Rreth 300 mijë veta falin Xhumanë në Mesxhidi Aksa

Edhe përkundër të gjitha pengesave të Izraelit, rreth 300 mijë palestinezë kanë vërshuar drejt Mesxhidi Aksasë në Jerusalem për ta falur me entuziazëm të madh xhumanë e dytë të muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Shejh Azzam al-Hatib, kryetar i Drejtorisë së Vakëfeve Islame, për AA tha se sot mbi 300 mijë palestinezë kanë falur namazin e xhumasë në kompleksin e Mesxhidi Aksasë.

Shejh Hatib theksoi se rreth 15 mijë palestinezë që kanë dashur ta falin namazin në Mesxhidi Aksa, kishin kaluar natën aty që nga dita e djeshme pas iftarit.

Nga ana tjetër, Shejh Ikrime Sabri, kryetar i Komitetit të Lartë Islam të Jerusalemit dhe një nga imamët e Mesxhidi Aksasë, i kritikoi me gjuhë të ashpër autoritetet izraelite për ndalimin e hyrjes në Aksa të palestinezëve nën moshën 40 vjeçare.

Dhjetra mijëra palestinezë arritën të hynë në Mesxhidi Aksa pas një udhëtimi disaorësh, pasi ushtarët izraelitë kishin mbyllur trafikun në rrugët në afërsi të Qytetit të Vjetër, duke lejuar vetëm kalimin e autobusëve.

Gjatë gjithë kësaj kohe, qindra policë izraelitë qëndronin në gatishmëri në rajonin brenda mureve të Qytetit të Vjetër dhe portat e Mesxhidi Aksasë.

Autoritetet izraelite penguan hyrjen në Jerusalem të meshkujve të moshës nën 40 vjeçare nga Bregu Perëndimor i rrethuar me Murin e Ndarjes (Murin e Turpit), ndërsa këtë javë lejuan kalimin e vetëm rreth 100 personave nga Rripi i Gazës.

Dhjetra mijëra palestinezë të kthyer mbrapa, edhe në muajin e Ramazanit e kanë të pamundur të dalin jashtë Bregut Perëndimor. Ndërkaq, ata që u lejuan të kalojnë, pritën në radhë të gjata për të kaluar në pikat ushtarake të kontrollit.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Më 13 tetor të vitit 2016, Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) miratoi projekt rezolutën sipas së cilës Judaizmi nuk ka lidhshmëri me Mesxhidi Aksanë. Vendimi ishte pranuar me 24 vota pro dhe 6 kundër./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne