Rusia: Sulmet ajrore izraelite vranë 4 ushtarë sirianë dhe dëmtuan aeroportin e Damaskut

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë deklaroi se 4 ushtarë sirianë janë vrarë dhe 6 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të Izraelit në orët e natës në Siri.

Qendra e Menaxhimit të Mbrojtjes Kombëtare e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë bëri një deklaratë në lidhje me sulmin ndaj objektivave në Siri të Izraelit.

Në deklaratë bëhet e ditur se Forcat Ajrore të Izraelit nga ora 2.11 deri në orën 2.56 me orën lokale bënë tre sulme ndaj territoreve në perëndim, jugperëndim dhe jug të Sirisë.

“Si pasojë e sulmit, 4 ushtarë sirianë janë vrarë dhe 6 të tjerë janë plagosur. Disa pjesë të aeroportit ndërkombëtar të Damaskut janë dëmtuar” shkruhet në deklaratën në fjalë.

Gjithashtu bëhet e ditur se sistemet e ushtrisë siriane të mbrojtjes ajrore interceptuan dhe asgjësuan në ajër më shumë se 30 raketa të orientuara të hedhura nga Forcat Ajrore të Izraelit.

Ushtria izraelite kishte bërë të ditur se kishte ndërmarrë një sulm ajror ndaj objektivave, të cilat i përkasin Feylak el-Kuds, që është një forcë e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit në territoret siriane.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne