nga Shafik Mandhai.

Ashtu si qindra mijëra bashkëatdhetarë të saj, Anna Lachowska u largua nga vendi i saj Polonia pak kohë pas pranimit në Bashkimin Evropian, me shpresën për të gjetur mundësira më të mira gjetkë në bllok.

Udhëtimi e çoi në Irlandë, pastaj në Republikën Çeke, dhe më vonë në Britaninë e Madhe ku jetoi për një dekadë në Londër.

Ishte atje kur ajo iu nënshtrua një transformimi shpirtëror, duke lënë pas krishtërimin me të cilin u rrit për një besim pak të njohur në vendin e saj të lindjes.

“Islami më njohu me Zotin sikur ta kisha parë dhe ndier atë gjithmonë,” tha ajo për Al Jazeeran, duke përshkruar se si vendimi i saj shkaktoi një zhgënjim tek nëna e saj.

Bisedat fillimisht rreth Islamit ishin të nxehta, megjithatë ato shkuan drejt pajtimit, dhe më në fund nëna e Lachowskas filloi që ta mbrojë vendimin e vajzës së saj.

“Sa herë që ajo flet në telefon me ndonjë të afërm nga Polonia, nëse i thonë diçka ‘anti-islame’, ajo me guzim fillon dhe i argumenton, mbron Islamin, mbron zgjedhjen time, alhamdulillah (falënderoj Zotin)”.

Kriza e refugjatëve

Të afërmit e Lachowskas nuk janë të vetmit me mendimin e tyre negativ për Islamin. Shkalla e ndjenjës anti-muslimane në Poloni u shfaq të shtunën në marshimin e ditës së pavarësisë, i cili tërhoqi rreth 60,000 njerëz, shumica nga grupet e ekstremit të djathtë.

Një flamur i mbajtur nga protestuesit tregonte një kalë troje i emërtuar “Islam” i cili përpiqej të hynte në një kështjellë të quajtur “Evropa”.

Brenda kalit ishte një karikaturë tipike e njeriut të Lindjes së Mesme me një hundë të gjatë, i veshur me një jelek vetëvrasës i cili mbante një flamur ku lexohej “Unë jam refugjat”.

Frika nga Islami dhe e një dyndje refugjatësh në Poloni, të ngjashme me atë që përjetuan vendet fqinje të BE-së, janë ekzagjeruar nga politikanët dhe mediat, sipas Konrad Pedziwiatr i Universitetit të Ekonomisë në Krakov.

“Shumica e informacionit që njerëzit kanë për Islamin dhe myslimanët vjen nga mediat dhe sidomos gjatë viteve të fundit është tendenca që çështjet e terrorizmit, krizës së refugjatëve dhe islamit ti grumbullojnë së bashku”, tha ai.

“Gjithmonë ka pasur politikanë që kishin opinione të forta kundër Islamit, por kriza e refugjatëve ndihmoi në nxitjen e çështjes dhe ndihmoi Partinë Ligj dhe Drejtësi të vijë në pushtet”.

Partia më e madhe polake erdhi në pushtet në vitin 2015 me një platformë për rivendosjen e krenarisë polake dhe mbajtjen e refugjatëve jashtë vendit.

Pedziwiatr shpjegon se rritja e islamofobisë në jetën politike kishte qenë në një vijë bashkë me mbulimin gjithnjë e më të pafavorshëm që bën media ndaj muslimanëve, veçanërisht media shtetërore.

“Sa herë që del çështja e Islamit dhe muslimanëve, gjithnjë paraqitet në një mënyrë tepër-negative”, tha ai.

Efekti i kombinuar i diskursit politik dhe mediatik për Islamin ka sjellë një “banalizim” të islamofobisë dhe ka çuar që shumë polakë të kenë perceptime të pasakta për bashkësinë muslimane, argumentoi ai.

Muslimanët përbëjnë vetëm 0.1 përqind të popullsisë polake, ose rreth 35.000 vetë, përfshirë këtu myslimanët polakë vendas, të tillë si tatarët, të konvertuarit dhe emigrantët nga e gjithë bota.

Megjithatë, qytetari i mesëm beson se numri është shumë më i lartë.

“Polakët e mbivlerësojnë jashtëzakonisht madhësinë e bashkësisë muslimane, mesatarja që njerëzit mendojnë është shtatë për qind, gjë që është qesharake, sepse do të thotë mbi dy milionë e gjysmë njerëz”, tha Pedziwiatr, duke shpjeguar se perceptimet e tilla ishin “frika polake nga islami dhe muslimanët “.

Lidhjet historike

Ndërsa popullsia muslimane e Polonisë është e vogël, Islami atje ka një prani që daton të paktën që nga epoka mesjetare.

Tatarët Lipka janë një komunitet mysliman me prejardhje nga pushtuesit mongolë, të cilët më vonë shërbyen si ushtarë për një sërë monarkësh polakë. Megjithëse fillimisht mendohet të kenë numëruar dhjetëra mijëra, komuniteti tani ka pak më shumë se 10,000 anëtarë, me vetëm 2,000 të mbetur në Poloni, për shkak të ndryshimeve kufitare dhe asimilimeve në komunitetin e gjerë polak.

Akademikja i Universitetit të York-ut, Kasia Narkowicz, tha për Al Jazeeran se islamofobia në Poloni kishte vite që kishte nisur, duke mbajtur “trendin më të madh botëror të ndjenjave anti-islame”.

Ajo argumentoi se në këtë atmosferë të tillë kontributet historike të bëra nga Lipkasit u harruan në masë të madhe.

“Kur bëra kërkime mbi islamofobinë në Poloni në vitin 2011 … njerëzit folën për Betejën e Vjenës të vitit 1683, të cilën ata e perceptojnë si një ngjarje kyçe ku polakët i ndaluan muslimanët në portat e Evropës”, tha ajo.

“Tani ata po përdorin një betejë tjetër, Betejën e Lepantos 1571, shembull i rezistencës polake ndaj Islamit që shpëtoi Evropën nga ‘islamizimi’.

“Ajo që shumë … nuk e kuptojnë është se shumë nga ushtarët që luftuan për Poloninë në atë kohë ishin në të vërtetë Tatarët, pakica muslimane e Polonisë”.

Narkowicz theksoi se dikur Polonia ishte shtëpia e më shumë muslimanëve sesa cmund të ketë ajo në një të ardhme të afërt.

“Myslimanët në Poloni e kanë praktikuar lirisht fenë e tyre për qindra vjet pa pasur ndonjë problem … shumë polakë, të cilët tani i shqetësohen pushtimit islam, nuk janë fare në dijeni të kësaj historie.”

Prespektivë

Ndërkohë që rritja e islamofobisë në vendin e saj amë është shqetësuese për Anna Lachowskan e rëndësishme është të vendosë trendin e saj në perspektivë.

Ajo tregoi se si njëherë në Francë iu kërkua të hiqte shaminë gjatë një pritjeje në radhë, diçka që nuk do të kishte ndodhur në Poloni.

“Unë jam një mbajtëse krenare e pasaportës polake me një foto hixhabi  ku nuk pati fare problem kur e bëra”, tha ajo.

“Nuk është se jam e fiksuar për mbulesën, por nuk mund të pajtohem me maninë franceze për këtë ndalim.

“Polonia është më e mirë, më e hapur, më e respektueshme në këtë çështje.” / Gazeta Impakt

burimi:aljazeera

27