Rrëfimi i një imami në “New York Times”: si e përjetuam zgjedhjen President të Donald Trump-it

Mustafa Umar është drejtor për arsim dhe informim në Institutin Islam të Orange County. Për New York Times, ai ka rrëfyer përjetimet e tij të kaluara së bashku me bashkësinë e besimtarëve që drejton, kohën e zgjedhjes së Donald Trump-President.

Ndër të tjera, ai shpalos dhe etikën e besimit që përfaqson, në rastin e ballafaqimit me raste jo fort të këndshme, përkundrazi trishtuese, siç është ai i vizionit Trump karshi bashkësisë së muslimanëve…

Nga Mustafa Umar

Inaugurimi i presidentit Donald Trump u bë të premten, ditën e shenjtë javore për muslimanët. Isha në ankth: Do të kemi një president të ri, i cili kishte kërcënuar të mbyllte xhamitë dhe t’i pengonte muslimanët të hynë në vend. E dija se duhet të thoja diç që do t’i bënte njerëzit të ndihen mirë në lidhje me këtë.

Unë jam imam në Institutin Islam të qarkut Orange (Orange County). Bashkësia ime këtu ishte e shqetësuar: Si do të ndryshonte jeta e tyre? A do të përmbushte Presidenti Trump premtimet e tij?

Ndërsa po përgatitesha të shkoj në xhami atë mëngjes, kujtova hutben të cilën e kisha mbajtur tri ditë pas zgjedhjeve. Në nëntor, komuniteti ishte në panik. Njerëzit po më pyesnin parreshtur: “Shejh Mustafa, a është koha që të largohemi nga ky vend?” Një mik imi nga xhamia i pikëlluar madje më tha: “Nuk mund të jetoj diku tjetër.” I thashë se një musliman përgatitet për më të keqen, por shpreson dhe lutet për më të mirën.

Islami na mëson se jeta është një sprovë, test i bindjes ndaj Zotit dhe këshillova komunitetin tim që të shihte zgjedhjen e presidentit Trump si një sprovë të durimit tonë: Zoti donte të shihte nëse do ta tejkalojmë këtë sfidë ose do të binim në ankth dhe dëshpërim. Islami dhe Kur’ani na mësojnë se kur ballafaqohemi me një sfidë, ne duhet të përpiqemi të përfitojmë nga ajo. Zgjedhjet, po shpresoja, do të na bëjnë të përpiqemi që të jemi më të mirë si individë dhe që ta përmirësojmë shoqërinë.

Vetëm disa orë pas inaugurimit të pPresidentit Trump, po qëndroja para një turme prej rreth 2,000 muslimanëve nga të gjitha profesionet dhe shtresat e shoqërisë, të rinj dhe të moshuar, amerikanë të lindur në SHBA dhe emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme. Ua kujtova atyre se jesh një musliman do të thotë të kesh karakter të mirë. Ne muslimanët nuk duhet të lejojmë që fjalët e vrazhda të ndikojnë tek ne. Ne nuk duhet të fyejmë njerëzit që na fyejnë ne për shkak të fesë sonë, dhe ne gjithmonë duhet të shfaqim sjelljen më të mirë.

E vërteta është se muslimanët në Amerikë trajtohen me tjetër standard. Nëse një burrë për shembull, shihet duke i bërtitur gruas së tij në një restorant, njerëzit do të mendojnë se ai mund të ketë pasur një ditë të keqe në punë, ose mund të jetë ndonjë idiot. Por nëse i njëjti person qëllon të jetë një musliman dhe gruaja e tij të mbajë një shami koke, klientët përreth sipas gjitha gjasave do të supozojnë se Kur’ani e ka mësuar atë që të sillet në këtë mënyrë.

Kjo është çmimi i barrës së të qënurit musliman në Amerikë sot, aq më tepër kur ide të tilla servohen nga politikanët. Kjo situatë mund të mos jetë e drejtë, po i thoja komunitetit, por mund të na ofrojë një mundësi që ne ta përmirësojmë veten.

Pas inaugurimit, xhamia jonë pranoi kartolina, lule dhe dhurata. Njerëzit në Anaheim donin të dinim se përkundër mesazheve që vinin nga shumë votues dhe nga Uashingtoni, ne ishim të mirëpritur. Në njërën prej letrave shkruante: “Prezenca e një xhamie në lagjen time i mundëson lagjës sime që të jetë vërtet amerikane. Jam shumë krenar dhe mirënjohës që jeni këtu. Ju lutemi që të jeni në humor të mirë. Ju nuk jeni vetëm. Keni miq. Unë jam një prej tyre”. Lexova kartolinën me zë të lartë në fund të një hutbeje dhe e postova në Instagram dhe Facebook. Ky gjest i thjeshtë na dha shpresë.

Megjithatë, si udhëheqës i një komuniteti musliman, ndonjëherë shihja se klima e islamofobisë që po krijonte presidenti Trump po sfidonte besimtarët. Më shumë se një herë gjatë vitit të kaluar, gratë nga bashkësia jonë mu afruan për të më pyetur nëse duhet të ndalojnë së mbajturi hixhabin për shkak të frikës nga ngacmimet. Natyrisht se nuk i gjykova për këtë veprim, por u ndjeva i pikëlluar.

Ne muslimanët falim namazin pesë herë në ditë. Kjo ndonjëherë nënkupton të gjesh një vend në ndonjë qendër tregtare ose në ndonjë park për të kryer namazin. Por, po dëgjoja në vazhdimësi nga njerëz të cilët nuk ndiheshin më të sigurt të veprojnë kështu, ose po përjetonin një ndjenjë turpërimi ngase po identifikoheshin në vazhdimësi me ekstremistët. U përpoqa t’u kujtoj atyre se janë 1.8 miliardë muslimanë dhe 99.99 përqind e tyre janë njerëz të mirë dhe paqësorë.

Në fund të janarit, presidenti nënshkroi ​​versionin e tij të parë të “ndalimit të hyrjes së muslimanëve në SHBA”. Unë shkova nëAeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit për të protestuar bashkë me një grup personash, nën organizimin e një shoqatë muslimane për të drejta civile. Ne prisnim të gjenim disa qindra njerëz atje; përkundrazi, ishin me mijëra, shumica prej tyre jo muslimanë, që mbanin pankarta ku shkruante, “muslimanët janë këtu për të qëndruar”. Kjo lloj mbështetjeje më dha një ndjenjë sigurie dhe më siguroi se do të ishim të sigurtë këtu, në Kaliforninë e Jugut.

Viti i kaluar nuk ka qenë i lehtë, natyrisht. Ka pasur njoftime për një rritje të krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve. Në nëntor, presidenti ripostoi një propagandë anti-muslimane nga një grup britanik i njohur për urrejtje. Muajin e kaluar, Gjykata Supreme vendosi të lejojë një version të ri të ndalimit të udhëtimit që të hyjë në fuqi. Por edhe në ato kohëra jashtëzakonisht të vështira, ia kujtoja vetes dhe të tjerëve në komunitet, mesazhet që dëgjuam nga fqinjët tanë dhe që pamë në ato pankarta në aeroport, të mbajtura nga njerëz të cilët nuk i kishim takuar kurrë më parë: “Muslimanët janë të mirëpritur këtu”./ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne