Olsi Jazexhi

1.
Më datë 27 prill 2017 në Moskë Grupi i Vizionit Strategjik “Rusia – Bota Islame”, që vepron nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë kishte ftuar një numër gazetarësh dhe studiuesish nga vendet muslimane për të diskutuar mbi fenomenin e ekstremizmit në botën islame. Të ftuarit ishin nga Shqipëria, Egjipti, Irani, Kuvajti, Maroku, Algjeria, Kanadaja, Katari, Sudani, Libani, Turqia, Indonezia, Bangladeshi, Iraku, Bahreini, Uzbekistani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Taxhikistani. Përfaqësues për Shqipërinë në këtë forum isha unë. Ftesa si gazetar dhe publicist që mu bë nga organizatorët nga Rusia me surprizoi dhe gëzoi jashtë mase. Prej vitesh kam ëndërruar të vizitoja Rusinë, vend i cili me historinë dhe madhështinë e tij magjeps çdo studiues të fesë dhe historisë.

Ftesa për të marrë pjesë në Forumin e III-të me titull “Gazetarët nga vendet myslimane kundër ekstremizmit” ishte një surprizë edhe më e madhe për mua. Që prej vitit 2012 unë kam kontribuar me shkrime dhe debate në median shqiptare dhe në internet kundër xhihadizimit dhe manipulimit që i bëhet muslimanëve nga vende të caktuara perëndimore dhe arabe.

2.
Për në Moskë u nisa në datë 26 prill. Pasi kisha marrë vizën në konsullatën ruse më 24 prill, organizatorët më kishin nisur një biletë me Turkish Airlines-in. Udhëtimi im ishte tranzit nëpërmjet Stambollit. Pasi u nisa nga Tirana dhe ndërrova avion në Stamboll, rruga drejt Moskës dukej më intriguese se kurrë. Në avionin nga Turqia për në Rusi u ndesha me rusët. Rusët janë një popull shumë i bukur. Të gjatë, shumica bjonde dhe sykaltër, pak të egër dhe të mbyllur në evroazianizmin e tyre, ata janë populli me pak i njohur nga ne në Evropë. Avioni Stamboll – Moskë të linte përshtypje. Ndryshe nga linjat e tjera që unë udhëtoj, ku nëpër avion dikush sheh njerëz me ngjyra dhe raca nga më të ndryshmet, avioni për në Moskë kishte vetëm ruse të bardhë dhe tek tuk ndonjë turk apo kaukazian. Avioni i Turkishit u ul në Moskë në aeroportin e Domodedovos. Një aeroport fringo i ri, i cili edhe pse kishte përmasa shumë gjigande dukej shumë bosh. Rrugës për në Moskë bisedova me një historian katolik italian i cili shkonte në një konferencë shkencore mbi katolicizmin dhe orthodhoksinë.

Kur zbrita në Moskë, dhe më stampuan pasaportën u habita të shoh që titulli zyrtar i leje hyrjes që mora tregonte që viza ime ishte e vlefshme edhe në Bjellorusi pasi Bjellorusia konsiderohej si një shtet në union me Federatën Ruse. Pasi dola nga terminali takova një shofer të atashuar me organizatën “Rusia – Bota Islame” i cili më mori sëbashku me një gazetar nga Bangladeshi dhe na çoi në hotelin President, hotel i cili është nën administrimin e qeverisë ruse. Sapo zbrita në Moskë, koha më habiti. Ndryshe nga ne në Ballkan, ku Allahu na ka bekuar me klimë të ngrohtë dhe shumë diell, në Moskë ishte ftohtë. 5 gradë. Qielli i mbushur me re gri dhe binte shi. Klima e Moskës i ngjante shumë klimës së Kanadasë. Edhe pse gjatë qëndrimit tim nuk pashë dëborë, sërisht vendi ishte shumë i ftohtë.

Pas aeroportit u transportuam për në hotel. Hotel presidenti më mahniti me dy gjëra: E para ishte vjetërsia dhe arkitektura e tij sovjetike, dhe e dyta ishte niveli i lartë i sigurisë. Dhomat e hotelit ishin shumë të mëdhaja, të dizanjuara sipas modeleve sovjetike dhe mua më nxorrën mallin e hotel Dajtit dhe Tiranës në vitet 90. Përballja me këtë hotel të vjetër, më bëri të paramendoj që e gjithë Moska ishte e vjetër sikur ky hotel. Megjithatë, ditën tjetër kur dola nëpër qytet pashë që Moska ishte një qytet shumë modern, i zhvilluar dhe madhështor.

3.
Në 27 prill organizatorët nisën punimet e Forumit. Gazetarë dhe studiues nga 18 vende muslimane dhe perëndimore u mblodhën në një nga sallat e hotelit. Të ftuarit në konferencë ishin gazetarë dhe diplomatë me rëndësi në botën islame. Producentë televizionesh dhe gazetash të fuqishme, diplomatë, ministra dhe negociatorë organizatash ndërkombëtare.

Punimet e forumit i hapi ambasadori Veniamin Popov, një diplomat me eksperiencë në Ministrinë e Jashtme ruse i cili kishte shërbyer për vite me radhë si ambasador i Rusisë në shumë vende arabe. Popovi që njihte mirë arabishten, njihte vendet dhe kulturën arabe në mënyrë të habitshme. Pasi mirëpriti të ftuarit, shpjegoi qëllimin e takimit, fjalën përshëndetëse z. Popov ia dha Zv.Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Mihail Bogdanov. Në fjalimin e tij, z. Bogdanov vuri në pah fenomenin e ekstremizmit i cili është zhvilluar në ditët tona në Lindjen e Mesme dhe rëndësinë që Rusia i jep këtij kërcënimi. Ai kërkoi ndihmën e gazetarëve në luftimin e këtij fenomeni dhe vuri në pah që Islami nuk ka lidhje me terrorizmin. Fjalimi i z. Bogdanov u ndoq nga prezantimi i nënkryetares së Këshillit Shtetëror të Tatarstanit, Rima Ratnikova. Rima ashtu sikur edhe shumë zyrtarë të tjerë rusë vunë në pah që Rusia është pjesë e botës së Islamit. Në Rusi Islami është feja e dytë, ndërsa në Republikën e Tatarstanit është fe zyrtare. Rima prezantoi institucionet publike që predikonin Islamin në Tatarstan, mediat, radiot, institucionet dhe organizimet e tjera që republika e Federatës Ruse kishte ndërtuar për të propaganduar Islamin. Pas Rimës, fjalën e mori muftiu i Moskës, Albir Krganov i cili mbrojti Islamin nga terrorizmi dhe shpjegoi sesi grupet ekstremiste nuk përfaqësojnë Islamin.

Ndryshe nga ne në Shqipëri, ku kryeministri ynë katolik Edi Rama, nxiton vend e pa vend që të sulmoj Islamin, zyrtarët rusë ishin shumë të kujdesshëm në prezantimet e tyre. Ata, për habinë time, deklaronin që Rusia është vend musliman, pjesë e botës islame dhe e trajtonin Islamin si fenë e Rusisë. Vinin në pah sesi Rusia ka ndaluar karikaturat kundër profetit Muhamed, mbron ligjërisht shenjtëritë e Islamit dhe Kuranin, dhe sesi gazetarët këshilloheshin që të mos përdornin terma sikur “terrorizmi islamik”, “islamistët” etj, por e ndanin Islamin nga ekstremizmi.

4.
Të ftuarit e huaj të cilët vinin nga vende të ndryshme islamike, prezantuan problematikat me të cilat Islami dhe muslimanët përballen në vendet e tyre. Gjatë konferencës pati edhe tensione mes prezantuesëve, ku herë pas here konfliktet e vendeve arabe dhe lufta civile që behët aty, shihej në tonet e prezantimeve.

Si përfaqësues i Shqipërisë, unë isha pak a shumë i jashtëm në konfliktet e botës muslimane. Në fjalimin tim, ndërsa vura në pah proçesin e radikalizimit të muslimanëve në Shqipëri dhe në Ballkan, tregova burimet e këtij radikalizimi. Vura në pah sesi shumica e xhihadistëve shqiptarë mësimet i kishin marrë nga Arabia Saudite dhe sesi në proçesin e tyre radikalizues një rol vendimtar kishin luajtur mediat perëndimore, amerikane dhe al-jazeera të cilat e kishin portretizuar shtetin sirian si diktatorial dhe xhihadistët në fillim i kishin portretizuar si luftëtarë të lirisë. Por, ftuesëve të mi rusë unë u tregove që ne në Shqipëri si vend anëtar i NATO-s që jemi problem nuk kemi vetëm radikalizmin islamik. Kryeministri dhe ministrja jonë katolike e mbrojtjes, në samitet e NATO-s dhe BE-së që ata marrin pjesë, thonë që Shqipëria kërcënohet nga dy rreziqe: Rusia dhe radikalizmi islamik. Pra armiq për ne nuk janë vetëm islamikët por edhe rusët, u thashë miqve rusë. Tregova që ndërsa në Shqipëri, shteti ynë ka burgosur disa simpatizantë të xhihadit në Siri, në anën tjetër strehon dy organizata të tjera terroriste të cilat kanë mbështetje shtetërore. Ndërsa në vitet 2011 sundimtarët tanë amerikanë mbështesnin xhihadistët sirianë, në ditët tona amerikanët mbështesin në Shqipëri organizatën e muxhahedinëve iranianë, një tjetër organizatë terroriste e cila bën thirrje për luftë kundër Iranit, por që mediat tona dhe sundimtarët tanë amerikanë na e shesin si organizatë demokratike.

Unë vura në pah që në luftën kundër terrorizmit ka shumë hipokrizi dhe standarte dyfishe. Perëndimi disa grupe terroriste i mbështet ndërsa disa të tjera i lufton. Terrorizmi islamik është një armë strategjike e NATO-s i cili përdoret për të shkatërruar botën islame. Si musliman dhe besimtar i Allahut që jam, unë vura në pah që Islami, feja ime nuk ka lidhje me terrorizmin. Por është politika e perëndimit dhe disa regjimesh arabe ajo që është fajtore për radikalizimin e muslimanëve. Dhe meqë isha në Moskë, unë përshendeta qëndrimin principalist të Rusisë së krishterë kundër terrorizmit dhe përpjekjet e saj për ti bindur arabët dhe muslimanët që ta duan dhe mos e luftojnë njëri tjetrin. Prezantimi im u mirëprit nga kolegët rusë, dhe muftiu Albir Krganov më përgëzoi personalisht.

5.
Mesa kuptova, qëllimi i organizatës “Rusia – Bota Islame” dhe i takimit mbi “Gazetarët nga vendet myslimane kundër ekstremizmit” ishte një përpjekje e qeverisë ruse për të shprehur shqetësimin e saj në lidhje me konfliktin fetar që sot ka pushtuar botën islame dhe shpjeguar përpjekjet e Rusisë për të sjellë paqe në Siri, Egjipt dhe Libi. Të ftuarit turq, arabë dhe iranianë tregonin një respekt jashtëzakonisht të madh për Rusinë. Ata e shikonin qeverinë e Moskës me respekt dhe dukej sikur kuptonin shqetësimin që ka Rusia sot për zjarrin që amerikanët i kanë vënë Lindjes së Mesme. Në këtë takim unë isha pak i huaj. Vija nga një vend NATO-ist, koloni amerikane dhe armiqësor me Rusinë. Një vend të cilin kryeministri ynë katolik Edi Rama refuzon që ta quaj vend musliman edhe pse 60% e shqiptarëve janë musliman. Pra ndryshe nga Rusia e cila e tregon veten si vend të botës islame, Shqipëri zeza nga vija unë jo vetëm që e sheh Rusinë si një shtet armik por refuzon edhe që të njohë përkatësinë fetare të ne, shqiptarëve.

6.
Pas mbarimit të konferencës, unë vizitova edhe Moskën. Vizitova Kremlinin, Katedralen e Krishtit Shpëtimtar, statujën e Pjetrit të Madh pranë lumit Moskva dhe Gorki Parkun e këngës Winds of Change të Scorpionsave.

Kudo që shkelja nëpër Moskë shihja histori, pushtet, madhështinë e historisë ruse. Rusët janë popull hijerëndë. Të bindur ndaj pushtetit të Kremlinit por krenar për historinë e tyre madhështore. Ndërsa vëzhgoja muret e larta të Kremlinit, kishat hijerënda që shtriheshin përgjatë lumit Moskva dhe policët e ushtarakët e shumtë që ruanin selinë e perandorisë ruse, u mahnisja kur mendoja që ky popull kontinental ka arritur që përgjatë historisë të jetë një nga popujt më me influencë në historinë e njerëzimit. Pyesja veten si kanë mundur rusët që të nisen që nga vendi i tyre i zymtë dhe i ftohtë dhe të arrinin deri në muret e Kostandinopojës dhe në portet e Shqipërisë.

Rusët ashtu sikur edhe nordikët gjermanë, amerikanë dhe britanikë janë popuj të disiplinuar dhe ndryshojnë nga ne dembelët e Ballkanit. Ndërsa ne në Ballkan shijojmë me përtaci klimën e mirë, detin, diellin dhe ushqimet fantastike që kemi, rusët jo vetëm që luftojnë dhe kanë nënshtruar natyrën e egër ku jetojnë, por që nga vendi i tyre i largët, ashtu sikur edhe amerikanët përtej oqeanit kanë arritur që të kthehen në një nga fuqitë më të mëdha të botës. Rusët kanë ditur që përgjatë historisë së tyre jo vetëm të nënshtrojnë natyrën, por shpesh edhe historinë dhe fatet e njerëzimit.

Kuptohet që rusët nuk kanë qenë gjithnjë bujarë me popujt e tjerë përgjatë historisë. Megjithatë, në ditët e sotme, kur amerikanët e kanë vënë në flakë të gjithë Lindjen e Mesme dhe nuk lënë qeveri e shtet rehat nëpër botë, unë mendoj që Rusia është një forcë për mirë në stabilizimin e botës në përgjithësi dhe Islamit në veçanti. Duke qenë vend fqinj me Islamin, rusët duan paqe. Dhe për këtë duhet tu jemi mirënjohës, ashtu sikur Jezu Krishti që thotë ne Bibel “bekuar qofshin paqebërësit” (Mateu 5: 9).

E megjithatë, Allahu e di më së miri.

240