Zëdhënësi presidencial i Rusisë, Dmitry Peskov, ka kundërshtuar pretendimet e mediave izraelite që akuzojnë Kremlinin se synon të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare izraelite të planifikuara për në muajin prill të vitit 2019.

“Mos lexoni këto media izraelite. Kjo (ndërhyrje në zgjedhje) është jashtë diskutimit dhe nuk mund të jetë në axhendë. Rusia nuk ka ndërhyrë, nuk ndërhynë dhe nuk mendon të ndërhyjë në asnjë zgjedhje në asnjë vend të botës”, tha Peskov në një konferencë për media.

Muajin e kaluar, parlamenti izraelit (Knesset) votoi për t’u shpërbërë para zgjedhjeve të parakohshme pasi partnerët e koalicionit, të udhëhequr nga Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu, propozuan zgjedhje të parakohshme në muajin prill.

Vendimi erdhi pasi partia Torah Judaizmi i Bashkuar (UTJ) u zotua të tërhiqet nga koalicioni nëse Knesset voton në favor të një projekt-ligji të detyrueshëm të shërbimit ushtarak që shënjestronte njerëzit ultra-ortodoksë.

Shërbimi i ushtrisë është i detyrueshëm për të gjithë qytetarët izraelitë, tre vjet për burrat dhe dy për gratë, me përjashtim të anëtarëve të komunitetit hebrej ultra-ortodoks.

Hebrenjtë ultra-ortodoks përbëjnë afërsisht 10 për qind të popullsisë së Izraelit. Ata priren të jetojnë në komunitete të mbyllura dhe t’i përmbahen interpretimeve strikte të ligjit fetar juridik.

12