Rregulla të reja në kufi

Çfarë sistemi emigracioni duhet të miratojë Britania pas Brexit? Trajtimi preferencial për emigrantët e BE-së është një pikë shumë e rëndësishme në bisedimet e Brexit.

Një prej arsyeve kryesore se përse një numër i madh britanikësh botuan për t’u larguar më 23 qershor të 2016, ishte reduktimi i numrit të emigrantëve në vendin e tyre, shkruan The Economist. Mbështetësit e Brexit mendonin se pasi të largoheshin nga BE-ja dhe rregullat e saj mbi lëvizjen e lirë, ata do ta kishin më të lehtë për t’i vënë fre fluksit të emigrantëve. Megjithatë, në dy vjet e gjysmë që prej referendumit, qeveria britanike është shprehur shumë pak në drejtim të mënyrës sesi ajo do të trajtojë çështjen e emigracionit pas përfundimit të Brexit.

Por kjo gjë ndryshoi më 18 shtator, kur Komiteti Këshillimor për Migracionin (MAC), i përbërë nga një panel ekspertësh zyrtarë, publikoi ndoshta analizën më gjithëpërfshirëse të migrimit në Britani. Përfundimet e tij, të hartuara kryesisht për të informuar politikën e qeverisë, japin një tablo të qartë të atij që do të jetë sistemi i emigracionit pas Brexit. Për pjesën më të madhe të historisë moderne të Britanisë, emigracioni e ka tejkaluar imigracionin. Megjithatë, nga fundi i viteve 1990, imigracioni u rrit ndjeshëm, si pasojë e lëvizjes së studentëve drejt universiteteve më të mira, lëvizjes së punëtorëve në kërkim të një vendi pune më të mirë.

Më vonë, zgjerimi i BE-së u dha mundësinë njerëzve të varfër të Lindjes të kërkonin një punë më të mirë në Britani. Migrimi vjetor neto arriti një prej niveleve të tij më të larta, duke regjistruar ardhjen e rreth 300,000 emigrantëve në periudhën 2015-‘16, pak para votimit të Brexit. Ndikimi i këtij fluksi në vendet e punës, strehim, financat publike dhe në shumë drejtime të tjera është kontestuar ashpër.

Raporti prej 140 faqesh i Komitetit Këshillimor për Migracionin (MAC), përmban të vërteta si për skeptikët ashtu edhe për entuziastët e imigracionit. Sipas këtij raporti, migrantët duket se nuk ndikojnë fare në rritjen e nivelit të kriminalitetit, si dhe nuk kanë asnjë ndikim në cilësinë e kujdesit shëndetësor. Ardhjet e huaja nuk ndikojnë as në një rritje të ndjeshme të papunësisë në mesin e punonjësve britanikë, por në vend të kësaj, shkalla e papunësisë është në nivelin më të ulët të katër dekadave të fundit. Gjithashtu migrantët paguajnë më shumë taksa sesa do t’u takonte për të gjitha shërbimet publike që ata përfitojnë.

Nëse nuk do të kishte migrim, raporti i varësisë së Britanisë (numri i personave mbi 65 vjeç në 1,000 banorë në moshë pune) do të rritej nga 285 në 444 në 20 vjet. Me migrimin e vazhdueshëm neto prej 250,000 njerëzish në vit, raporti do të ishte 404.
Megjithatë, Komiteti Këshillimor për Migracionin (MAC) ka identifikuar disa probleme. Edhe pse migrimi ka ndikim të përgjithshëm në nivelin e pagave, ai e ul më poshtë nivelin e pagave për më të varfrit dhe e rrit nivelin e pagave më të larta. Sipas vlerësimeve të bëra në raportin e mësipërm vërehet se migrimi i BE-së që nga viti 2004, e ka ulur nivelin e pagës për më të varfrit me rreth 3% dhe e ka rritur po me të njëjtën përqindje nivelin e pagave të larta. Sa u përket financave publike, Komiteti Këshillimor për Migracionin (MAC) nuk është i bindur se suficiti që migrantët prodhojnë adresohet gjithmonë në vendet e duhura. Ai vë gjithashtu në dukje se kontributi i migrantëve mund të jetë më i madh nëse ata pranohen sipas një bazë më përzgjedhëse.

Fushat me luleshtrydhe, jo dhe për shumë gjatë

Gjatë gjithë raportit të MAC theksohet se ndikimet e migrantëve janë të ndryshme. Punonjësit me një kualifikim të lartë ndikojnë në rritjen e produktivitetit të firmave britanike, sepse ata sjellim me vete edhe ide të reja. Duke qenë se ata fitojnë më shumë, edhe taksat që paguajnë janë më të larta.

Ndërsa punonjësit që kanë një kualifikim të ulët, nuk sjellim me vete ndonjë ndryshim pozitiv për vendin ku ata shkojnë. Në raportin e MAC theksohet shqetësimi në lidhje me pasojat që ka sjellë zgjerimi i BE-së në 2004, duke argumentuar se që nga ajo periudhë, shkalla e migracionit të punonjësve me nivel të ulët ka qenë e lartë, shumë më e lartë se niveli që do të ishte caktuar në mungesë të lëvizjes së lirë. Në raport thuhet se Britania nuk ka arsye se përse të diskriminojnë emigrantët duke favorizuar ata që janë pjesë e BE-së ndaj atyre që nuk janë.

Zgjedhja e duhur që ky shtet mund të bëjë është që të bëjë një përzgjedhje në bazë të kualifikimeve të tyre. Raporti rekomandon edhe heqjen e numrit maksimal të emigrantëve të kualifikuar që mund të pranohen nga jashtë BE-së, që shkon në rreth 20,000 në vit, duke theksuar se kjo lëvizje dëmton ekonominë. Ndërsa për sa u përket emigrantëve me kualifikim të ulët, raporti rekomandon se i duhet dhënë fund sa më parë, duke argumentuar se punë të tilla që nuk kanë nevojë për një kualifikim të caktuar mund të bëhen nga vetë britanikët ose nga ata emigrantë, që vijnë për t’iu bashkuar familjeve të tyre. (Një skemë e punëtorëve sezonalë mund të shpëtojë bujqësinë, sugjerohet në raport).

Shoqata e Transportit të Mallrave, anëtarët e së cilës punësojnë emigrantë si shoferë, paralajmëroi se “dërgesat e ditëve të mëvonshme së shpejti do të ishin diçka e së kaluarës dhe çdo dërgesë do të bëhej brenda ditës”. Megjithatë, kompanitë mund të detyrohen të investojnë më shumë në teknologjitë e kursimit të punës, duke rritur produktivitetin e punëtorëve të tyre. Dhe, numri i madh i bizneseve të angazhuara në aktivitete me pagë të ulët dhe me produktivitet të ulët, nuk mund të përfaqësojë përdorimin më të mirë të kapitalit të Britanisë. Industritë që kanë përfituar nga emigracioni i punonjësve me nivel të ulët, nuk janë “domosdoshmërisht pjesë e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar” që kërkon të rritet në vazhdimësi, tha Alan Manning, kryetari i MAC.

Ideja e trajtimit në mënyrë të barabartë të emigrantëve të BE-së dhe të atyre që nuk janë pjesë e BE-së duket sikur përputhet me mendimin e qeverisë. Sekid Javid, sekretari i Brendshëm, ka deklaruar se do të dëshironte që pas Brexit, të harmonizonte migrimin e shtetasve të BE-së me ata që nuk janë pjesë e këtij bashkimi.

Theresa May, Kryeministrja e vendit, ka thënë se do të donte vendosjen e “një sërë rregullash për qytetarët që janë pjesë e Bashkimit Europian dhe për qytetarët jashtë Bashkimit Europian”. Propozimet e raportit të MAC patën mbështetjen e Partisë Laboriste, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë diskriminimit kundër emigrantëve jashtë BE-së. Megjithatë, në këtë raport theksohet se analiza ekonomike nuk merr parasysh konsideratat politike në lidhje me çështjen e emigracionit.

Problemet më të dukshme janë negociatat e Brexit. BE-ja do të preferonte të ruante lëvizjen e lirë të njerëzve midis saj dhe Britanisë, duke qenë se qytetarët e saj janë përfituesit më të mëdhenj të sistemit aktual. Në këmbim të aksesit preferencial, ajo mund të jetë e gatshme të ofrojë një marrëveshje më të mirë tregtare, si dhe të drejtën reciproke për britanikët me një nivel të ulët kualifikimi ose për ata që kanë dalë në pension, që të jetojnë dhe të punojnë në BE. E njëjta logjikë vlen edhe për vendet e tjera me të cilat Britania shpreson të arrijë marrëveshje tregtare pas Brexit.

India e ka bërë të qartë se dëshiron që emigrimi më i lirë të jetë një ndër prioritetet e ndonjë marrëveshjeje tregtare të ardhshme. Vitin e kaluar, komisioneri i lartë australian i atëhershëm sugjeroi që ai priste “akses më të madh për biznesmenët australianë” si pjesë e një marrëveshjeje të arritur.

Znj. May mund të vazhdojë të qëndrojë e bindur në idetë e saj dhe në pas Brexit, kjo mund të çojë në përmirësime modeste në krahasim me gjendjen aktuale, por megjithatë ajo do të kufizonte shumë fushën e marrëveshjeve tregtare të ardhshme, jo vetëm me BE-në, po më gjerë. Edhe këtë herë, Britania duhet të llogarisë faktin se marrja e kontrollit do të shoqërohet padyshim me një kosto për të paguar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne