Rreziku nga pishinat, Deda: Ka mbipopullim, nuk kanë kujdestarë noti

Pishinat mbipopullohen mbi kapacitetet që realisht ato kanë, nuk kanë kujdestarë për notin dhe ambiente të veçanta për dhënien e ndihmës së parë. Këto janë disa nga rezultatet e kontrollit të ushtruar nga inspektorati shtetëror shëndetësor kryer në këto subjekte në nivel kombëtar.

Eltar Deda: Ka mbipopullim nëpër to, sipërfaqja e këtyre pishinave nuk është e destinuar për një numër kaq të madh dhe ne në mënyrë kategorike nuk do të lejojmë asnjëherë që të ketë lëshime në këtë pikë. Së dyti, kemi vënë re se nuk ka kujdestar të licensuar nga Federata e Notit dhe nga institucione tjera si Kryqi i Kuq, në mënyrë të atillë qoftë për mësimin e notit, qoftë për dhënien e ndihmës së shpejtë. Së treti, nuk ka respektim të brezave higjieno-sanitar para se të përdoret pishina.

Cdo subjekt që nuk merr masa në këtë sezon, sipas kryeinspektorit Eltar Deda në bazë të ligjit do të gjobitet 500 mijë lekë dhe rrezikon mbylljen e aktivitetit.

Eltar Deda: Masat administrative arrijnë deri në mbylljen e aktivitetit.

Për sa i takon kontrolleve higjeno-sanitare, kryeinspektoi tha se janë marrë masa dhe nuk ka mundësi infeksioni apo epidemie.

Eltar Deda: Përderisa nuk kemi patur ndonjë shpërthim epidemik do të thotë që situata ka qenë nën kontroll dhe e njëjta gjë do të jetë edhe këtë rradhë.

Vetëm në Tiranë ushtrojnë aktivitetin rreth 150 pishina të ndara në olimpike, komplekse banimi, dhe ato kurative. Pas 15 qershorit pishinat do të hapen në masë për pushuesit, por inspektorati paralajmëron një sërë kontrollesh intensive për të plotësuar kushtet sipas ligjit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne