Rusia: Ja se cfarë ndodhi ne Ngushticën e Kerçit, një provokim i çmendur nga ana e Ukrainës

Dje, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së zëvendësi i Përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë, Dmitri Polanski, sqaroi në mënyrë të detajuar atë që ka ndodhur pak ditë më parë në Ngushticën e Kerçit për shkak të një provokimi të çmendur nga ana e Ukrainës. Më poshtë janë pikat kryesore të fjalimit:

“Më 25 nëntor regjimi i Kievit krijoi një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare duke u dhënë urdhër forcave detare të Ukrainës për të kryer një provokim agresiv kundër kufirit shtetëror të Federatës Ruse. Tre anije të forcave ukrainase kaluan në mënyrë të paligjshme kufirin rus, u drejtuan për në Ngushticën e Kerçit, nuk iu përgjigjën kërkesave legjitime të shërbimit kufitar të Shërbimit të Sigurisë Federale dhe Flotës së Detit të Zi të Rusisë, kryen manovrime të rrezikshme, duke krijuar kërcënim për lëvizjen normale të anijeve. Këto veprime u kryen në kundërshtim me Kartën e OKB-së, normat e së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë nenin 19 dhe 21 të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e detit të vitit 1982.

Këto veprime të paligjshme detyruan rojet kufitare ruse të përdorin forcën. Falë maturisë së tyre dhe profesionalizmit të lartë, ata arritën të shmangnin viktima. Tre ushtarëve të plagosur ukrainas u është siguruar kujdesi i nevojshëm mjekësor, nuk ka rrezik për jetën e tyre. Përgjegjësia për këtë incident qëndron tek ata që i dhanë ekuipazhit një urdhër kriminal. Është shumë e rëndësishme të theksohet se pala ukrainase ka shkelur kufirin tonë në atë vend, i cili edhe para vitit 2014 ka qenë territor rus.

Përse ukrainasit, të cilët më përpara e kanë respektuar regjimin e lundrimit në Ngushticën e Kerçit pa ndonjë problem, papritmas bëjnë një provokim të dukshëm dhe rrezikojnë jetën e marinarëve të tyre? Askush nuk u shqetësua t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Dhe mungesa e reagimit mund të perceptohet si “carte blanche” për Ukrainën që të vazhdojë provokime të tilla, të përshkallëzojë situatën dhe të krijojë një klimë kërcënimi për të gjithë në këtë rajon.

Meqë ra fjala, në një nga anijet ishin dy oficerë të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës, të cilët pranuan se kishin një detyrë të posaçme për të vepruar në këtë mënyrë.

Presidenti i Ukrainës Pjotr Poroshenko tani ka një popullaritet jashtëzakonisht të ulët, me të cilin është turp të shkojë në zgjedhje. Dhe zgjedhjet nuk janë larg, pas katër muajsh. Atëherë, si mund ta mbajë ai pushtetin? Shumë e thjeshtë. Të organizojë një provokim dhe sërish të fajësojë Rusinë për gjithçka. Kështu, ai “rrit” popullaritetin, shfaqet përsëri në sytë e votuesve si “shpëtimtari i kombit” nga “agresioni mitik rus”. Në të njëjtën kohë ai shpall gjendjen e luftës. Çfarë synon shpallja e gjendjes së luftës, ne të gjithë e kuptojmë plotësisht mirë: anulimin e zgjedhjeve, pavarësisht nga pohimet e Poroshenkos për të kundërtën.

Regjimit të Kievit nuk i duhet paqja. Ai nuk synon të krijojë një jetë të denjë për popullin e tij, as nuk është i interesuar të dialogojë me popullin e tij në lindje të vendit. Nuk është i interesuar për të ashtuquajturat “vlera evropiane”, të cilat i përsërit vazhdimisht. Interesi i vetëm i politikanëve të Kievit është ruajtja e pushtetit dhe justifikimi i dështimeve të tyre me veprimet kundër “Rusisë agresive”.

Çështja e përkatësisë së Krimesë për ne është e mbyllur me kohë, përfundimisht, i pëlqen kjo dikujt apo jo. Asnjë sanksion nuk do të ndryshojë vendimin tonë. Kjo çështje u mbyll pasi krimeasit votuan për ribashkimin me Rusinë gjatë shprehjes së vullnetit të lirë në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Shumë njerëz pyesin: a e dinim ne vallë atëherë se çfarë na priste, duke marrë parasysh përparimin e shfrenuar të projektit gjeopolitik antirus “Ukraina” të ndërmarrë nga Perëndimi? Natyrisht që e dinim. Mos vallë Rusia është penduar për atë që ka ndodhur? Jo, nuk është penduar. Për më tepër, shumica dërrmuese e rusëve janë krenarë për këtë, pasi po të mos ishim ngritur në mbrojtje të popullit të Krimesë, sot ata do të vdisnin nga plumbat dhe predhat e Forcave të Armatosura të Ukrainës, ashtu si po vdesin banorët rusë në Donbas. Po vdesin vetëm sepse duan të flasin rusisht, t’u mësojnë gjuhën ruse fëmijëve të tyre dhe të nderojnë ata që çliruan Ukrainën nga nazistët dhe jo ata që bashkëpunuan me pushtuesit.

Ndryshe nga ju, ne në Rusi nuk kemi frikë t’i themi gjërat si janë. Ne nuk ulim kokën plot turp, ashtu si bëjnë kolegët tanë polakë, për shembull, të cilët shikojnë se si në Ukrainë nderohen ata që gjatë Luftës së Dytë Botërore eliminuan mizorisht qindra mijëra polakë, hebre dhe rusë.

Unë do të doja të paralajmëroja se linja e ndjekur nga Kievi në koordinim me SHBA dhe BE për të provokuar një konflikt me Rusinë është e mbushur me pasoja serioze. Ne do të ndalojmë me forcë çdo cenim të sovranitetit dhe sigurisë së Federatës Ruse duke përfshirë ujërat territoriale të Detit Azov dhe Detit të Zi. Shpresoj, kjo është e qartë për të gjithë”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne