Rusia dhe Franca bashkëpunojnë për dërgimin e ndihmave humanitare në Siri

Rusia dhe Franca do të dërgojnë së bashku ndihma humanitare në Siri, me destinacion Gutën Lindore, e rimarrë në prill nga regjimi i Esadit, njoftoi Presidenca franceze në një deklaratë të përbashkët me Rusinë.

Një avion rus i tonazhit të rëndë mbërriti pasditen e së premtes në zonën qendrore franceze të Shatërusë (Chateauroux) për të ngarkuar 50 tonë pajisje mjekësore dhe produkte bazë nga Franca, bëhet e ditur nga media e pranishme në vendngjarje.

Elizeja sqaron se Rusia do të mundësojë dhe garantojë mbërritjen e ndihmave humanitare në Siri me rrugë ajrore, ndërsa pas mbërritjes së tyre në Siri, autokolona transportuese e ndihmave do të pritet e shoqërohet sërish me mbështetjen e Moskës, në kuadër të rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe normave ndërkombëtare.

“Franca dhe Rusia vazhdojnë përpjekjet e tyre për të formuar kushtet e nevojshme për gjetjen e një zgjidhjeje politike të besueshme dhe të qëndrueshme në Siri”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e shkruar të Presidencës franceze./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne