Reagim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë në lidhje me vendosjen e mundshme të sanksioneve të reja amerikane kundër Iranit:

“Një valë e re sanksionesh kundër Iranit e anoncuar nga Uashingtoni ka për qëllim minimin e përpjekjeve të vazhdueshme të vendeve-pjesëmarrëse për ta ruajtur Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit lidhur me programin bërthamor iranian.

Hapat që po ndërmerren nga Uashingtoni për të shkatërruar instrumentet juridiko-ndërkombëtare në fushën e mospërhapjes bërthamore dhe kontrollit të armëve, shkaktojnë një zhgënjim të thellë dhe një shqetësim në rritje. Situata në fushën e sigurisë globale po përkeqësohet. Këtë herë SHBA-të po i japin një tjetër goditje të fuqishme Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, duke e çuar atë drejt një kolapsi dhe në të njëjtën kohë duke folur në mënyrë hipokrite për domosdoshmërinë e përforcimit të këtij Traktati.

Hedhim poshtë çdo sanksion të njëanshëm që anashkalon Këshillin e Sigurimit të OKB-së, aq më tepër kur këto sanksione përdoren në mënyrë eksterritoriale dhe prekin interesat e vendeve të treta, siç është rasti i kufizimeve amerikane ndaj Iranit. Në qoftë se Uashingtoni, siç ai vetë pretendon, me të vërtetë është i interesuar për të mbajtur bisedime me Teheranin, atëherë politika e presionit nëpërmjet sanksioneve me qëllim zvogëlimin e potencialit ekonomik dhe ushtarak të Iranit, si edhe destabilizimin e situatës së brendhsme politike, duhet të rivlerësohet menjëherë. Siç tregon përvoja shumëvjeçare, është e pamundur të marrësh lëshime nga Irani me anë të presionit.

Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit justifikon plotësisht veten. Ka provuar të jetë efektiv. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike vërteton rregullisht se Irani po i zbaton rreptësisht detyrimet e tij. Ne mbështesim përpjekjet e vazhdueshme dhe profesionale të Agjencisë në këtë drejtim. Masat e inspektimit dhe kontrollit të parashikuara nga Plani po aplikohen në mënyrë të plotë. Vetë kjo është një provë e besueshme se programi bërthamor i Iranit ka karakter paqësor.

Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që një arritje kaq e rëndësishme e diplomacisë shumëpalëshe të rrëzohet sipas tekës së vetëm një vendi, i cili shkel haptazi ligjin ndërkombëtar. Jemi të bindur se Plani i Përbashkët i aprovuar unanimisht me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 2231 (2015) ka një rezervë të mjaftueshme të qëndrueshmërisë. Pjesëmarrësit e kësaj marrëveshjeje janë krejtësisht të aftë për të tejkaluar vështirësitë e shfaqura.

Do të bëjmë çdo gjë të nevojshme për të ruajtur dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar ekonomiko-tregtar dhe financiar me Iranin pavarësisht nga sanksionet amerikane.

I dënojmë fort veprimet e reja destruktive të SHBA-ve”.

Embassy of Russia in Albania / Посольство России в Албании
26