Rusia do të shfaqë 240 pajisje ushtarake në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes

Eksportuesi i armëve shtetërore të Rusisë, Rosoboronexport do të organizojë një shfaqje të përbashkët ruse në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes, IDEF’17, i cili do të mbahet në Stamboll nga data 9 deri në 12 maj dhe do të shfaqë 240 pjesë të pajisjeve ushtarake ruse, tha Rosoboronexport të mërkurën.

“Ekspozita e përbashkët ruse në IDEF’17, ku do të marrin pjesë Rosoboronexport dhe JSC Concern ‘Almaz Antey’ do të paraqesë gjithsej 240 pjesë të pajisjeve ushtarake. Stenda 521 e Rosoboronexport që ndodhet në Sallën 5 të Ekspozitës, do të japë informacion mbi 200 pjesë të pajisjeve të ndryshme ushtarake”, tha njoftimi për shtyp.

Sipas Rosoboronexport, mjetet e mbrojtjes së automjeteve të blinduara të Rusisë, duke përfshirë sistemin e mbrojtjes aktive Arena-E, sistemin e raketave Kornet-E dhe Kallashnikovët e ndryshëm do të paraqesin interes për forcat tokësore turke.

“Bashkëpunimi ushtarako-teknik midis Rusisë dhe Turqisë ka fituar tashmë një trend pozitiv. Rosoboronexport i ka këshilluar në mënyrë aktive partnerët e tij turq për furnizimet me pajisje ushtarake që nga fundi i vitit 2016. Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare është e interesuar për një gamë të gjerë pajisjesh ushtarake, veçanërisht për sisteme të ndryshme të mbrojtjes ajrore ruse. Po diskutojmë gjithashtu mbi një numër projektesh të partneritetit teknik që parashikojnë zhvillimin e përbashkët dhe prodhimin e armëve të avancuara”, tha Vladimir Goncharov, kreu i Departamentit të Marketingut të Rosoboronexport, siç citohet në njoftimin për shtyp.

Rosoboronexport planifikon gjithashtu të organizojë një program të gjerë biznesi njëkohësisht në IDEF’17, duke përfshirë takime me përfaqësues të qeverisë turke, të forcave të armatosura dhe të komunitetit të biznesit, si dhe me zyrtarë nga disa vende të Lindjes së Mesme. Delegacioni zyrtar i Rusisë kryesohet nga Mikhail Petukhov, Zëvendës Drejtor i Shërbimit Federal Rus për Bashkëpunimin Ushtarako-Teknik (FSMTC). / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne