Rritje page për 8 mijë ushtarakë

Vitin e ardhshëm mbi 8 mijë ushtarakë do të kenë një trajtim më të mirë financiar.

Në ceremoninë e posaçme të organizuar në komandën e Forcës Ajrore, në nder të 67 vjetorit të forcave ajrore, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vlerësoi si prioritet të kohës, ridimensionim e kësaj force në kuadër të reformimit të Forcave të Armatosura.

Ndërsa foli për një trajtim më të mirë financiar, vitin që vjen, ministrja vuri në dukje se investimi nuk do të jetë vetëm në aspektin teknologjik por edhe në atë profesional.

“Jo vetëm investimi në teknologji, por edhe trajtimi profesional i efektivëve tanë janë objektiva të përcaktuara qartë për FA-të në tërësi dhe për Forcën Ajrore në veçanti. Në vitin 2019, falë angazhimit të Kryeministrit dhe të qeverisë Shqiptare, mbi 8 mijë ushtarak do të kenë një trajtim më të mirë financiar dhe një vëmendje të shtuar”.

Sakaq, Xhaçka tha se edhe në tre vitet e fundit efektivët e FA, kanë asistuar në shpëtimin e jetës të më shumë se një mijë personave në rastet e emergjencës.

Më tej ajo foli edhe për investimin që do të bëhet sa i përket instalimit të sistemit të integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore shqiptare, për të cilën Shqipëria ka nisur punë me një prej kompanive më prestigjioze të industrisë ushtarake në botë.

“Instalimi i sistemit të integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore shqiptare, për të cilën ka nisur punë me një prej kompanive më prestigjioze të industrisë ushtarake në botë, do të jetë një komponent tjetër me rëndësi jetike, jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe për të gjitha vendet partnere në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha ministrja e Mbrojtjes.

Në ceremoninë e zhvilluar, në Komandën e Forcës Ajrore, në Rinas morën pjesë drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ushtarakë, ish-aviatorë si dhe familjarë të të rënëve në krye të detyrës.

Që prej krijimit, në Prill të vitit 1951 numërohen 41 pilotë të cilët kanë humbur jetën gjatë kryerjes së misionit të tyre dhe janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne