kush e ka bërë planin B, sepse secili aktor e dimë pak a shumë se nga anojnë. Duhet të dimë se kush e ka bërë planin B, për të gjetur dhe hedhur fall se cili është plani B.

Ambasadorët përflitet se kanë një plan B për ta çuar zotin Rama dhe zotin Meta në një dakordësi pastaj me opozitën.

Plane janë shumë. Një plan është të hyhet në zgjedhje pa opozitën për shembull. Një plan është që të futet opozita dhe të pranojë kushtet që dha Rama. Një plan tjetër është që të pranohen kushtet që vë opozita për një qeveri teknike, pra janë disa lloje planesh, nuk e dimë se kush mund të jetë konvergjentja. Akoma as ata vetë nuk e dinë se ku mund të arrijnë në konvergjencë. Një plan tjetër është të ikë Rama si kryeministër, por të vihet Ilir Meta apo dikush nga LSI-ja. Pra, janë disa që janë të lidhura me interesat e njërës apo tjetrës parti. Nuk di se si, mendimi im në thelb është ky; një qeveri që të jetë e vullnetit të mirë, por për fat të keq, nuk e kanë këtë vullnet të mirë që të njohin të gjitha përgjegjësitë për këtë situatë ku është Shqipëria. Të heqin dorë sado nga ambiciet e veta për pushtet dhe t’ia japë në funksion të shtetit e ndërtimit të institucioneve. Por kjo nuk duket sheshit. Është skandaloze kjo që ndodhi tani me Ramën, që i heq disa ministra menjëherë, gati vetëm unë nuk iki nga kryeministër. Ç’domethënë kjo në thelbin e vet? Mos iki unë, por të ikin ministrat, të ikë policia, a ka a s’ka përgjegjësi policia nuk e pranon. Kjo tregon thjesht që institucionet te ne janë personalizuar, rëndësi ka që është kryeministri. Po qe kryeministri, të tjerët janë vegla. Kjo duhet të ndryshojë. Të jenë institucionet më të forta se personi. Për këtë duhet të një reformë që nuk bëhet as me një muaj dhe as me një palë si me thënë kompromise. Se kompromisi, siç thotë një fjalë e urtë, është një çadër e mirë, por një çati e varfër. Rrëzohesh menjëherë. Mund të arrijë një kompromis sot, por sërish do rrëzohet çatia në një furtunë më të madhe.

Ben Blushi bëri një propozim konkret, u kërkoi partive që ta rrëzojnë këtë qeveri, të ngrihet qeveri teknike dhe të miratohet Reforma në Drejtësi dhe numrat janë të mjaftueshëm për të miratuar dhe Presidentin. Si ju duket kjo lëvizje?

Unë e kuptova që të bashkohen këto forca dhe të ndërrohet qeveria. Të ndërtohet një qeveri tjetër. Unë nuk i kam dëgjuar kundërargumentet e opozitës lidhur me këtë, pse nuk e pranon opozita këtë. Vetë jam i paqartë pse nuk e pranon opozita këtë, që duket si zgjidhje goxha e pranueshme. Por, ndoshta se Blushi nuk ka artikuluar mirë se si do të ishte pastaj kjo qeveri. Një qeveri që bëhet qeveri e opozitës, ndërkohë që maxhoranca është në pushtet përsëri, përjashton maxhorancën. Mendoj se dhe këtu ka një problem, sepse mendohet një qeveri teknike që të jetë e pranuar nga të gjithë.

Këtë përgjigje ka dhënë dhe zoti Basha, që duam qeveri gjithëpërfshirëse, jo të përjashtojmë njeri…

Atëherë mendoj se këtu ka një argument, sepse ashtu siç e mendon Blushi, duket që kalon pushteti me një lëvizje parlamentare nga një maxhorancë në një maxhorancë tjetër, ku Ilir Meta përsëri mbetet një faktor i rëndësishëm, sepse ka votat që lëviz në peshore, sepse duhet të argumentojë ai pse lëvizi në këtë krah. Mendoj që ka një problem nga ana e gjithëpërfshirjes për të gjetur zgjidhjen. Në këtë rast është thjesht një goditje e maxhorancës që mund të ndodhë, por me problemin e asaj që mund të vijë më mbrapa. Ndoshta, edhe me problemin që duke shkuar në zgjedhje kështu, do të dalë pak a shumë maxhoranca me argumentin që më rrëzuan ata që janë kundër vetingut. Kundër Drejtësisë, pra kanë frikë se mos kjo është në favor të propagandës së Ramës që ai ka zhvilluar me Drejtësinë.

Donim një koment tuajin për një faqe që është hapur në Facebook, e cila thotë “Fatos Lubonja për President”. Çfarë mendoni?

Nuk e kam menduar, sepse unë kam një pozicion tjetër dhe të futesh në korniza të tilla nuk është e lehtë. Është përgjegjësi shumë e madhe. Me thënë të drejtën, as nuk di se çfarë kompetencash ka Presidenti, sepse roli im deri tani ka qenë roli i një intelektuali të lirë dhe të pavarur që kam kontestuar shumë gjëra. Dhe kur të marrësh një rol të atillë, nuk është se shkon aty thjesht për lavditë se u bëre President, por me mendimin “a ndryshoj ndonjë gjë unë dot për mirë në këto ide që kam apo thjesht do më hiqet dhe mundësia të them këto gjëra?”. Pra, sa ka mundësi një President të ndikojë në ndërtimin e një ekonomie vërtet të shëndoshë dhe jo kriminale, siç është në Shqipëri? Sa ka mundësi të japë dhe të ketë fuqi të ndryshojë Drejtësinë?! Unë nuk i njoh mirë, por mesa di unë, kompetencat e Presidentit janë goxha të kufizuara dhe, në këtë aspekt, përveç të tjerave, sigurisht duhet të kesh konsensusin e të gjithë këtyre njerëzve. Nga njëra anë dihet që pozicioni im ka qenë që kam kritikuar vazhdimisht këto parti si banda dhe duhet një marrëveshje shumë e madhe të arrish të bëhesh nga një kontestues i bandave, në një njeri që përfaqëson bandat, është problem. Në këtë kuptim, vetëm nëse ka një zhvillim, siç thashë një qeveri të vullnetit të mirë për të ndryshuar Shqipërinë, mund të të fuste në këtë lojë. Se të behësh vegël e kompromiseve të çastit, më duket se nuk ka kuptim në qoftë se nuk ndryshon gjë Shqipëria. Ky është komenti im i përgjithshëm, jo vetëm për mua, por për secilin që do të donte të bënte një President në shërbim të njerëzve dhe jo të një statuskuoje që është shumë e rënë në Shqipëri dhe që do ndryshuar urgjentisht.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne