Rusia dhe Kina kërkojnë vetëpërmbajtjen e Trump sa i përket Koresë së Veriut

Rusia dhe Kina kanë përsëritur thirrjet e tyre për vetëpërmbajtje të SHBA sa i përket Koresë së Veriut mes frikës se qëndrimet e ashpra të miratuara nga Presidenti i SHBA Donald Trump mund të shkaktojnë një konflikt ushtarak në gadishullin Korean.

Kërkesat e bëra nga zyrtarë të lartë rusë dhe kinezë të hënën erdhën dy ditë pasi Trump la të kuptohet se SHBA mund të përdorin forcën për të ndalur Korenë e Veriut nga zgjerimi i programit të saj bërthamor, duke shkruar në llogarinë e tij të famshme në Twitter se “ndaj Koresë Veriore vetëm një gjë do të funksionojë” . Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha në përgjigje të paralajmërimit të Trump se vërejtjet e tilla mund të komplikonin situatën. “Moska ka thirrur dhe vazhdon t’u bëjë thirrje palëve të përfshira në konflikt dhe atyre që kanë të bëjnë me këtë çështje për të ushtruar vetëpërmbajtje dhe për të shmangur çdo hap që do të përkeqësonte situatën”, tha Peskov në një konferencë me gazetarët. Në komentet e ngjashme, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Hua Çunying tha se SHBA dhe Koreja e Veriut duhet të shmangin lëvizjet që mund të ndikojnë negativisht në situatën aktuale, të cilën ajo e cilësoi jashtëzakonisht komplekse dhe serioze. Hua tha gjatë një konference për shtyp në Pekin se Kina shpresonte se të gjitha palët e konfliktit nuk do të bënin asgjë për të irrituar njëri tjetrin ose për ta përkeqësuar problemin dhe u bëri thirrje palëve të flasin dhe të veprojnë me kujdes. Të dielën, senatori demokrat Brian Schatz nga Hawaii tha se politika e shantazheve ndaj Koresë së Veriut nga Trump mund të çonte Shtetet e Bashkuara drejt një lufte aksidentale. Schatz u bëri thirrje amerikanëve të marrin në konsideratë komentin e senatorit republikan Bob Corker i cili paralajmëroi se Trump mund të drejtojë Shtetet e Bashkuara drejt “Luftës së Tretë Botërore”. “Nuk është për t’u çuditur që koreano-jugorët janë ndër më të frikësuarit nga një mik i tillë i ashpër si Donald Trump, sepse gjersa ai merr gjeste gjeopolitike, Koreja e Jugut do të shkatërrohet pothuajse në çdo skenar ushtarak”, tha Schatz./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne