Rritet me 40 përqind numri i të pastrehëve në rrugët e Nju Jorkut

Numri i njerëzve që jetojnë në rrugët e Nju Jorkut u rrit me rreth 40 për qind këtë vit, ndërsa kryeqyteti financiar i Amerikës përpiqet të luftojë fenomenin.

Një sondazh vjetor zbuloi 3,892 njerëz në rrugë në natën e 6 shkurtit – 39 për qind më shumë se një vit më parë, njoftoi të mërkurën departamenti i qytetit të shërbimeve për të pastrehët.

Ky ishte numërimi më i lartë vjetor që nga viti 2005, duke vënë në qendër të vëmendjes një krizë të pastrehësh që ka zënë ngushtë kryebashkiakun Bill de Blasio, dhe që nënvizon pabarazinë masive të të ardhurave në qytet me më shumë miliarderë sesa çdo vend tjetër në botë.

Zyrtarët ia atribuan këtë rritje një dimri më të ngrohtë, rritjes së qirasë që tejkalon të ardhurat dhe një krize të vazhdueshme të strehimit të përballueshëm.

Të ardhurat mesatare të familjes u rritën me 4.8 përqind në dollarë realë krahasuar me një rritje mesatare të qirasë prej 18.3 përqind midis viteve 2005 dhe 2015, tha departamenti.

Nga viti 1994 deri në vitin 2012, Nju Jorku pa gjithashtu një humbje neto të mbi 150,000 njësive të stabilizuara me qera në të gjithë qytetin, shtoi ai.

“Ndërsa e dimë se kemi shumë punë për të bërë, ne po vazhdojmë të hapim më shumë objekte për të pastrehët në rrugë dhe po sigurojmë më shumë programe për njujorkezët me të cilat po i ndihmojmë të largohen nga rruga në një strehim të përhershëm”, tha de Blasio.

Organizata jofitimprurëse Koalicioni për të Pastrehët thotë se pak më shumë se 60,000 njerëz po flenë në strehimoret e Nju Jorkut çdo natë, dhe se vitet e fundit mungesa e strehimit në qytet ka goditur nivele që nuk janë parë që nga Depresioni i Madh i viteve ‘30.

Në nëntor 2015, Blasio njoftoi një plan prej 2.6 miliardë dollarësh për të ndërtuar 15,000 njësi të reja “strehimi mbështetës” për më të prekurit gjatë 15 viteve të ardhshme.

Departamenti tha të mërkurën se 500 njësitë e para të këtij plani do shfaqen online këtë vit për të adresuar më tej mungesën e strehimit. Nju Jorku është aktualisht shtëpi për 8.5 milionë njerëz. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne