Rusia akuzon Izraelin për avionin e rrëzuar në Siri

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaron se avioni ushtarak i Rusisë, i cili u zhduk mbrëmë nga radari në Siri, është rrëzuar nga regjimi i Bashar al Asadit për shkak të sulmeve të Izraelit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, në një deklaratë për gazetarë në Moskë tha se avioni ushtarak rus II-20 ku ndodheshin 15 ushtarë dhe i cili u zhduk mbrëmë nga radari mbi Detin Mesdhe, është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit, S-200.

Duke vënë në dukje se avioni është rrëzuar për shkak të sulmit ajror të Izraelit, të kryer ndaj Sirisë, Konashenkov tha se “15 ushtarë rusë humbën jetën për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Izraelit. Gjendja në fjalë nuk e reflekton frymën e partneritetit Rusi-Izrael”.

Konashenkov pretendoi se avionët luftarak F-16 të Izraelit kanë përdorur avionin II-20 të Rusisë si mburojë. Ai po ashtu bëri të ditur se koha e mjaftueshme për largimin e avionit rus nga rajoni nuk është mundësuar për shkak të lajmërimit të vonuar të Sirisë për sulmin në fjalë.

Agjencia e lajmeve e regjimit të Asadit, SANA, mbrëmë kishte bërë të ditur se është kryer një sulm me raketë nga një palë e panjohur ndaj Institutit të Industrisë Teknike në Latakia dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë neutralizuar disa prej raketave.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne