Rusia konfirmon bisedimet me talibanët

Rusia thotë se është në kontakt me talibanët në Afganistan dhe po tenton që ta shtyjë këtë grup militant drejt pajtimit kombëtare që të sigurojë siguri për qytetarët rusë.

Duke folur me gazetarët në Bruksel, ambasadori rus në NATO, Aleksandr Grushko, ka hedhur poshtë pretendimet se Moska po i ofron ndihmë talibanëve, duke thënë se “shumë shtete” mbajnë kontakte me këtë grup. “Konsultimet që ne bëjmë, punën që e bëjmë, ne e bëjmë me pjesëmarrjen e qeverisjes qendrore të Afganistanit”, ka thënë ai. Ndërkohë sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis, ka shprehur shqetësim për aktivitetet e Rusisë në Afganistan dhe bashkëveprimin e saj me grupin militant taliban. “Ne kemi parë aktivitet të Rusisë në raport me talibanët”, tha Mattis në një konferencë për gazetarë në Londër. “Nuk kam gatishmëri të them në këtë pikë nëse kjo manifestohet me armatim dhe gjëra të llojit të këtillë, por, sigurisht, ajo që ata bëjnë atje në dritën e aktiviteteve të tjera të tyre, na ka bërë që ne të kemi shqetësim”, tha Mattis.

Këto komente janë bërë pasi gjenerali amerikan, Curtis Scaparrotti, komandant suprem i forcave të NATO-s në Evropë, i tha një komiteti të Senatit amerikan, më 23 mars, se ai ka parë dëshmi të përpjekjeve në rritje të Rusisë, për të ndikuar në talibanët dhe “me gjasë bile edhe për ta furnizuar” grupin militant. Moska i ka hedhur poshtë pohimet se i ndihmon talibanët, të cilët luftojnë kundër qeverisë afgane dhe ka deklaruar se Rusia është donatori më i madh i armatimeve për qeverinë e Kabulit. Analistët politikë janë të mendimit se iniciativa e Rusisë për të kontaktuar me talibanët ka shkaktuar jo vetëm shqetësimin e Uashingtonit, por edhe të qeverisë së Kabulit. Qeveria e Afganistanit është e shqetësuar për mungesën e transparencës së politikës së Rusisë ndaj procesit të paqes në këtë vend, ndërsa Uashingtoni po përpiqet që ta shfrytëzojë këtë situatë të paqartë për të sfiduar politikat e Kremlinit në Afganistan. Gjithashtu qeveria e Kabulit nuk ka besim në lidhje me politikën e Rusisë sidomos pas organizimit të takimit trepalësh për Afganistanin në Moskë ku nuk u ftua asnjë përfaqësues i Kabulit zyrtar./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne