Saimir Tahiri në prag të arrestimit? Dy rrugët që mund të ndjekë Prokuroria e Krimeve të Rënda

Pak më parë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri hoqi dorë nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe tha se ishte qytetar i lirë i gatshëm për të pritur të vërtetën dhe drejtësinë e tij para gjykatës.

Por çfarë do ndodhë me të? A do kërkojë Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestimin? Fillimisht pritet që mandati i tij të shkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ duhet të pranojë dorëheqjen dhe të konstatojë përfundimin e mandatit për deputetin Saimir Tahiri.
Pas kësaj, nëse prokuroria e vlerëson për një arrest të mundshëm të tij, atëherë mund të veprojë me “urdhër arrest” dhe më pas ky urdhër të vlerësohet nga gjykata.

Rruga e dytë është që t’i drejtohet gjykatës për Krime të Rënda për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe vetëm nëse e siguron një vendim të tillë, atëherë mund të ketë një arrestim të mundshëm të tij.

Kujtojmë që ish-ministri Saimir Tahiri u përfshi në skandalin e përgjimeve të trafikantëve “Habilaj” kushërinj të tij të largët, të cilëve iu kishte shitur edhe makinën. Në përgjimet e Prokurorisë së Katanias trafikantët e përmendnin si personi me të cilin ndanin fitime.

Pas kësaj nisën hetimet paralele në Itali dhe Shqipëri, por edhe pse prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Partia Socialiste e shkarkoi nga të gjitha funksionet dhe prej 6 muajsh ai qëndroi si deputet i pavarur, derisa sot mori vendimin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne