Kanali RT tha të premten se do të zbatojë kërkesën për t’u regjistruar sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, ose siç njihet ndryshe FARA. Por një zëdhënëse e qeverisë ruse tha se çështja mund të çohet edhe në gjykatë.

Kryetari i Dumës, Vyacheslave Volodin tha se zyrtarët tashmë po planifikojnë të ndryshojnë ligjet ruse për agjentët e huaj, duke e zgjeruar gamën e mbulimit për të përfshirë edhe mediat që veprojnë në Rusi.

I pyetur të enjten rreth regjistrimit sipas ligjit FARA-s, një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se ky veprim, nuk ndikon apo pengon mundësitë e një organizate për të raportuar.

Zyrtarët amerikanë e konsiderojnë kanalin RT, një mjet propagande të lidhur me qeverinë ruse, por sipas këtij televizioni, ai ofron mbulim objektiv të lajmeve në Shtetet e Bashkuara.

RT, apo “Rusia Sot” (Russia Today), tha të enjten se zyrtarët amerikanë të Departamentit të Drejtësisë i kanë dhënë afat deri më 13 nëntor për t’u regjistruar sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj. Sipas këtij televizoni nëse ata nuk e ndërmarrin këtë veprim, kjo mund të çojë në mbylljen e divizionit amerikan.

Në një deklaratë në faqen e saj në Facebook të enjten vonë, ambasada ruse në Uashington D.C tha se veprimi i Departamentit amerikan të Drejtësisë mund të vendoste “një precedent të rrezikshëm” për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës në të ardhmen.

 

 

 

 

 

 

 

 

13