Rusia ndalon veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait: Sekti i krishterë është ekstremist

Rusia ka ndaluar veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait pasi Gjykata Supreme vendosi që sekti i krishterë të ishte një grup “ekstremist”.

“Gjykata e Lartë ka vendosur të mbështesë kërkesën e ministrisë së drejtësisë së Rusisë, dhe e konsideron ekstremiste ‘Qendrën administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi’, e eleminon atë dhe ndalon veprimtarinë e saj në Rusi”, tha gjyqtari Yuri Ivanenko.

“Prona e organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait duhet të konfiskohet në të ardhurat e shtetit”.

Një avokate për ministrinë e drejtësisë, Svetlana Borisova, tha për gjykatën se antarët e tyre “paraqesin një kërcënim për të drejtat e qytetarëve, rendin publik dhe sigurinë publike”.

Gjyqtarët urdhëruan mbylljen e selisë ruse të grupit dhe të 395 departamenteve lokale, si dhe konfiskimin e pronës së tij.

Avokatët për Dëshmitarët e Jehovait thanë se do të apelonin vendimin e gjykatës i cili ende nuk ka hyrë në fuqi, dhe mund ta çojnë rastin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur”, tha Sergei Cherepanov, një përfaqësues i Dëshmitarëve të Jehovait, nga agjensia e lajmeve Interfax.

Në vitin 2010, gjyqtarët në Strasburg gjetën një vendim të mëparshëm nga një gjykatë ruse për ta bërë organizatën të paligjshme.

Ministria e drejtësisë kishte aplikuar më parë për një urdhër për të mbyllur selinë e saj kombëtare pranë Shën Petersburgut, njoftoi media shtetërore.

Qendra e saj administrative, e cila ka 175,000 anëtarë, ishte pezulluar më parë në mars lidhur me pretendimin e “aktivitetit ekstremist”.

Dëshmitarët e Jehovait, të cilët janë të njohur për predikimin derë më derë dhe për shpërndarjen e literaturave, hedhin poshtë disa nga besimet kryesore të krishterimit të zakonshëm dhe kanë më shumë se 8.3 milionë anëtarë në mbarë botën.

Grupi me bazë në SHBA ka gjeneruar polemika për qëndrimet e tij, duke përfshirë refuzimin e transfuzioneve të gjakut dhe kundërshtimin ndaj shërbimit ushtarak, duke u përballur me proçedura gjyqësore në disa vende.

Përfaqësuesit thanë se qindra njerëz u mblodhën në Gjykatën Supreme të Rusisë për të dëgjuar rastin gjashtë-ditor, i cili sipas tyre ishte kulmi i një dekade të “veprimeve agresive”.

David A Semonian, një zëdhënës në selinë botërore të sektit në Nju Jork, tha se ministria e drejtësisë nuk kishte “baza” për pretendimet e saj.

Ai tha se ndalimi do t’i vinte anëtarët nën kërcënimin e ndjekjes penale edhe për të luturit së bashku, në një “shkelje të të drejtave tona themelore të njeriut”.

Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan për herë të parë si një grup fetar në Rusi më 1991 dhe u regjistruan përsëri në vitin 1999, por janë vënë në shënjestër në mënyrë të përsëritur nga autoritetet në një goditje të gjerë të lirisë fetare.

Rusia ndryshoi përkufizimin e saj ligjor për ekstremizmin në vitin 2006, duke hequr kërkesat për dhunë apo urrejtje, por duke deklaruar “nxitjen e … grindjes religjioze” si kriter, duke i lënë Dëshmitarët e Jehovait në të njëjtin status ligjor si ISIS ose nazistët.

Faqja ndërkombëtare e internetit të grupit u bllokua në Rusi dy vjet më parë, lidhur me ekstremizmin e pretenduar. Vitin e ardhshëm u ndalua Bibla e grupit, ndërsa një kryetar vendas u burgos për dy vjet me akuza për posedimin e “literaturës ekstremiste” në vitin 2010. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne