Ruci si “xhelat” me rregulore në Parlament

Një gjë është e sigurt, Gramoz Ruçi nuk është Ilir Meta në drejtimin e Kuvendin. Ky i fundit ishte mëse tolerant me opozitën. Por Gramoz Ruçi, si kryetar Kuvendi, është shumë larg modelit ‘Meta’. Edhe pse ka pak ditë në këtë pozicion, ai ka qartësuar qëndrimin me të cilin do të drejtojë sallën e Kuvendit. Ruçi qysh ditën e parë kur mori detyrën është shfaqur serioz, i prerë dhe aspak tolerant. Kjo u pa më së miri kur i ndërpreu fjalën Berishës në seancën e parë planare të datës 12 shtator.

Ulu zoti Berisha, i the të gjitha at që kishte për të thënë. Mos më detyro që në këtë seancë të vijoj marrjen e masave që parashikon rregullorja. Zoti Berisha, ulu mos e tepro tani, as në planin etik dhe as në atë procedural”, – iu është drejtuar Ruçi ish-kryeministrit.

Deri dje ishim mësuar që ish-kryeministri të fliste në Kuvend edhe duke e kaluar kohën e përcaktuar për diskutim apo replikë, por me nisjen e sesionit të ri Berishës duket se “po ia pret gjuhën” Gramoz Ruçi.

2 javë më vonë, në seancën plenare të datës 28 shtator, Ruçi ia ndërpreu sërish fjalën Berishës, i cili tentoi të fliste nga vendi ku ishte ulur.

Çdo tentativë për të ndërprerë fjalën time, ndëshkohesh z. Berisha” – i tha Ruçi Berishës

Jo me larg se një javë më parë, Ruçi bëri të njëjtën gjë me kreun e opozitës Basha, i cili kërkoi që debati për reformën zgjedhore të mbahej pasdite. Kërkesa nuk u pranua nga Ruçi, gjë e cila shkaktoi bllokimin e foltores së Kuvendit nga Basha dhe deputetët e PD-së. Pas disa paralajmërimesh, Gramoz Ruçi vendosi ta shtyjë diskutimin për seancën e javës tjetër, si dhe përjashtoi Bashën nga Kuvendi.

Mos pushtoni foltoren se sipas rregullores ndëshkohesh dhe nuk dua ta nis seancën me ndëshkimin tuaj si deputet. Zoti Basha uluni ju lutem. Edhe njëherë ju bëj apel, zoti Basha! Atëherë jap masën e përjashtimit nga seanca plenare të deputetit Lulzim Basha”, – tha Ruçi.

Këto zhvillimet sollën edhe tensionet e sotme në seancën e paradites e cila po ashtu u ndërpre për shkak të incidenteve. Diskutimi për reformën zgjedhore ka degjeneruar në sherr mes opozitës dhe mazhorëncës, ku, ngjashëm me Bashës javën e kaluar, Flamur Noka i PD-së bllokoi foltoren e Kuvendin. Noka u ngrit me pretendimin se Rama shau Berishën. I menjëhershmë ishte edhe reagimi i Ruçit, i cili përjashtoi Nokën nga seanca dhe i shtyu punimet e parlamentit për në orën 17:00. Kështu, dy seancat e fundit në parlament kanë degjeneruar në akuza, përplasje, fyerje dhe ndërprerje.

Opozita tashmë ka një ‘armik’ të ri në Kuvend, Gramoz Ruçin, i cili ka bërë 3 ‘dëshmorë’ nga deputetët e PD-së, Lulzim Bashën, flamur Nokën dhe Sali Berishën.

Por pse kjo sjellje kaq e ashpër dhe e prerë e Ruçit ndaj opozitës?

Versionet janë disa. Mos vallë Rama e emëroi Ruçin në krye të Kuvendin pikërisht për këtë detyrë; të bënte zap opozitën?

Ndoshta, kjo është mënyra e Ruçit për të thënë se ai e drejton sallën e Kuvendit dhe nuk lejon të bëjë opozita ç’të dojë?

Apo mos vallë ai thjeshtë po respekton rregullorën më përpikëmëri e rreptësi dhe kjo gjë nuk i pëlqen kahut kundërshtër.

Ajo që duket se do të mbetet fakt është se për opozitën, koha e ‘tolerantit’ Meta ka përfunduar dhe epoka e gardianit Ruçi sapo ka filluar. © Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne