Ryshfet për të mbyllur njërin sy, policia kap në flagrancë dy zyrtarët në Korçë

Policia ka arrestuar dy zyrtarë të shërbimit të transportit në Korçë nën akuzën e korrupsionit.

Daniel Xhemo dhe Fredi Gogo merrnin ryshfet për regjistrimin e makinave  në qytet. Dy zyrtarët i merrnin paratë në këmbim të ndryshimit të vitit të prodhimit të automjeteve, në mënyrë që të shmangeshin taksat për këto makina.

Njoftimi i policisë

Finalizohet me sukses operacioni antikorrupsion i koduar “Kodifikimi”. Arrestohen dy kontrollorë fizik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kodifikimi” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Daniel Xhemo, 52 vjeç dhe Fredi Gogo, 64 vjeç, të dy banues në Korçë, me detyrë kontrollorë fizik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas, janë kapur në flagrancë duke marrë shuma lekësh nga shtetas të ndryshëm, për të favorizuar regjistrimin e mjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Korçë, ku ndryshonin vitin e prodhimit të automjeteve me qëllim shmangien e taksave. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne