Rusia do t’i japë Sirisë sistemet raketore S-300

 Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoygu tha Forcave të Armatosura të Sirisë do t’u jepet sistemi modern raketor i mbrojtjes ajrore S-300.

Shoygu në një deklaratë foli për masat që do të merren në Siri pas rrëzimit të avionit rus Il-20. “Brenda dy javësh Forcave të Armatosura të Sirisë do t’u jepet sistemi modern raketor i mbrojtjes ajrore S-300. Ky sistem ka aftësinë e goditjes në ajër të objektivit në distancë prej 250 kilometrash dhe të shkatërrimit të disa objektivave në të njëjtën kohë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se S-300 do të fuqizojë në masë të madhe aftësitë luftarake të mbrojtjes ajrore siriane.

Duke rikujtuar se sistemi S-300 është përgatitur në vitin 2013 për t’iu dorëzuar Sirisë, por që në momentin e fundit është hequr dorë nga kjo me kërkesën e Izraelit, Shoygu tha se “Sot situata ka ndryshuar. Kjo nuk është faji ynë”.

Shoygu shprehu besimin se masat që do të merren do të ndalin aktet e atyre të cilët veprojnë pa menduar. Në të kundërtën, sipas tij, do të jepet përgjigje në bazë të situatës.

Duke ritheksuar se pilotët izraelitë kanë përdorur si mburojë avionin rus kundër sistemit të mbrojtjes ajrore, Shoygu tha se “Kjo situatë na ka detyruar të marrim masat e nevojshme për rritjen e sigurisë së ushtarëve rusë të cilët luftojnë kundër terrorizmit ndërkombëtar në Siri”.

Avioni ushtarak rus Il-20, i cili më 17 shtator u zhduk nga radarët në Siri, është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit sirian S-200. Rusia pretendoi se avioni i është nënshtruar raketave për shkak se avionët luftarakë izraelitë F-16 kanë përdorur avionin Il-20 si mburojë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Shoygu akuzoi Izraelin në lidhje me rastin me ç’rast tha se “E gjithë përgjegjësia për avionin e rrëzuar ushtarak rus në Siri dhe të ekuipazhit bie mbi Izraelin”.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne