Çmimet e biletave të avionëve, në verën e këtij viti kapën majat. Të fluturoje nga Europa drejt Rinasit në fillim të gushtit, bileta në një drejtim arrinte deri në 300 euro. E njëjta gjë ndodhi dhe në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, ku ikja nga Shqipëria ishte tepër e shtrenjtë, rreth 250-300 euro drejt qyteteve të Italisë dhe 500 euro drejt Gjermanisë.

Dr. Rolf Castro-Vasquez, drejtor ekzekutiv (CEO) i Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion aeroportin e vetëm në vend, e pranon që çmimet e biletave në Shqipëri në verë janë një çmenduri. Por, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, ai thotë se kjo nuk ka të bëjë me tarifat e aeroportit, që janë gjithë vitin njësoj, por me trafikun e rritur në dy-tre muajt e verës.

“Ne nuk jemi të lirë, por nga ana tjetër, kjo nuk është e lidhur me çmimet e biletave. Çmimet e biletave, veçanërisht në kohën e verës, janë të shtrenjta, sepse ka shumë njerëz që duan të fluturojnë, jo sepse ne kemi tarifa të larta”.

Tirana International Airport është gjendur së fundmi nën presionin e institucioneve të ndryshme për uljen e tarifave, që konsiderohen si një nga arsyet e biletave të shtrenjta. Autoriteti i Aviacionit Civil pohon se tarifat e larta që aplikon koncesionari pengojnë shtimin e linjave dhe hyrjen e operatorëve low cost. Qeveria, nga ana e saj, ka hapur së fundmi një tender për të audituar ecurinë e koncesionit për më shumë se një dekadë, saktësisht nga 2004 deri në vitin 2017.

Auditimi synon të skanojë ecurinë e zbatimit të kontratës së nënshkruar mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit, duke pasur parasysh treguesit kyçë, si investimet, detyrimet, normën e fitimit dhe rikthimit të kapitalit, si dhe sa është respektuar përqindja e rënë dakord në planin fillestar të biznesit.

Nga ana e tij, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar qeverisë që të rishikojë pagesat e shërbimeve të Aeroportit të Rinasit çdo tre vjet si një pikë që e sanksionon kontrata e lidhur mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit.
Por, CEO i koncesionarit të Rinasit, ngul këmbë që nuk janë tarifat e aeroportit arsyeja e biletave të larta. Edhe nëse ulen tarifat, “çmimet e biletave nuk do të ndryshojnë. Nuk do ta kuptoni asnjëherë, por ato nuk kanë për të ndryshuar”, pohon ai.
Një zhvillim pozitiv është thyerja e monopolit të furnizimit me karburant, teksa një operator i dytë do të fillojë të funksionojë këtë javë.

Si ka qenë ecuria e TIA-s për muajt e deritanishëm të 2018-s dhe pritshmëria për në vijim?

Ecuria në pjesën e parë të këtij viti ka qenë pozitive. Numri i pasagjerëve është rritur me 13% për tetëmujorin, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të turistëve, nga Republika Çeke, Polonia, Izraeli. Ata kanë kryesisht si destinacion hotelet në Durrës dhe nuk shkojnë më tej, sidomos turistët nga Republika Çeke. Nga ana e aeroportit, ne jemi në rregull me këtë trafik. Problemi ynë i vetëm është se vijnë në të njëjtën kohë.
Edhe pritshmëritë për fluksin në vijim, deri tani janë pozitive.

Gjatë muajve të verës u konstatua një rritje e lartë e çmimeve të biletave (për në Shqipëri në fillim të gushtit dhe nga Shqipëria në gjysmën e gushtit). Si e shpjegoni ju këtë rritje?

Përgjigjja lidhur me këtë pyetje të drejtë është se nuk ka vende dhe prandaj ka çmime të larta.

Pse nuk shtojnë fluturimet operatorët?

Sepse ata nuk kanë avionë të mjaftueshëm për në verë. Ata veprojnë në një treg ku ka kërkesë të lartë për dy apo tre muaj. Në këto raste, ata nuk kanë avionë të tepërt vetëm për këta dy-tre muaj. Ata i bëjnë planet e fluturimeve që në prill deri në tetor. P.sh., Austrian Airlines ka destinacionet e caktuara, duhet të fluturojë në Spanjë, Francë, etj., dhe si rrjedhojë nuk ka avionë të tepërt.
Kompanitë e bëjnë planifikimin për gjysmë viti dhe nuk shtojnë avionë vetëm për dy muaj e gjysmë. Ka pasur fluturime shtesë, që kanë qenë charter.

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) thotë se kompanitë nuk shtojnë fluturimet për shkak të tarifave të larta të aeroportit…

Kjo nuk ka të bëjë fare. Kompanitë nuk paguajnë vetëm tarifat e Aeroportit të Rinasit, por janë dhe tarifat e qeverisë, ku taksa e kalimit të kufirit prej 10 eurosh është fikse si dhe tarifat e sigurisë. Sigurisht që kompanitë low cost thonë se vijmë nëse keni çmime të ulëta, por kjo nuk është domosdoshmëri. Dhe ne kemi 50% të kompanive që janë low cost, që veprojnë në Aeroportin e Rinasit.

Nëse mund të krahasoni tarifat që kompanitë ajrore paguajnë në Maqedoni dhe ato në Shqipëri. Sepse në Maqedoni, çmimet e biletave janë shumë më të ulëta se në Shqipëri…

Në Shkup, kompanitë marrin para shtesë nga shteti. Kompanitë ‘start up’ mund të aplikojnë dhe të marrin para nga shteti. Ndërsa ne jemi kompani private. Ajo që ne bëjmë është se kur ka rrugë të reja ofrojmë tarifa speciale. Por ne nuk e bëjmë këtë për rrugët ekzistuese. P.sh., nuk ofrojmë tarifa më të ulëta për Vjenën, sepse fluturimet për atje janë plot. Por, nëse fillon një kompani fluturimet p.sh., nga Izraeli, japim çmime speciale.

Nuk është vetëm Maqedonia, i gjithë rajoni ka çmime biletash më të lira sesa ne, po të bësh një kërkim të thjeshtë në internet në çfarëdolloj kohe…

Por çmimet e biletave caktohen nga kompanitë ajrore. Nuk e di pse gjithmonë na pyesin ne. Këtu është infrastruktura qendrore dhe ato mund të vijnë. Nuk është problemi im, që ato ofrojnë çmime të larta. Ne nuk jemi të lirë, por nga ana tjetër, kjo nuk është e lidhur me çmimet e biletave. Çmimet e biletave, veçanërisht në kohën e verës, janë të shtrenjta sepse ka shumë njerëz që duan të fluturojnë, jo sepse ne kemi tarifa të larta. Sepse në dimër mund të fluturosh me 99 euro dhe ne kemi ende të njëjtat tarifa.
Këtë po ju thosha dhe më parë. Çdo verë ne kemi të njëjtin diskutim. Dhe për mua është shumë e çuditshme që Aviacioni Civil bën komente të tilla.
Duhet të keni parasysh se në 13 vjet të aktivitetit, ne nuk i kemi rritur asnjëherë tarifat. Ato janë të njëjta. Dhe tani, prej 5 vitesh, ka ankesa se jemi shumë të shtrenjtë.

Biletat e shtrenjta

Çmimet e biletave caktohen nga kompanitë ajrore. Nuk e di pse gjithmonë na pyesin ne. Këtu është infrastruktura qendrore dhe ato mund të vijnë. Nuk është problemi im, që ato ofrojnë çmime të larta. Ne nuk jemi të lirë, por nga ana tjetër, kjo nuk është e lidhur me çmimet e biletave. Çmimet e biletave, veçanërisht në kohën e verës, janë të shtrenjta, sepse ka shumë njerëz që duan të fluturojnë, jo sepse ne kemi tarifa të larta

 

Taksat e larta janë një tjetër faktor që mban larg dhe hyrjen e operatorëve low cost, po sipas AAC. Cili është komenti juaj?

Është e njëjta logjikë që ju thashë dhe më parë. Ne kemi kompani low cost në aeroport. Kemi Wizz Air, kemi Blu Panorama, Ryanair, Transavia, Ernest, AlbaWings, që është një kompani shqiptare. Easy Jet mungonte deri tani. Pra ne kemi pjesën më të madhe të low cost. Nëse kompanitë low cost nuk shesin bileta të lira, kjo ndodh sepse ato arrijnë të marrin një çmim të mirë, kjo nuk ka lidhje me tarifat tona.

Nëse një kompani low cost p.sh., vjen dhe do të paguajë 15 euro si tarifë, TIA duhet t’i japë nga kjo 10 euro qeverisë dhe 4 për sigurinë. Atëherë ne duhet të marrim vetëm një euro, sepse kjo është një low cost?! Nëse qeveria do, atëherë mund ta fillojë duke hequr 10 euroshin. Por për momentin, unë kam kontratë dhe duhet të mbledh të njëjtat tarifa nga të gjithë. Do të kishte thyerje të kontratës që kemi me qeverinë, nëse u jepen tarifa të ndryshme kompanive të ndryshme.

Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar sërish së fundmi qeverisë që të rishikojë pagesat e shërbimeve të Aeroportit të Rinasit çdo tre vjet si një pikë që e sanksionon kontrata e lidhur mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit. Pse nuk janë rishikuar këto pagesa?

Ne kemi pasur mundësi çdo tre vjet që të rishikonim këto tarifa, por nga ana jonë, ne vetëm mund t’i rrisnim ato, por jo t’i ulnim ato. Dhe ne këtë nuk e kemi bërë asnjëherë.

Po pse nuk i rishikoni në ulje?

Të reduktojmë tarifat? Sepse kjo është në varësi të asaj që ne duam të bëjmë në të ardhmen. Ne na duhen para për të zgjeruar aeroportin.

Qeveria ka hapur së fundmi një tender për të audituar ecurinë e koncesionit për më shumë se një dekadë, saktësisht nga 2004 deri në vitin 2017. Si e vlerësoni këtë lëvizje të qeverisë?

Qeveria kërkon që të bëjë një audit dhe ta diskutojë me ne. Unë këtë e gjej pak të çuditshme të them të drejtën, pas kaq shumë vitesh. Në këto 13 vjet që ne kemi qenë këtu, kemi pasur shumë aktivitete informale rreth aeroportit dhe nuk ka pasur reagim nga qeveria, as për parkingjet e paligjshme, karburantin, edhe godina afër nesh që është kundër rregullave të sigurisë. Dhe tani është e çuditshme që duan të bëjnë këtë audit.

Nëse qeveria gjen në këtë audit që ju fitoni shumë, dhe nëse qeveria vendos t’ju ulë tarifat, si do të reagoni?

Së pari le të shohim, nëse do ta bëjnë, ose nëse kanë të drejtë ta bëjnë dhe më pas do ta diskutojmë se si do të veprojmë.

Por, në çdo rast, norma juaj e fitimit është shumë e lartë, ajo bruto e kalon 40%, nuk jeni të kënaqur me këtë?

Nuk është kaq e lartë. Pastaj ne kemi hua për të paguar nga BERZH. Po mendojmë që të bëjmë investime. Pastaj edhe qeveria merr përfitimin e saj. Ne i japim qeverisë pjesën për të cilën kemi rënë dakord. Nëse qeveria mendon se janë shumë të ardhura, mund ta kishte thënë përpara.

Nëse do të fitonit më pak, qeveria do të ishte sërish e lumtur, pasi çmimet e biletave do të ishin më të lira…

Çmimet e biletave nuk do të ndryshojnë. Nuk do ta kuptoni asnjëherë, por ato nuk kanë për të ndryshuar. Tarifat e aeroportit janë vetëm një pjesë e vogël e çmimit të biletës. Ne nuk kemi të bëjmë me biletat, ato caktohen tërësisht nga kompania ajrore. Janë 6 apo 7 komponentë që përbëjnë çmimin e biletës. Dhe nuk e kuptoj as këtë debat që bëhet në verë për çmimet e biletave. A shkruani ndonjëherë në revistën tuaj se sa janë çmimet e hoteleve në Sarandë, në verë?

Po në Sarandë ka mundësi zgjedhjeje për hotelet, është treg i lirë, nëse do të fluturosh është vetëm Rinasi, që e keni me koncesion, nuk është e njëjta gjë…

Unë paguaj për një hotel në Sarandë në tetor ose nëntor edhe 60 euro. Nëse dua të shkoj në verë, për të njëjtin hotel, duhet të paguaj 150 apo 160 euro. Pra nëse shkoj në Jug, në verë, nuk arrij të marr një hotel për një çmim të arsyeshëm. Ndërsa aeroporti, si në verë ashtu dhe në dimër, ka të njëjtat tarifa. Pra të njëjtat tarifa kam edhe në gusht, por në gusht çmimet e biletave janë 10 herë më të shtrenjta. Atëherë pse vijnë tek unë?!
Edhe Maqedonia ka të njëjtat tarifa gjithë vitin, por ajo merr subvencione nga shteti, ndaj janë biletat e lira.
Vitin e kaluar, ne kemi pasur çmime të lira, 49 euro, më lirë se Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova. Por këtu vetëm na fajësojnë ne.
Ajo që ndodh këtu në verë është çmenduri. Kompanitë këtu rrisin çmimet e biletave dhe ne duhet të paguajmë faturën.

Në projekt është hapja e një aeroporti në Vlorë. Si pritet të ndikojë hapja e këtij aeroporti në rritjen e konkurrencës dhe ecurinë e aktivitetit të TIA-s?

Deri tani, nuk dimë gjë konkrete. Por në çdo rast, në rast se Vlora do të hapet, ne presim që një pjesë e trafikut, midis 22-32% t’i kalojë këtij aeroporti, sidomos për operatorët që transportojnë turistë. Është gjithashtu dhe çështja e tarifave. Sipas marrëveshjes koncesionare, ata duhet të kenë të njëjtat tarifa si dhe ne.

Në rast se Vlora funksionon, si do të ndikojë kjo në planet tuaja për të investuar?

Nëse Vlora funksionon, ne do të shohim se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Ne tani dimë vetëm ato që janë thënë në media se çfarë duan të bëjnë dhe si do ta bëjnë. Por, deri tani, nuk ka pasur bisedime konkrete me ne.
Ne po bëjmë planifikime dhe diskutime se si të përmirësojmë infrastrukturën e aeroportit tonë, por në rast se bëhet Vlora dhe merr rreth 30% të trafikut tonë do të jetë e vështirë.

Planet për investime varen nga Vlora

Nëse Vlora funksionon, ne do të shohim se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Ne po bëjmë planifikime dhe diskutime se si të përmirësojmë infrastrukturën e aeroportit tonë, por në rast se bëhet Vlora dhe merr rreth 30% të trafikut tonë, do të jetë e vështirë.

Pra, ndoshta do të rishikoni planet për investime?

Po, jam i sigurt. Varet gjithashtu dhe nga kapaciteti akomodues i Vlorës. Nëse duhet të fluturosh, atje duhet të kesh kapacitet akomodues për njerëzit. Nuk e di sa hotele ka atje rrotull, sepse nuk ka kuptim të shkosh nga Vlora në Durrës si pasagjerë.

Po për sa i përket Air Albania, kur pritet të fillojnë?

Nuk e kam idenë, ata nuk janë në diskutime me ne. Ata po bëjmë udhëtime promocionale për momentin. Për ne, është mirë që të kemi Air Albania. Jam i kënaqur dhe nga destinacionet që ata kanë njoftuar, do të jetë një gjë e mirë. Kam parë dhe avionët dhe ishin shumë të mirë.

Por, deri tani, ata nuk kanë dorëzuar ndonjë plan fluturimi?

Jo, për momentin. Ata erdhën në qershor dhe na njoftuan për planet e tyre, po vetëm kaq.

Cilat janë kompanitë që duan të hyjnë në Shqipëri, a mund të na jepni disa emra?

Po. Njëra është ‘Germania’, një kompani low cost nga Gjermania. Ata kanë interes për të fluturuar në disa rrugë drejt Gjermanisë. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë për ne. Ata do të konkurrojnë dhe me Kosovën. Shpresojmë që të kemi një kompani nga Zvicra dhe jemi në diskutimet e fundit dhe me të përfunduar ata, do t’ju them emrin. Edhe Air Albania do të jetë një nxitje e madhe për tregun, sepse ashtu siç ka thënë edhe kryeministri do të kenë fluturime direkte për në Nju Jork. Por nuk e shoh me interes zonën rreth nesh, pasi njerëzit përdorin makinën. Ndërsa tregu italian do të varet nga biletat, nëse ato do të jenë të lira.

Operatorë të rinj

Njëra është ‘Germania’, një kompani low cost nga Gjermania. Ata kanë interes për të fluturuar në disa rrugë drejt Gjermanisë. Shpresojmë që të kemi një kompani nga Zvicra dhe jemi në diskutimet e fundit…

Po për çmimet e karburanteve, kur pritet të fillojë aktivitetin furnizuesi i dytë?

Brenda pak ditësh do të fillojë nga funksioni operatori i dytë për furnizimin e avionëve me karburant dhe kjo do të ndikojë në çmime. Do të jetë një operator shqiptar. Ishte shumë e vështirë të gjeje një furnizues në vitin 2005, kur ne filluam aktivitetin këtu. Në vitin 2007, ne tentuam që të kishim një kompani të dytë por nuk kishte interes. Tani jemi në një situatë më të mirë, sepse ka më shumë trafik, por sërish investimi është i konsiderueshëm.

Qeveria ka në plan të vërë në funksionim, përveç Vlorës, edhe aeroportin e Kukësit dhe një në Sarandë. A ka treg Shqipëria për katër aeroporte?

E shoh me interes Sarandën. Ka shumë turistë, sidomos në periudhën e verës. Për Kukësin, nuk e di. Ne bëmë një studim vite më parë, kur kishim një diskutim me qeverinë demokratike. Në Kukës, nuk ka shumë pasagjerë dhe duhet të konkurrojë me Kosovën. Edhe pista e avionëve nuk është mjaftueshëm e gjatë, kështu që do të duhet të rindërtohet. Është gjithashtu dhe elementi i erës dhe maleve.

Për Vlorën e diskutuam më lart. Kur ke turistë, ke nevojë për pak më shumë burime, më shumë hotele. Nëse ke 20 fluturime në javë, që sjellin 4000-8000 turistë, keni nevojë për hotele. Vendi është shumë i bukur, njerëzit janë të këndshëm, por keni nevojë për infrastrukturë. Dielli dhe deti nuk janë të mjaftueshëm. Keni nevojë për restorante, vende ku të argëtohen fëmijët.

14