Rrëfimi i një fotoreportereje italiane: njihuni me qytetin e vogël meksikan që po përvetëson Islamin

Në Chiapas, 400 meksikanë po ndërtojnë një identitet të ri duke shkrirë praktikat e tyre indigjene me Islamin.

Në Itali, vendlindjen e fotografes Giulia Iacolutti*, biseda për Islamin sillet e tëra rreth frikës dhe terrorizmit, por kur mbërriti në Meksikë, ajo hasi në një atmosferë krejt ndryshe.

Në vitin 2014, një profesor e prezantoi Iacolutti-n para imamit të një prej xhamive që është ngritur në një paralagje të Mexico City për të akomoduar komunitetin musliman në rritje. Për një vit me radhë, ajo qëndroi në shtëpitë e tyre duke përcjellë ritualet dhe festat e tyre për një projekt të quajtur Jannah, një fjalë arabe që ka kuptimin e parajsës në Islam.

Islami erdhi në Meksikë gjatë dekadave të fundit, me emigrantët nga Libani dhe Siria dhe me një grup muslimanësh sufistë spanjollë që erdhën për të konvertuar anëtarët e revolucionarëve zapatistq në vitet ’90. Islami u përhap shpejt. Vendi tani ka rreth 5,270 muslimanë, trefish më shumë se 15 vjet më parë, thotë Iacolutti. Një mësues arab i ndihmon ata të lexojnë Kur’anin, ndërkohë që një bursë ofron një shans për të studiuar në Jemen.

Në Meksikën e cila është kryesisht katolike, Iacolutti zbuloi se të kesh një sistem besimi është më e rëndësishme sesa ndjekja e një feje të caktuar. Ajo foli me nënat katolike që nuk donin që vajzat e tyre të ktheheshin në Islam, por të cilat ishin të lumtura kur ndryshimi frymëzoi fëmijët e tyre drejt një mënyre më të devotshme të jetës. “Në Meksikë është më mirë të konvertohesh në Islam sesa në Evropë”, thotë ajo

“Ata duan të ndërtojnë identitetin e tyre”, thotë Iacolutti për muslimanët e rinj meksikan. “E mira e Islamit është se sjell vepra praktike në jetën e përditshme: “Ju duhet të faleni pesë herë çdo ditë. Ju nuk mund të hani mish derri dhe nuk mund të pini alkool.”

Konvertimet po nxisin rritjen e Islamit në Mexico City, ndërsa nivelet e larta të lindjeve dhe familjet e mëdha po e nxisin atë (Islamin) në rajonet rurale.

Pas një viti të jetesës me komunitetin, Iacolutti kërkoi të njihet me imamët që vepronin në komunitetin rural të muslimanëve në shtetin jugor të Chiapas. Duke shkrirë praktikat e tyre indigjene me Islamin, këta 400 të konvertuar jetonin shumë ndryshe nga homologët e tyre në Mexico City.

Duket se ata kanë tendencë të përshtaten lehtë, pasi shumë gra indigjene filluan të mbulojnë kokat e tyre me shami. “Unë dua të flas gjuhën time, dua të mbaj veshjen indigjene, por gjithashtu dua të besoj në Allah”, thanë ato gjatë bisedës me Iacolutti.

Por largësia e bën të vështirë mbajtjen e parimeve të rëndësishme të fesë së tyre. Chiapas është një shtet i varfër dhe mishi i therur në përputhje me Islamin, i quajtur hallall, është i rrallë. Gjatë një feste, Iacolutti shikonte se si komuniteti sakrifikoi dy lopë dhe menjëherë sollën një sasi të mishit te fqinjët e tyre të krishterë. “Një prej parimeve të Islamit është që ju duhet të ndihmoni një person që është më i varfër se ju”, thotë ajo. “Nuk është e rëndësishme nëse besoni në një “zot tjetër”, ju jeni fqinji im dhe ju mund të hani të njëjtin ushqim”.

Edhe pse Iacolutti është një ateiste, askush nga banorët nuk kërkoi asnjëherë nga ajo që të konvertohet. Në një vend kaq të devotshëm, asnjë prej banorëve nuk ndihej i shqetësuar nga prezenca e një jobesimtareje në mesin e tyre. Një herë, në një bisedë me një grua muslimane në Mexico City ajo ndjeu një dëshirë të zjarrtë për besimin e tyre. “Unë mendoj se ju keni një jetë shumë të pasur sepse besoni”, i tha Iacolutti. “Unë nuk besoj. Unë ju shoh ju dhe mendoj se ju keni një jetë më të mirë”.

Gruaja e qortoi atë. “Ju bëni fotografi”, u përgjigj ajo. “Zoti juaj është fotografia, bukuria dhe informacioni. Ju besoni në këtë. Ndërsa unë besoj në Allahun”.

*Giulia Iacolutti është një fotografe italiane me bazë në Mexico City.

Marrë nga: National Geographic/ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne